1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bajram Rexhepi: Për çështje të brendshme nuk do të ketë negociata me askënd

Në intervistën eksluzive dhënë Deutsche Welles, ministri i Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi flet për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi

DW: Si paraqitet sot gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës, a janë të hapura rrugët që shpiejnë për në pikëkalimet Jarinje dhe Bërnjak?

Rexhepi: "Gjendja në përgjithësi është nën kontroll megjithatë akset rrugore drejt Jarinjës dhe Bërnjakut ende kanë barrikada pavarësisht se KFOR-i disa prej tyre i ka zhvendosur, ato janë vënë sërish. Ato i kontrollojnë grupe kriminale të veriut, por me direktiva shtetërore të Beogradit.“

DW: Të hënën në veri të Kosovës siç njoftuan mediet pati një incident diplomatik. Përfaqësues të qeverisë serbe u futën përmes rrugëve të tërthorta dhe qëndruan në veri të Kosovës. Ju deklaruat se ata mund të arrestoheshin. Përse?

Rexhepi: „ Për shkak se ata qëndrojnë ilegalisht në Kosovë, procedura është e qartë. Për çdo zyrtar serb që hyn në Kosovë duhet bërë kërkesa përpara. Kjo kërkesë tani bëhet te përfaqësuesi special i BE-së i cili e përcjell atë tek autoritetet në qeveri dhe ne japim leje ose e refuzojmë. Ata këtë nuk e kanë respektuar dhe kanë hyrë sa herë kanë dashur. Por tani meqenëse KFOR-i nuk i lejon të hyjnë, ata kanë hyrë nëpër rrugë malore dhe kanë qëndrim ilegal, duke inkurajuar edhe njerëzit e tjerë që të kalojnë kështu. Çdo qëndrim ilegal dënohet dhe ata në çdo rast mund të arrestohen dhe të dëbohen në Serbi.“

Siguria e përgjithshme e kufijve kryesisht bëhet nga KFOR-i

DW: Problemi i kufijve veriorë mbetet pra ende i pazgjidhur. Si do të mund të garantohet siguria në këtë zonë, si e shihni daljen nga kjo situatë?

Rexhepi: „Sigurinë e përgjithshme të kufijve me Serbinë e bën kryesisht KFOR-i, dhe ndonjëherë me patrullime të përbashkëta. Ka më shumë fokus në pikën 1 dhe 31, që ato të bëhen funksionale dhe të zbatohet vendimi i qeverisë për reciprocitet, ndërsa ato rrugë anësore në faza të mëvonshme do të bllokohen dhe nuk do të ketë hyrje ilegale të njerëzve, mallrave apo armëve etj.“

DW: Do të thotë kjo se ju do të ndërhyni sërish nëse e shihini të nevojshme?

Rexhepi: “Ne kemi besim të plotë se KFOR-i me angazhimin e tij e ka situatën në kontroll. Përderisa KFOR-i me ndihmën e EULEX-it e mban situatën nën kontroll dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje të policisë, ne do të jemi vetëm në nivel gatishmërie. Por nëse situata e kërkon, ne e kemi detyrim kushtetues dhe ne duhet të jemi në gatishmëri, duke u koordinuar maksimalisht me EULEX-in.”

DW: Zoti ministër ju gjatë aksionit në veri nuk e gëzuat mbështetjen e policisë së EULEX-it. Si e komentoi këtë qëndrim të misonit të BE-së dhe si do të jetë bashkëpunimi i juaj në të ardhmen?

S'kemi kërkuar ndihmë nga EULEX-i, bisedime me Beogradin jo për çështje kufijsh

Rexhepi: „Realisht ne nuk kemi kërkuar mbështetje nga EULEX-i. Ky ka qenë një aksion i qeverisë së Kosovës me kërkesë të kryeministrit, që nëpërmjet meje e kemi zbatuar. Në terren kemi pasur koordinime edhe me KFOR-in, në mënyrë që të ruhet situata e sigurisë dhe të qetësohen njerëzit, jo se ata (KFOR-i) kanë qenë pjesë e aksionit, por jemi koordinuar që mos të biem ndesh me njëri tjetrin. Ndërsa prej EULEX-it ne as nuk kemi kërkuar ndihmë, e aq më pak duke ditur se ata as nuk kanë dashur të implementojnë vendimin e qeverisë për reciprocitetin. Ata kanë lejuar të hyjnë lirshëm kamionët me mallra nga Serbia, prandaj ka qenë e domosdoshme të vendosim kontrollin në pikën 1 dhe 31 dhe vendimi i qeverisë të zbatohet.“

DW: Nga Beogradi dëgjohen deklarata se pala serbe është e interesuar që të gjitha çështet të zgjidhen përmes bisedimeve. Si ish kryeministër i Kosovës si e shihni të ardhmen e procesit të negociatave Prishtinë-Beograd?

Rexhepi: „Absolutisht ne jemi të gatshëm për dialog në kuadër të atij formati që është përcaktuar nga BE dhe SHBA, për temat që kemi rënë dakord dhe jashtë atij formati nuk ka kurrfarë bisedimesh. Çfarëdo çështje që lidhet me punët e brendshme të Kosovës, qoftë kufijtë, qoftë policia apo gjyqësori etj. nuk ka bisedime dhe nuk do të pranojmë. Askush nuk ka të drejtë, qoftë dhe BE, të negociojë me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës.“

Intervistoi: Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Kelmendi