1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bajram Rexhepi: Veriu i Kosovës nën kontroll të organeve të rendit

Ne presim nga KFOR-i që në veri të krijojë hapësirë për EULEX-in dhe policinë e Kosovës që të kryejnë punën e tyre drejt hetimeve dhe arrestimeve të mundshme të njerëzve që kanë kryer krime.

default

Bajram Rexhepi

Deutsche Welle: Minister Rexhepi, kemi parë këto kohët e fundit sërish tensione në veri të Kosovës, madje deri në plagosjen e ushtarëve të KFOR-it. Më pas pati edhe arrestime të disa personave në lidhje me vepra të ndryshme të mëparshme. Çfarë e karakterizon në këtë fazë, gjendjen në veri të Kosovës?

Bajram Rexhepi: Gjendja e përgjithshme e sigurisë është nën kontroll të organeve të rendit edhe përkundër incidenteve të dhunshme që ka patur. Kohët e fundit shihet një përkushtim më i madh i KFOR-it që të përmbushë mandatin në lirinë e lëvizjes. Ka larguar disa barrikada që kanë qenë teknikisht më të vështira. Ka qenë një sulm i papranueshëm i grupeve kriminale ndaj ushtarëve të KFOR-it, plagosja e dy ushtarëve të tyre me armë zjarri. Sulmuesit janë të identifikuar se kush e ka bërë një gjë të till, sepse janë incizuar nga KFOR-i. Ushtarët e KFOR-it janë përgjigjur me plumba gome, ndërsa një serb i plagosur besohet se është plagosur nga armët e zjarrit e serbëve dhe jo nga KFOR-i. Pra, tash shihet një vendosmëri më e madhe nga ana e KFOR-it, situata është qetësuar pas atyre incidenteve të dhunshme. Kohët e fundit kemi pasur disa veprime shpresdhënëse të misionit EULEX, me arrestimin e një nga të dyshuarit për vrasjen e policit Enver Zymberi, pra është arrestuar njëri nga gjashtë të dyshuarit për të cilët është lëshuar fletarrest ndërkombëtar. Sa i përket incidenteve të fundit të dhunshme, janë duke u zhvilluar hetime dhe realisht presim me të drejtë që KFOR-i të jetë i vendosur në qëndrimet e tyre, të krijojë hapësirë për EULEX-in dhe policinë e Kosovës që ta kryejnë punën e tyre drejt hetimeve dhe arrestimeve të mundshme të njerëzve që kanë bërë krime dhe gradualisht të vendoset sundimi i rendit dhe ligjit si parakusht për cfarëdo zhvillimi pozitiv në veri të Kosovës.

Deutsche Welle: Qeveria ka paralajmëruar hapjen e një zyre administrative në veri të Mitrovices, por serbët e veriut nuk duan të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës. Si mund të jetë funksionale kjo zyrë?

Bajram Rexhepi: Mospranimi i institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve nuk është qëndrim i qytetarëve serb, por qëndrim i një grupi të caktuar të ashtuquajtur kryetar të komunave paralele të cilëve gradualisht po u zbehet fuqia vepruese në veri. Grupet e caktuara kriminale të cilat gjithmonë kanë dëshiruar të mos funksionojë rendi dhe ligji. Ju e dini se që nga viti 2004 ka qenë një e ashtuquajtur një komunë e përkohshme e krijuar nga kryeadministratori i atëhershëm i UNMIK-ut, Michhail Shtajner, nën menaxhimin e UNMIK-ut, e financuar nga buxheti i Kosovës, por që nuk ka prodhuar rezultate konkrete. Çdo vit janë shpenzuar nga katër milion euro nga buxheti i komunës së Mitrovicës me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës, por shumica e njerëzve që kanë qenë të punësuar aty kanë qenë të punësuar edhe në komunën paralele serbe të Mitrovicës. Pra më në fund vendimi për hapjen e zyrës administrative në veri të Mitrovocës ka qenë i domosdoshëm, kjo zyrë administrative ka shtatë departamente që do të merren me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Pra kjo zyrë realisht i përgjan një komune, por që nuk e ka komponentën politike e cila duhet të vendoset pas zgjedhjeve lokale që do të organizohen nga institucionet e Kosovës dhe me ndihmën ndoshta të OSBE-së në rolin e lehtësuesit që ka treguar rezultate të mira në zgjedhjet e kaluara të Serbisë.

Deutsche Welle: Mund ta mbrojë policia e Kosovës stafin e kësaj zyre, sepse kam parasysh sulmet që u janë bërë në të kaluarën disa herë objekteve dhe stafit të institucioneve të Kosovës në veri të Mitrovicës?

