1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bajram Rexhepi: Akuzat për UÇK janë trillime

Në një raport të përgatitur për Këshillin e Evropës, Dick Marty pohon se krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë përzier në krime lufte dhe tregti ilegale me organe njerëzore. Mbi këto pohime flet Bajram Rexhepi:

Hashim Thaç dhe Bajram Rexhepi

Hashim Thaç dhe Bajram Rexhepi

Ministri i policisë kosovare, Bajram Rexhepi hedh poshtë pohimet dhe akuzat e paraqitura në raportin e Dick Marty-t.

"Së pari kjo mund të konsiderohet si trillim imagjinar, sepse nuk ka prezantuar as fakte dhe as burimet e këtyre informatave. Raporti është në koordinim të ngushtë me akuza të ngjashme, që ka bërë edhe shteti i Serbisë. Aq më parë kur dihet edhe qëndrimi antishqiptarit, zotit Dick Marty. Sa i përket "shtëpisë së verdhë", janë bërë 3-4 hetime dhe absolutisht është e palogjikshme që të ketë ndodhë një gjë e tillë. Ajo është një punë e përfunduar, të cilën ai sërish e aktualizon. Sa i përket akuzave për ushtarët e UÇK-së dhe figurat e tanishme politike, këto janë trillime të cilat ose duhet të argumentohen, ose duhet të pasojë një padi kundër atij që bën një raport të tillë, sepse edhe europarlamentarët duhet të jenë përgjegjës për deklaratat e veta."

Policia e Kosovës e gatshme të hetojë

Në raportin e tij, zoti Dick Marty pohon se ka edhe dëshmitarë dhe argumente për këto krime. Ministri Bajram Rexhepi, konteston mundësinë që Marty të ketë gjetur në Kosovë dëshmitarë të besueshëm për këto pohime dhe shtron disa pyetje: "Në çfarë dëshmitarësh bazohen pohimet e tij, në dëshmitarë virtual? A janë këta dëshmitarë nga Serbia? Për çfarë profili dëshmitarësh është fjala, sepse dëshmitarët mund të jenë edhe të rrejshëm dhe të imagjinuar. Ai duhet të ofrojë fakte për pohimet e veta."

Ministri Bajram Rexhepi pohon se policia e Kosovës është e gatshme të hetojë këto pohime në qoftë se dëshmohen si të vërteta. "Absolutisht, policia është e gatshme. Mirëpo ata më tepër i janë drejtuar EULEX-it, i cili poashtu ka bërë të ditur se hetimet mund të bëhen vetëm në bazë të fakteve dhe jo spekulimeve. Ne jemi bashkarisht të gatshëm, institucionet e Kosovës dhe të EULEX-it, që këto pohime të hulumtohen deri në fund. Por e përsëris: në mungesë të provave dhe nëse del se këto janë akuza të pabaza, atëherë edhe ai që bën këtë raport duhet të mendojë se si duhet të përgjigjet, sepse janë akuza shumë të rënda."

Menjëherë pas zgjedhjeve

Raporti i Dick Marty-t është bërë publik vetëm disa ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të zhvilluara me 12 dhjetor. Në këtë raport për krime të rënda akuzohen kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ministri Fatmir Limaj, nënkryetari i parlamentit Xhavit Haliti, Azem Syla, Kadri Veseli e të tjerë. Ministri Rexhepi, i cili edhe vet është një prej udhëheqësve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, pohon se e gjitha kjo ka një sfond politik. "Qëllimi është që Kosovën ta prezantojë si një shtet jofunksional dhe jostabil, t'i barazojë krimet e Serbisë me krimet në Kosovë, të dëmtojë pozicionin e Kosovës në dialogun e ardhshëm, të shkaktojë konfuzion dhe përçarje mes partive politike në Kosovë dhe të krijojë një pasiguri në Kosovë. Të gjitha këto janë të qëllimshme. Ky raport nuk e ka qëllimin të tregojë fakte por t'i shkaktojë Kosovës dëme politike."

Hetimet për krime lufte në Kosovë janë një kompetencë e organeve ndërkombëtare. Hetime janë bërë dhe janë duke u bërë, shpjegon ministri Rexhepi, duke shtuar se policia kosovare është e gatshme të ndihmojë në këtë drejtim. "Natyrisht që është e gatshme të ndihmojë, i ka ndihmuar gjatë arrestimeve të mëparshme dhe ato do të bashkëpunojnë."

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 16.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Qd24
  • Data 16.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Qd24