1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Azilkërkuesit në Greqi kërkojnë zgjidhje

Rreth 300 emigrantë klandestinë që të dielën në mëngjes kanë zaptuar Fakultetin Juridik në qendër të Athinës dhe kanë hyrë në grevë urie.

default

Nga zona e grevës në Athinë.

Është mesditë e së martës dhe në derën e Fakultetit Juridik të Athinës, në rrugën Solonos një banderolë informon kalimtarët e rrugës më të zhurmshme të Athinës për grevën e urisë të 300 imigrantëve afrikano-aziatikë. Në krahun përbri të fakultetit, ku dhe sot nuk mungonin tregtarët ambulantë, janë ngritur dy çadra, ku përfaqësues të grevistëve por edhe të Nismës së Solidaritetit ndaj grevistëve të forcave të majta dhe antiraciste greke kontaktojnë me gazetarët dhe informojnë për kërkesat e një greve, që ka elektrizuar klimën politike dhe ka dyzuar opinionin grek.

Përfaqësuesi i Lëvizjes së Solidaritetit më Imigrantët, Thanasis Kurkullas.

Përfaqësuesi i Lëvizjes së Solidaritetit më Imigrantët, Thanasis Kurkullas.

“Nuk do të ndërpritet greva deri sa të na japin leje qëndrimi. Në qoftë se nuk do të na e japin këtu do të vdesim të gjithë”, - thotë përfaqësuesi i grupit më të madh të grevistëve marokenë, Abdeloloihab Leghouiti, i rrethuar nga një grup marokenësh të tjerë që kanë ardhur për të shprehur solidaritetin e tyre.

“Duhet të flasim. Nuk janë vetëm këta 300 por janë 241.000 njerëz nga të gjitha vendet. Ne letra do të marrim, kurse Greqia para për sigurimet shoqërore, duam dhe ne të kemi mundësinë të hapin një dyqan”, - vazhdon Legxhouiti i qetë dhe me një farë habie “pse nuk kuptohet kërkesa e tyre e ligjshme”.

Grevistët janë të ardhur që të gjithë me anije nga Kreta dhe janë vendosur në mjediset e Fakultetit Juridik, ku i ndalohet policisë të ndërhyjë pasi është në fuqi statusi i azilit të fituar që në vitin 1974, me rënien e juntës fashiste. Rreth kësaj çështjeje shpërtheu një debat i madh ku kritikohet ashpër si autore e ngjarjes partia e majtë Siriza, aktivistë të së cilës e pranojnë se zaptimi është bërë me ndihmën e tyre dhe kërkojnë t'i jepet zgjidhje problemit të imigracionit.

Griechenland Demonstration in Athen für Immigranten

Imigranti Abdeloihab Leghouiti nga Maroku.

“Kërkesat e tyre janë legalizimi i emigrantëve që luftojnë pa letra, pa zë dhe të drejta në Greqi dhe bien viktima të një shfrytëzimi maksimal. Janë kërkesa të drejta dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me ata por me gjithë shoqërinë greke, sepse legalizimi i tyre do të thotë para për arkat e sigurimeve shoqërore, fund arbitraritetit dhe evaziont fiskal...”, - thotë Thanasis Kurkullas, përfaqësuesi i Nismës së Solidaritetit që i përgjigjet njëkohësisht dhe akuzave që i bëhen nga qeveria për manipulim partiak të problemit të imigracionit.

“Çdo britmë se po shkelet demokracia, që në fakt shkelet, se shkelet azili, që në akt po shkelet, është hipokrizi” shton Kurkullas, i cili kërkon nga qeveria një nismë për “zgjidhjen jo vetëm të problemit të 300 grevistëve por të gjithë emigrantëve”.

Qeveria në fakt u vu në pozitë të vështirë, jo vetëm për atë që i faturon e djatha nacionaliste se “e kthen vendin në han me dy porta” dhe se “gjunjëzohet dhe para klandestinëve përderisa nuk i jep fund grevës së urisë”, por edhe për një arsye më të thellë se e majta po i merr iniciativën në fushën e migracionit.

Që ditën e parë kryeministri Papandreu i dha porosi ministrit të Mbrojtjes së Qytetarit, që të mbrohet ligji.

“Zaptimi i një institucioni arsimor dhe kthimi i tij në kamp për refugjatët është tej çdo caku tolerance”, - kishte deklaruar më parë ministrja e Arsimit Ana Dhjamantopullu.

Zaptimi i universitetit e ndërlikon dhe gati e përjashton një ndërhyrje të policisë kur rektorati refuzon të kërkojë heqjen e azilit për institucionin.

Shpresoj të mos bëhet kjo (ndërhyrja e policisë) por ne do të jemi të gjithë së bashku këtu, gjithë komuniteti shqiptar shpresoj të jetë këtu prezent. Kemi krijuar grupe që ndihmojnë nga ana praktike edhe ekonomike”, - thotë Edvin Bodari, i diplomuar në këtë fakultet dhe tani aktivist në mbrojtje të emigrantëve.

“Probleme Greqia ka shumë dhe një nga problemet është edhe ai i emigracionit dhe duhet t shohim se si do ta zgjidhim”, - shton Bodari. Ai rikujton dhe problemin e bashkatdhetarëve të tij që “kriza po i çlegalizon”.

Të dyzuar nuk janë vetëm politikanët dhe opinioni, po edhe vetë studentet në varësi të orientimeve të tyre politike.

“Natyrisht kërkoj heqjen e azilit”, - thotë përfaqësuesja e rinisë studentore të Neodemokracisë, Lia Konstandopullu.

“Nuk ekziston asnjë e drejtë, që të zaptohet një universitet publik nga njerëz që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vend, të pengojnë të drejtën time të hyj në shkollën time dhe të rrezikohet edhe sezoni i provimeve nga arbitrariteti i këtyre njerëzve dhe nga arbitrariteti i shtetit që me pretekstin e mosshkeljes së azilit nuk hyn brenda që të nxjerrë jashtë gjithë këta njerëz që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme”.

Zgjidhja në këto kushte ngjan edhe më e vështirë për qeverinë, pasi zaptimi i Fakultetit Juridik nga grevistët e ka vënë atë në një pozitë gati pa zgjidhje.

Autor: Niko Anagosti / Athinë

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 26.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/105br
  • Data 26.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/105br