1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Böttger: Konferenca e Ballkanit e kthen rajonin në axhendën politike gjermane

Intervistë me zëvendësdrejtoreshën e Institutit për Politikën Europiane në Berlin, Dr. Katrin Böttger mbi pritshmëritë nga konferenca e Ballkanit në Berlin e impaktin e saj për procesin e integrimit.

Dr. Katrin Böttger

Dr. Katrin Böttger

Z. Böttger: Pak para ardhjes së kryeministrit Edi Rama në Berlin në konferencën për Ballkanin Perëndimor, revista "Der Spiegel" publikon lajmin se Shërbimi Informativ Gjerman, BND ka përgjuar krahas Turqisë, si vend i NATO-s edhe Shqipërinë. Çfarë efekti mund të ketë një lajm i tillë, kur kujtojmë që Shqipëria përmend gjithmonë miqësinë e fortë me Gjermaninë.

Dr. Böttger: Sigurisht që një lajm i tillë nuk është i favorshëm kur bëhet fjalë për bisedime për thellim të bashkëpunimit dypalësh, apo për të ardhmen e Shqipërisë në BE e Europë. Por nga ana tjetër mendoj se megjithëse ato cilësohen nga shtypi tanimë si spiunazh, për të dyja palët informacione të tilla, ashtu siç e kam kuptuar unë nga bisedat me personat përgjegjës, janë më humë mbledhje e rregullt informacioni për vendet përkatëse, që në thelb janë detyra bazë e çdo lloj shërbimi sekret. Prandaj mendoj se habia nga ana e Shqipërisë nuk do të jetë shumë e madhe, dhe se nuk do të ketë ndonjë ndikim kushedi çfarë në bisedimet e pritshme.

Më 28 gusht takohen krerët e vendeve të ish-Jugosllavisë, Kosovës dhe Shqipërisë në Berlin me kancelaren Angela Merkel. Pse e fton pikërisht tani kancelarja Merkel Ballkanin në Berlin, në një kohë që krizat aktuale duhet ta tejmbushin kalendarin e saj? Si e vlerësoni këtë sinjal?

Dr. Böttger: Mendoj se është një hap i mençur. Situata aktuale e integrimit të vendeve të rajonit në BE është në një fazë të tillë ku vihen re hapa të vegjël suksesi të herëpashershëm, por i gjithë procesi në tërësi është bërë më i vështirë dhe i tejzgjatur, krahasuar me integrimin e vendeve lindore, anëtare të BE-së. Në këtë proces të vështirësuar, Gjermania konsiderohet si ajo që ngre gjithmonë me paralajmërim gishtin lart. Prandaj është një moment i mirë për të treguar se Gjermania megjithëse është këmbëngulëse, apo vë kushte për Kosovën si në rastin e Serbisë për hapjen e negociatave - ajo nuk e ndryshon përcaktimin e saj, dhe nuk e vë në pikëpyetje perspektivën europiane të integrimit të këtyre vendeve, por e mbështet atë.

Kur thoni një moment i mirë, çfarë keni parasysh me këtë...

Dr. Böttger: Mendoj se është një mundësi e mirë për të hequr skepticizmin se Gjermania mund ta frenojë anëtarësimin e këtyre vendeve në BE, apo do që ta vonojë anëtarësimin me argumentet e saj. Gjermania me këtë bën të qartë se ato që kërkon janë të rëndësishme për të strukturuar procesin e anëtarësimit ashtu siç duhet, dhe se që marrëdhëniet mes vendeve, si në rastin e Kosovës me Serbinë, psh. të vendosen mbi një bazë të tillë, që bisedimet e anëtarësimit të konkludojnë me sukses.

Kjo konferencë duket edhe si një vlerësim për atë që ka arritur Ballkani deri më tani...

Dr. Böttger: Mendoj se është një lloj vlerësimi, një etapë e ndërmjetme e procesit, megjithëse anëtarësimi për këto vende nuk është se do të bëhet shpejt, por për të treguar se rruga e deritanishme ka qenë deri tani e gjatë, por e duhura. Gjithashtu është edhe një shenjë për të treguar se sa i rëndësishëm është rajoni për Europën dhe Gjermaninë, pra ai nuk humbet në axhendën politike, në një kohë kur kemi një sërë konfliktesh në botë, Ukraina, Palestina, Siri, Irak. Një rajon që vetëm para disa vitesh ka dalë nga luftërat dhe që ne shpresojmë dhe punojmë që konfliktet politike aty të zgjidhen në mënyrë paqësore, pra ky rajon nuk del jashtë fokusit tonë.

Një vlerësim pozitiv kancelarja Merkel e bëri edhe në takimin e korrikut në Ballkan, ajo vlerësoi dialogun Serbi-Kosovë. Mendoni se del një impuls i ri për dialogun Prishtinë-Beograd nga kjo konferencë?

