1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Azil për Snowdenin në Gjermani?

Edward Snowdeni ka lënë të kuptohet se është i gatshëm që ta pyesin në Gjermani për aferën e NSA-së. Po a do të ishte e mundur juridikisht kjo? Disa politikanë në Gjermani kërkojnë tani që Snowdenit t'i jepet azil.

Krahas familjes dhe shokëve atij i mungojnë edhe gjërat e vogla të jetës, bëri të ditur Edward Snowdeni. Llojin e tij të preferuar të patatinave "tortilla" ai nuk e ka gjetur në Rusi. Sipas gazetës Süddeutsche Zeitung këto Snowdeni ia tregoi gazetarit John Goetz, të cilin Snowdeni e takoi të enjten që shkoi (31.10.13) në Rusi. Krahas preferencave të tij të ushqimit, Snowdeni foli edhe për një temë tjetër, e cila me siguri ka qenë më interesante për vizitorët nga Gjermania: ai u tregua në parim i gatshëm që të flasë në Gjermani para një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me aferën e NSA-së. Kjo del edhe nga një deklaratë me shkrim, që ai ia dha me vete Ströbeles.

Ajo që një javë më parë dukej në rastin më të mirë, teorike, tani po merr trajta konkrete: një dëshmi e Snowdenit në Gjermani. Megjithatë, atij në një rast të tillë do t'i duhej ta humbiste statusin e azilantit në Rusi dhe kur të kthehej në Rusi do t'i duhej të paraqiste edhe njëherë lutje për azil. Prandaj për shumë politikanë, rrjedhoja është vetëm një: Snowdeni duhet të marrë azil politik në Gjermani.

A përndiqet politikisht Snowdeni?

Për këtë duhet anashkaluar marrëveshja e dorëzimit, e cila ekziston midis SHBA dhe shteteve të BE. Sipas Shërbimit Shkencor të Bundestagut, kjo do të ishte e mundur vetëm atëherë, kur dikush ka kryer një "vepër penale me karakter politik" - gjë që mund të pohohet në rastin e Snowdenit. Zëvendëspresidentja e Bundestagut, Claudia Roth i tha radios kombëtare gjermane, Deutschlandfunk: "Për ne do të ishte një sinjal i mirë, po të ishte e mundur që Edward Snowdeni të vinte lirisht në Gjermani, po të pranohej këtu, po të ishte dëshmitar këtu." Në numrin aktual të revistës "Der Spiegel", 50 persona të shquar të jetës publike në Gjermani shprehen pro dëshmisë së Snowdenit në Gjermani - midis tyre janë edhe ish-sekretari i përgjithshëm i CDU, Heiner Geißler dhe aktori Daniel Brühl.

Ströbele me mesazhin e Snowdenit në konferencë shtypi në Gjermani

Ströbele me mesazhin e Snowdenit në konferencë shtypi në Gjermani

Kryetari i partisë E Majta, Bernd Riexinger kërkon që në shkëmbim të dëshmisë, Snowdenit t'i jepet azil politik në Gjermani: "Mendoj se Snowdeni ka kontribuar më tepër për sqarimin e punëve se çdo shërbim i fshehtë." Po të kishte qenë kinez ose rus, Snowdeni "do të kish marrë prej kohësh azil politik", i tha Riexinger ZDF-së.

Kremlini bëri të ditur të shtunën se Snowdeni është i lirë të takojë kë të dojë në Rusi. Edhe pyetja e tij nga Prokurori i Përgjithshëm gjerman do të ishte e mundur, pas një kërkese për ndihmë juridike. Teorikisht Snowdenin madje mund ta pyesin edhe përmes lidhjes me video, siç i bëri të ditur Ministria e Brendshme Gjermane agjencisë së lajmeve Reuters.