Bajram Rexhepi: Para se të hapet kjo zyrë që ka qenë ide qysh nga viti i shkuar por është pritur momenti i duhur pas zgjedhjeve në Serbi, policia e ka bërë identifikimin e objektit dhe masat që duhet të merren për mbrojtjen edhe të objektit dhe stafit që do të punojë aty. Pra në këtë rast kemi partneritet të plotë edhe me KFOR-in edhe me misionin EULEX, pra kjo do të jetë një punë e përbashkët. Në këtë fazë është shumë e rëndësishme që të mbrohet objekti ende pa filluar punën stafi, sepse do të ketë synime për shkatërimin dhe dekurajimin e njerëzve që pritet të punojnë aty. Pra do të bëhet edhe siguria e stafit që do të punojë dhe të garantohet liria e lëvizjes në mënyrë që zyra të jetë funksionale dhe qytetarët të kenë qasje të lirë në këtë zyrë dhe të marrin shërbimet që janë të domosdoshme për qytetarët në veri. Unë jam i bindur që me një koordimin të mirë që në nivelin teknik janë pikat kontaktuese, do të jemi të sukseshëm dhe grupet e caktuara që kanë menduar se janë të paprekshëm dhe kanë menduar se mund ta marrin ligjin në duart e tyre, do t`i dekurajojmë për arsye se ne jemi shumë të vendosur që kjo zyrë të funksionojë si duhet.

Deutsche Welle: Misioni EULEX, do të vazhdojë punën në Kosovë të paktën edhe për dy vjet, por me një staf më të vogël, mendoni se do t'ia dalë policia e Kosovës në punën e saj, pa një pjesë të misionit EULEX?

Bajram Rexhepi: Ne më herët e kemi propozuar një strategji graduale të tërheqjes së misionit EULEX, që e kemi quajtur terheqje e butë, kemi pasur shumë biseda me strukturat e misionit këtu në Kosovë por edhe në Bruksel dhe në fund jemi dakorduar që dy vjet janë të mjaftueshme që kapacitetet tona në tri komponenta sic janë, policia gjyqësa dhe doganat, të arrijnë kapacitet dhe në një mënyrë EULEX-i ta përfundojë misionin. Por, jemi përcaktuar që misioni të vazhdojë punën sa i përket dyshimeve për krime të luftës dhe bashkëpunimin me interpolin të vazhdojë edhe për një kohë sa të jetë e nevojshme. Por, tash në gusht do të jetë një reduktim i madh i stafit të misionit EULEX deri në 30 %, ndërsa, pjesa e mbetur do të koncentrohen më shumë në Prishtinë dhe Mitrovicë, ndërsa, në rajone tjera nuk janë shumë të domosdoshëm. Sa i përket doganierëve ata janë më të avancuar dhe këtu puna e EULEX është gati formale dhe nuk ka nevojë për ndonjë ndihmë të posaçme. Sa i përket policisë edhe policia është mjaft e avancuar dhe në shumicën e rasteve policia mund të kryejë punën edhe pa ndihmë direkte dhe policët e misionit EULEX, do të jetë më shumë në rolin monitorues, këshilldhënës dhe jo ekzekutiv. Ndërsa, segmenti që gjithmonë ka qenë më fragjil është gjyqësia ku kemi nevojë për misionin EULEX edhe për një kohë të caktuar sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korruspionit. Siç e dini janë taskforcat e përbashkëta siç janë, prokuroria speciale që merren me rastet më të mëdha të kriminalitetit dhe në këtë drejtim mendojë se edhe ata janë të gatshëm që sa më shumë kopetenca të transferojnë të organet vendore dhe ne jemi të gatshëm t`i marrim këto përgjegjësi dhe të mos krijohet ndonjë vakum.

Deutsche Welle: Zoti Ministër, kur flisni për kapacitetet e policisë së Kosovës, ka pasur dy raste kur në dhomat e dëshmive në policinë e Kosovës janë vjedhur drogë e sekuestruar dhe një sasi e madhe ari. Sa e ka zbehur kjo imazhin e policisë për rend dhe ligj, kur vet dhomat e dëshmive brenda stacioneve të policisë janë të pasigurta?