Dr. Böttger: Mendoj se një konferencë e tillë e nivelit të lartë, si zakonisht konferenca të niveli të tillë që nuk zhvillohen aq shpesh, ofrojnë një mundësi shkëmbimi. Është edhe një shenjë që Gjermania dhe BE ndjekin një politikë pragmatike përsa i përket dialogut. Pra nga njëra anë janë kushtet e qartë që duhen përmbushur për të hapur negociata, nga ana tjetër edhe aftësia për të menaxhuar situata të vështira, kujtojmë që pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur edhe disa vende të BE-së, një politikë që ka para qëllime largpamëse, anëtarësimin e rajonit në BE, por edhe prosperitetin ekonomik dhe stabilitetin politik të këtij rajoni. Pra janë këto procese që duhet të shkojnë përpara, pa kërkuar me detyrim vendime të njohjes së pavarësisë së një vendi, gjë që sigurisht nënkupton që dialogu do të duhet të vazhdojë për mjaft vite.

Konferenca e Berlinit ka ngjallur vëmendje në rajon. Ministri Shqiptar i Ekonomisë, Ahmetaj është shprehur për mediat; se kur fton Gjermania perspektivat duken ndryshe. Mendoni se i përmbush Gjermania gjithë këto pritshmëri në rajon?

Dr. Böttger: Mendoj se pritshmëritë janë të formuluar ashtu si edhe në disa vende të BE-së, kur thuhet se një projekt, iniciativa apo përpjekje për një rajon etj, ka më shumë shanse suksesi kur është e përfshirë në të edhe Gjermania. Kjo konferencë ndodh në një kohë kur nga Gjermania kërkohet më shumë angazhim politik në fushën e jashtme, dhe ky është një moment kur Gjermania si jashtë ashtu edhe brenda BE-së ka një ndikim pozitiv, prandaj me këtë konferencë Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit bëhen më prezente, unë e gjykoj këtë konferencë si shumë të rëndësishme për këto vende

Krerët e qeverive dhe shteteve të rajonit vijnë në Berlin edhe me pritshmëri ekonomike. Në Brdo-Brijuni në takimin me Merkel u fol për projekte infrastrukturore. Sa shanse mund të ketë për një projekte të vërteta të mëdha në këtë drejtim?

Dr. Böttger: Duhet të mos harrojmë se këto vende janë prekur shumë më fort nga ajo që ne e quajmë kriza e borxheve apo kriza e euros, pastaj ndodhën edhe përmbytjet. Prandaj mendoj që konferenca të tilla ku janë shanset të flitet drejtpërdrejt me ekonominë kanë potencial të madh të iniciojnë projekte konkrete, të përmendin interesa të caktuar, apo thjesht të vendosin njëherë kontaktet edhe mes vendeve të rajonit për të përcaktuar qëllime të përbashkëta si në rastin e linjës hekurudhore (München-Lubjana-Beograd). Pra mendoj se kur vendet bëhen bashkë, ka më shumë shanse të mbështetjes nga Gjermania.

Energjia u diskutua në takimin e fundit të krerëve ballkanas me Merkelin, një rreze e re shprese për ekonominë?

Dr. Böttger: Tema e energjisë luan për BE-në dhe Gjermaninë një rol shumë të rëndësishëm, po të kemi parasysh gjendjen aktuale në marrëdhëniet me Rusinë dhe furnizimin me energji. Mendoj se me unionin e përbashkët energjitik janë hedhur hapat e parë, prandaj kjo temë ka për t'u diskutuar me një mirëkuptim të ri të palëve në kuadër të gjendjes aktuale, kur vërtet po kërkohen alternativa të reja të furnizimit me energji. Prandaj mund ta përfytyroj shumë mirë se interesat apo shqetësimet e ndryshme të vendeve të Ballkanit do të kenë më shumë vëmendjen gjermane në këtë rast.

Mund të hapë një konferencë e tillë një epokë të re bashkëpunimi ekonomik, apo kjo do të ishte shumë optimiste...

Dr. Böttger: Ajo që mund të thuhet me siguri është se po kalon ajo fazë që e kemi prej disa vitesh, kur Ballkani dhe Shqipëria ranë poshtë në listën e prioriteteve në Gjermani. Kjo konferencë e kthen Ballkanin në axhendën politike në renditjen e sipërme si në Europë ashtu edhe në Ballkan. Prandaj kjo sigurisht do të ketë efektet e veta në aspektin ekonomik.

Kancelarja Merkel ka bërë të qartë se pa reforma në drejtësi e luftë kundër korrupsionit procesi i integrimit nuk ecën përpara. Sa efekt kanë konferenca të tilla për t'u dhënë një shtytje përpara procesit të reformave në sistemin e drejtësisë në këto vende?

Dr. Böttger: Kërkesat apo deklaratat e Merkelit ua bëjnë të qartë këtyre vendeve se ndaj një problemi të tillë duhet vepruar. Por mendoj se kombinimi i paralajmërimit politik nga niveli më i lartë, dhe nga ana tjetër asistencë teknike nga BE për implementimin e reformave, është çelësi që do të sjellë suksesin. Por vendimtar është vullneti i vendit për të realizuar reformat, si edhe vetëdija për efektet pozitive që do të sjellin këto reforma për të gjithë - kur të bëhet kjo, reformat do të kryhen dhe do të kenë vërtet sukses.