1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Azilkërkuesit në Serbi - Ku humbi humanizmi?

Gjithnjë e më shumë azilkërkues nga Siria po vijnë drejt Serbisë. Por atje ata nuk janë të mirëseardhur. Në radhët e popullsisë po shtohet rezistenca kundër azilkërkuesve.

Në fund të nëntorit ra dëbora e parë për këtë vit në Serbi. Dëbora i gëzoi shumë fëmijët, ndërsa nga ana tjetër u shkaktoi telashe shoferëve të automjeteve dhe i hapi mjaft punë shërbimit për pastrimin e rrugëve. Ndërkohë që dëbora u shndërrua në tmerr për azilkërkuesit, të cilëve ende nuk u është garantuar një vendstrehimi. Qindra syresh iu është dashur ta kalojnë natën jashtë. "Ne kemi ardhur me rroba vere këtu dhe na u desh të qëndrojmë në këtë mot të ftohtë jashtë në pyll", i tregon 17-vjeçari Kamran Ali nga Pakistani gazetës bulevardeske të Beogradit "Korrieri". Një gjë të tillë ai nuk e kishte parashikuar - por ai as nuk e kishte menduar që vendasit në shumë komuna do të protestonin kundër ndërtimit të qendrave për azilkërkues në zonat e tyre. "Ne kemi marrë arratinë prej luftës, por edhe këtu njerëzit po na keqtrajtojnë", shpjegon Aliu. "Çfarë kemi bërë ne gabim?"

Ndërkohë në Serbi qëndrojnë rreth 500 Azilkërkues, shumica e tyre vijnë nga Siria, Somalia, Eritrea, Afganistani dhe Pakistani. Komisariati serb për Refugjatët ia doli javën e shkuar që t'i strehojë të gjithë refugjatët në kampe azilkërkuesish dhe në vendstrehime emergjence. "Qeveria u angazhua me shumë vonesë", kritikon Radosh Duroviç nga Qendra e Ndihmës për Azilkërkuesit, një OJQ serbe. Fillimi i dimrit nuk ishte befasi për shtetin, thotë për DW Duroviç. "Problemi me mungesën e kapaciteteve është kronik. Ndryshe nga vendet fqinjë, Serbia nuk ka ndërtuar kampe shtesë për azilkërkuesit. Shteti në sfondin e krizës duhej të kishte reaguar më parë", thekson ai.

Nxitja e paragjykime

Qeveria në Beograd po tregohet e paaftë edhe në qëndrimin e saj ndaj protestave të dhunshme, që drejtohen kundër arilkërkuesve. Në fund të nëntorit në fshatin Skela, në afërsi të Beogradit iu vu zjarri një vendstrehimi emergjence për refugjatët, pasi demonstruesit penguan strehimin në të të 70 azilkërkuesve duke vendosur barrikada në rrugë. "Nuk do të ishte zgjidhje, nëse trupa të përforcuara të policisë do t'i kishin dhënë fund me dhunë kësaj proteste", mendon Jelena Mariç nga Komisariati për Refugjatët. "Një demonstrim i pushtetit nuk mund të ndryshojë asgjë në qëndrimin e qytetarëve ndaj azilkërkuesve. Refugjatët në çdo rast përballen me armiqësinë ndaj tyre", thotë për DW Mariç. Prej vitesh Komisariati për Refugjatët përpiqet ta përdorë për azilkërkuesit një kazermë të braktisur në afërsi të qytezës Mladenovac - por për shkak të protetstave deri më sot nuk ia ka arritur qëllimit.

Aktivisti Duroviç kritikon në radhë të parë politikanët lokalë në rajonet, ku ekzistojnë qendrat për azilkërkuesit ose atje ku synohet të ndërtohen ato. Me populizëm banal ata përpiqen të fitojnë pikë politike, vë në dukje ai duke shtuar, se "disa kryebashkiakë tregojnë, që të huajt përhapin epidemi, përdhunojnë gra dhe në aspektin demlografik do t'u marrin frymën serbëve. Kuptohet që këto mesazhe janë të gabuara dhe përmbajnë nota të forta ksenofobie. Ndërsa shteti hesht", shprehet i indinjuar Duroviç dhe sheh që në këtë mënyrë po ushqehen paragjykimet në radhët e popullsisë serbe.

Frikë e paargumentuar

Problematika e refugjatëve në Serbi është e njohur. Pas luftës civile, që e përçau ish-Jugosllavinë, rreth 200.000 serbë u arratisën nga Kroacia. Eshtë për të të ardhur keq, sipas Duroviç, që pikërisht shumë ish-refugjatë serbë tani i nxisin protestat kundër azilkërkuesve. Duroviç: "Serbët e dëbuar asokohe strehoheshin në të njëjtat godina, ku sot strehohen sirianët apo afganët. Unë kam pyetur disa demonstrues, se përse ata tregohen kaq burracakë? Por s'kam marrë përgjigje prej tyre. Gjendja ekonomike në Serbi është mjaft e keqe, aq sa qytetarët e kanë harruar humanizmin dhe solidaritetin."

Demonstruesit e justifikojnë protestën e tyre me frikën ndaj kriminalitetit, duke thënë, se ata janë qytetarët "të shqetësuar", por jo racistë, të cilët nuk duan t'i pranojnë të huajt si fqinjë të tyre. Të intervistuarit nga DW theksojnë, se në Serbi ka gjithsej më pak se dhjetë kallëzime penale ndaj të huajve, shumica e kallëzimeve janë për vjedhje. Nga ana tjetër policia përndjek qindra serbë, të cilët kanë kryer sulme ndaj azilkërkuesve. "Refugjatët sulmohen dhe rrihen", thotë Jelena Mariç. "Madje ka grupe të organizuara, që plaçkisin të huajt, sepse ata e dinë, që azilkërkuesit marrin para prej të afërmve të tyre për të vazdhuar udhëtimin drejt Europës Perëndimore."

Në fakt shumë azilkërkues e vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Perëndimit vetëm pak ditë ose javë pas qëndrimit në Serbi. Ndonëse sivjet mbi 4000 vetë kanë paraqitur kërkesë për azil në Serbi, shumica e tyre kanë vazhduar udhëtimin - pa pritur që të marrin përgjigje për kërkesën e paraqitur në Serbi. Në Serbi ata kanë liri absolute lëvizjeje dhe e shfrytëzojnë këtë duke udhëtuar fillimisht drejt Hungarisë me destinacion final Gjermaninë apo vendet e Skandinavisë. Asnjë refugjat nuk do të qëndrojë në Serbi.