Bajram Rexhepi: Definitivisht koj e dëmton imazhin e policisë dhe është e pandershme që një grup i vogël brenda policisë të dëmtojë një imazh të policisë i cili është ndërtuar me mund me ndjersë dhe sakrificë me një punë pozitive që edhe më tutje mbetetet një ndër institucionet më të besueshme. Ne nuk do të kemi kurrfarë tolerance për njerëzit që do të keqpërdorin detyrën. Policia është zbatuese e ligjit dhe nëse ata bëjnë keqperdorim ne do të kërkojmë që të dënohen edhe më shumë se të tjerët, por si një shtet demokratik ne duhet t`i përcjellim dhe respektojmë disa procedura standarde. Sa i përket rastit të vjedhjes së drogës në dhomën e dëshmive në polici në Prishtinë në vitin 2009, unë në këtë kohë nuk kam qenë ministër por kryetar i komunës së Mitrovicës dhe nuk pajtohem me opozitën kosovare që gjuan baltë mbi emrin tim. Unë kam kërkuar dhe kam pasur synim që në këtë drejtim të kemi rezultate konkrete. Në kohën kur unë janë emëruar në krye të kësaj ministrie, përgjegjësia për këtë rast ka qenë e transferuar te misioni EULEX dhe për dy vjet nuk ka rezultate konkrete dhe unë nuk mund ta marr përgjegjësinë e misionit EULEX, pse nuk kanë bërë më shumë. Unë tash nuk mund të marr vendime për policët që kanë pasur përgjegjësi të mëparshme. Ndërsa, sa i përket rastit të dhomës së evidencës në policinë e Pejës për vjedhjen e 23 kg ar, me të marr nformatën ne i kemi aktivizuar të gjithë mekanizmat që i kemi pasur në dispozicion dhe mekanizmi kryesor është inspektorati i policisë së Kosovës, i cili me ligjin e ri ka të drejtë të hetimeve për procedura penale sepse rastet e tilla konsiderohen vepra penale dhe menjëherë janë arrestuar katër oficerë të cilët e kanë poseduar celësinë e dhomës së dëshmive. Me propozim të inspektoratit policorë dhe vendimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë është shkarkuar komandanti rajonal i policisë së Pejës për arsye se ai ka qenë drejtor prej vitit 2007 dhe kjo vjedhje e arit nuk ka ndodhur vetëm gjatë një akti por është tërhequr vazhdimisht ngapak, prandaj suspendimi ka ndodhur në bazë të pozitës që ka komandanti rajonal i policisë. Inspektorati policisë përveç katër personave që kanë qenë në posedim të çelësit, ka bërë edhe intervistimin e 80 policëve qoftë të nivelit rajonal dhe komunal, hetimet vazhdojnë edhe më tutje, forenzika ka qenë e përfshirë në këto hetime por ata nuk kanë gjetur asnjë gjurmë sepse nuk ka pasur akte të dhunshme të hyrjes së këtë dhomë të evidencës por dikush e ka shfrytëzuar celësin dhe nuk ka lënë gjurmë. Pra, pa dashur ta paragjykojë se kush e ka bërë këtë vjedhje, përgjegjësia bie mbi ata që kanë qenë përgjegjës për ruajtjen e dhomës së evidencave, ose të tregojnë se kush kanë qenë ata që e kanë vjedhur arin. Ky rast duhet të zbardhet. Një diçka që po pengon hetimet jo vetëm në këtë rast por edhe në raste të tjera, është vendimi që merret për paraburgim pas hetimeve që i bënë policia bashkë me prokurorin, ndrësa, gjykatësi i procedurës paraprake merr vendim që personat e dyshuar të mbeten në arrest shtëpiak. Kjo nuk është e mjaftueshme sepse të dyshuarit duhet të jetë 24 orë në dispozicion të hetuesve që të zbardhet rasti, ndërsa arrestet shtëpiake janë pengesë reale që të zbardhet rasti më shpejtë. Natyrisht që gjyqësori është një shtyllë e ndarë dhe ne nuk mund të interferojmë në të, por ky është një fenomen që po ndodh dhe kjo po zbeh rezultatet e hetuesisë. Prandaj me këtë rast unë u apeloj atyre që marrin këto vendime që të jenë shumë të kujdesshëm. Ne të gjithë jemi njerëz dhe mund ta kemi edhe anën humane, por në këto raste duhet të ketë profesionalizëm dhe në bazë të provave të veprohet dhe mos të ketë dyshime që spekulohet se ndonjëherë avokatët bashkë me gjyqtarët i minimizojnë këto raste për përfitime materiale. Këtë po e them qëllimisht që të kenë kujdes gjyqtarët që marrin vendime të tilla dhe tepër të buta.

  • Data 13.06.2012
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/15D8B
  • Data 13.06.2012
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/15D8B