1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bajram Rexhepi: KFOR-i mund të bënte dhe më shumë

Situata e sigurisë në Kosovë është nën kontroll, pohon ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi. Sipas tij, trupat ndërkombëtare kanë arritje, por kanë mundur të bëjnë edhe më shumë në veri.

DW: Zoti ministër, si paraqitet gjendja e sigurisë në Kosovë, në prag të heqjes zyrtare të mbikqyrjes së pavarësisë?

Bajram Rexhepi: Gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë. Nuk ka ndonjë tensionim. Ka disa incidente të vogla por që nuk ndikojnë në gjendjen e përgjithshme të sigurisë. Mbrëmë ka pasur dy shpërthime me granata dore në pjesën veriore. Por, sipas të gjitha gjasave, kjo është bërë mes grupeve të caktuara dhe nuk ka ndonjë viktimë. Ka vetëm dëmtim prone. Ndërsa në Gjakovë janë shënuar një vrasje dhe një plagosje për motive ende të panjohura. Hetimet po vazhdojnë, por gjendja e sigurisë në përgjithësi është në nivel.

DW: A mund të priten përkeqësime në prag të 10 shtatorit?

Bajram Rexhepi:  Jo nuk kemi indikacione të tilla dhe nuk ka ndonjë arsye që gjendja të përkeqësohet. Edhe vetë partnerët e koalicionit nga komuniteti serb do të votojnë në parlament për përfundimin e mbikqyrjes së pavarësisë. Nuk kemi të dhëna se gjendja mund të destabilizohet.

DW: Zoti ministër, komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Drews, këto ditë tha se në veri janë hequr të gjitha barrikadat, përveç asaj mbi lumin Ibër. A do të thotë kjo se është vendosur liria e plotë e lëvizjes në veri të Kosovës?

Bajram Rexhepi: Realisht shumica e barrikadave në veri janë hequr, përveç asaj në urën kryesore mbi lumin Ibër. Lëvizja e lirë tani është më e lehtë për KFOR-in dhe policinë e Kosovës, edhe pse kohë pas kohe ka tubime të njerëzve të cilët përpiqen të pengojnë lëvizjen e lirë. Por tani po shihet një vendosmëri më e madhe e KFOR-it që të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve, që është edhe detyrë e tyre, në përputhje me mandatin që e kanë në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB.

DW: Si e vlerësoni bashkëpunimin aktual mes KFOR-it dhe forcave vendore të sigurisë, sepse kohët e fundit pikërisht Ju keni pasur disa kritika ndaj komandës së trupave ndërkombëtare?

Bajram Rexhepi:  Bashkëpunimi është i mirë. KFOR-i mbetet një ndër institucionet më të respektuara ndërkombëtare në Kosovë. Ata e bëjnë punën e tyre. Por ne  ndonjëherë kemi bërë kritika ndaj gjeneralit Drews, sepse mendojmë se mund të bëhet edhe më tepër për lirinë e lëvizjes. Po ashtu mendojmë se KFOR-i mund të japë një mbështetje më të madhe për EULEX-in dhe policinë e Kosovës në përpjekjet për arrestimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të disa kriminelëve në veri të Kosovës. Këto kanë qenë kritika qëllimmira dhe nuk kanë pasur synim të dëmtojmë imazhin e komandantit Drews apo të  KFOR-it.

DW: Çfarë duhet bërë konkretisht që ky bashkëpunim të jetë edhe më i mirë?

Bajram Rexhepi: Tani do të ndërrohet komandanti i KFOR-it dhe do të vijë një komandant tjetër nga Gjermania. Unë shpresoj se gjenerali Halbauer do të jetë edhe më aktiv se gjenerali Drews, i cili ka bërë punën e tij, por bindja ime është se ka mundur të bëhet edhe më shumë.

DW: Zoti ministër, a ka ende struktura paralele serbe të sigurisë në veri të Kosovës dhe si mund të zgjidhet ky problem?

Bajram Rexhepi: Po, në veri ka struktura ilegale serbe të sigurisë dhe ka struktura paralele politike nëpër komuna. Ato duhet të përfundojnë. Duhet të mbahen zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës dhe OSBE-ja, në mënyrë që të kemi partnerët legalë, me të cilët do të bashkëpunojmë. Këtu nevojitet një presion i shtuar i SHBA-së dhe Bashkimit Evropian ndaj institucioneve të Serbisë, që të mos i financojnë këto struktura dhe të bëjnë shpërbërjen e tyre. Ato i kanë themeluar dhe ato e kanë për obligim t'i shpërbëjnë këto struktura.

DW: A janë në gjendje këto struktura të shkaktojnë incidente serioze në veri të Kosovës?

Bajram Rexhepi: Strukturat ilegale të sigurisë, apo siç e quajnë veten, struktura të mbrojtjes civile, janë organizatorët e incidenteve dhe protestave të dhunshme që ndodhin kohë pas kohe. Ato mund të ndikojnë në tensionimin e gjendjes në veri por jo edhe në tërë Kosovën. Po e përsëris: këto struktura janë organizatorët e demonstratave dhe veprimeve të dhunshme.

DW: Kohët e fundit po flitet shumë edhe për vazhdimin e dialogut. Mendoni se do të ketë një dialog dhe zgjidhje të veçantë për pjesën veriore të Kosovës?

Bajram Rexhepi: Jo, qytetarët e Kosovës dhe institucionet e shohin zgjidhjen për komunitetin serb në veri në pakon e Marti Ahtisarit. Ajo ofron mjaft për komunitetet etnike. Njerëzve u duhet shpjeguar mirë se çfarë përmban kjo pako, sepse një numër i madh i serbëve as që e di përmbajtjen e saj. Ne mund të bëjmë vetëm dialog dhe bisedime për raportet mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Duhet të bisedojmë për bashkëpunimin si dy shtete fqinje, në përputhje me standardet evropiane.