1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Azia Lindore po armatoset - Nëndetëse ruse për Vietnamin

Vendet e Azisë Lindore po shtojnë armatimin e forcave të tyre detare, por mes tyre nuk ka traktate për sigurinë dhe rregullat e sjelljes.

Sapo filloi viti i ri, në portin Cam Ranh në Vietnam arriti e para nga gjashtë nëndetëset ruse, e cila mban emrin "Hanoi". Shtypi dhe qeveria e Vietnamit po shprehen me tone mjaft entuziaste për nëndetësen e parë dhe sipas Carlyle A. Thayer ekspert australian për Vietnamin kjo shënon "një hap fort të madh përpara për aftësinë mbrojtëse të Vietnamit." Sipas Carlyle A. Thayer "ushtria vietnameze tani mund të veprojë në katër dimensione: në tokë, në det, në ajër dhe në ujë."

Vietnami është kështu bashkë me Indonezinë, Singaporin dhe Malajzinë ndër kombet e Azisë Juglindore që kanë nëndetëse. Megjithatë deri sa nëndetëset të vihen në përdorim efektiv do të kalojë ende një farë kohe, mendon Thayer, sepse Vitnamit i mungon ende planifikimi strategjik i përgjithshëm, marinarët dhe njohuritë teknike. "Mbështetja teknike nga Rusia do të jetë e nevojshme për të paktën dhjetë vjet - nëse jo më gjatë" - thotë Thayer .

Prirje e qartë

Vietnami ndjek me blerjen e nëndetëseve një prirje të përgjithshme në rajon. Aeroplanmbajtësi i parë kinez ka filluar që nga shtatori 2012 të lundrojë nëpër Detin e Kinës Lindore, Japonia njoftoi se deri në vitin 2015 do të hedhë në shërbim një helikoptermbajtës. "Në të gjithë rajonin e Azi-Paqësorit vihen re masa për armatimin dhe modernizimin e ushtrisë." Ky është rezultati i studimit të një grupi ekspertësh të Fondacionit Korber në nëntor 2013.

Arsyet për përshkallëzimin dhe armatimin ekspertët i shohin tek suksesi ekonomik i vendeve të Azisë Lindore. "Nga njëra anë po rritet interesi i shteteve bregdetare të kësaj zone për gjetjen dhe shfrytëzimin e burimeve të reja të lëndëve të para. Së dyti po rritet diapazoni për të rritur shpenzimet për mbrojtjen." Ka vite që shtetet që lagen nga Deti i Kinës Lindore dhe Jugore kanë mosmarrëveshje dhe ngrenë pretendime për ishuj dhe arqipelagë, sepse mendojnë se rreth tyre ka burime lëndësh të para dhe rezerva peshkimi ose sepse ato kanë rëndësi strategjike.

Efekt ndaj politikës së brendshme

Eksperti për Azinë Gerhard Will nga Fondacioni Shkencë dhe Politikë e sheh armatimin dhe modernizimin e forcave detare me skepticizëm. Republika Popullore e Kinës ka rreth 60 nëndetëse dhe me dy deri në gjashtë nëndetëse që kanë Vietnami, Malajzia, Singapori dhe Indonezia nuk mund të përbëjnë seriozisht një kundërpeshë ushtarake. Vietnami vetëm se mund të shkaktojë rritjen e shpenzimeve në rast të ndonjë konfrontimi ushtarak mendon ekspert australian i sigurisë Thayer.

Sipas Will blerja e nëndetëseve shërben si demonstrim i forcës brenda vendit. Për këtë dëshmon edhe raportimi që po bëhet në mediat vietnameze. Partia Komuniste e Vietnamit, e cila ka vite që gjendet në një krizë ligjitimimi, do që me blerjen e nëndetëseve të demonstrojë se i mbron interesat e vendit me të gjitha mjetet.

Rrezik i lartë

Will mendon se strategjia e armatimit ushtarak është e rrezikshme për sa kohë nuk ka një kuadër për arkitekturën strategjike dhe secili mundohet të demonstrojë sa më tepër fuqi ushtarake. E domosdoshme është sipas tij një marrëveshje si ajo mes SHBA dhe Bashikimit Sovjetik në kohën e Luftës së Ftohtë, sepse "territori detar për të cilin bëhet fjalë është edhe më i vogël se asokohe kur qe fjala për oqeanin Atlantik dhe atë Paqësor."

Vendet e ASEAN-it nuk kanë në plan një gjë të tillë, edhe pse kjo organizatë e synon të jetë edhe një organizatë kooperimi në fushën e sigurisë. Po ashtu vendet e Azisë Lindore nuk kanë ndonjë kod sjelljeje që rregullon çështjet e sovranitetit mbi ujërat, rrugët detare dhe zonat e peshkimit dhe të shpimeve në det.