1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bakojani: Nacionalizmi ekstrem mbjell erëra dhe korr furtuna

Letra e kryeministrit maqedonas Gruevski drejtuar homologut të tij grek Karamanlis ka acaruar se tepërmi marrëdhëniet ndërshtetërore. Në Athinë dëgjohen zëra për mbylljen e kufirit si në kohën e embargos.

Ministrja e jashtme greke, Dora Bakojani

Ministrja e jashtme greke, Dora Bakojani

Pas letrës së kryeministrit Gruevski drejtuar homologut të tij Karamanlis acarimi i klimës në marrëdhëniet midis Athinës dhe Shkupit të kujton situatën e mesit të viteve 90-të që çuan në embargo. Deputeti i partisë nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor arriti të kërkojë mbylljen e kufirit me qëllim evitimin e provokacioneve të palës tjetër javën e ardhshme, sikurse pretendoi, në një aktivitet në fakt të përvitshëm ndërshtetëror dhe ndërkulturor si ai i Prespës. Mesazhi i ministres së jashtme greke Bakojani, në këto kushte, që shënoi dhe kulmin e kreshentos së reagimit të revoltuar të Athinës ndaj kërkesës së Shkupit për njohje të “minoritetit maqedonas” por edhe kthim pronash dhe pajisje me nënshtetësi greke të sllavomaqedonasve të larguar nga territori grek gjatë luftës civile 1946-1949, duhet të ketë sigurisht shumë receptues të tjerë përveç Gruevskit. “Nacionalizmi ekstrem mbjell erëra dhe korr furtuna” tha Bakojani pasi shënoi më parë se “ajo çka përpiqet të bëjë zoti Gruevski është që të shkallmojë në mënyrë të ndërgjegjshme themelet e negociatave që po zhvillohen me kushte shumë konkrete”.

Ajo çka negociohet është vetëm emri bën të qartë në të gjitha tonet Athina, që flet njëkohësisht dhe për konsensus amerikan pas takimit të djeshëm të diasporës grekomaqedonase me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit Daniel Frid. “Besoj se zoti Gruevski i ofron shërbime të këqija vendit të tij” deklaroi në të njejtën frekuencë dhe kryetari i opozitës socialiste Jorgos Papandreu, kur gjithë spektri politik grek akuzon udhëheqjen e Shkupit se “hap kutinë e Pandorës” me “akte provokative” dhe analistët shohin që nga një revansh të mundshëm të fqinjëve për veton e Bukureshtit deri në një lëvizje taktike të Gruevskit me qëllim zbutjen e Athinës dhe njohjen nga ana e saj më në fund dhe të “etnosit dhe gjuhës maqedonase”.

Çdo devijim nga proçesi i nisur dhe eksluziv për emrin çon në qorrsokak, sipas Athinës që për këtë pritet të informojë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së ashtu si Karamanlis pritet që t’i përgjigjet këto ditë në tone të ashpra homologut të tij Gruevski. Kjo në një kohë që ministri i Arsimit Stilianidis e cilësoi “arbitraritet provokativ” dhe “uzurpim të historisë” aktin e emërtimit në “Aleksandër i Maqedonisë” dhe “Filipi i Dytë” të dy fakulteteve të blera nga Shkupi të një universiteti privat në Angli dhe për këtë do t’i drejtohet me letër si homologut të tij anglez po kështu dhe komisionerit evropian.

  • Data 16.07.2008
  • Autor Niko Anagnosti/ Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EdNH
  • Data 16.07.2008
  • Autor Niko Anagnosti/ Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EdNH