1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Azia dhe Europa takohen në Milano

Të enjten fillon në Milano samiti ASEM - një takimi Azi-Europë, ku merr pjesë veç kancelares Merkel e presidentit francez, edhe presidenti ukrainas Poroshenko si edhe presidenti rus, Putin. Çfarë pritet nga ky samit?

"Milano do të jetë një urë mes Europës dhe Azisë" shkruan gazeta majlandeze "Corriere della Sera" para samitit të rëndësishëm: 53 krerë shtetesh e qeverish nga Azia dhe Europa janë të ftuar, me rreth 2000 delegatë. Së bashku vendet e ASEM që përshkojnë harkun Rusi - Azi deri në Australi përbëjnë 60% të popullsisë së botës. "Dy ditë bota do të vështrojë nga ne", shkruan gazeta e njohur italiane.

Vërtet interesi i mediave është shumë i madh. Kjo sepse në Milano do të takohen këtë enjte presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe ai rus, Vladimir Putin. Jo në samitin e ASEM, por në një hotel me pesë yje pritet të takohen dy presidentit për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme paqeje në Ukrainën lindore, për të diskutuar mbi tërheqjen e trupave ruse nga kufiri ukrainas dhe furnizimin me gaz.

Takimi i fundit Merkel-Putin në korrik

Takimi i fundit Merkel-Putin në korrik

Ukraina nuk është anëtare e ASEM e Poroshenko udhëton qëllimisht për këtë takim. Në kuadër të samitit në qytetin verior italian pritet edhe një takim mes kancelares Merkel dhe presidentit Putin për të diskutuar gjendjen në Ukrainë, takimi i parë ky nga korriku i këtij viti.

Bashkëpunim më i madh në ekonomi e financa, si edhe vlefshmëria e së drejtës ndërkombëtare në kuadër të protestave në Hong Kong do të jenë temë debati në Milano. Por për shkak të rezikut në rritje të epidemisë së ebolas, pritet që të luajë rol të rëndësishëm në këto bisedime edhe luftimi e masat kundër epidemisë. Krahas kancelares Merkel e presidentit francez, Hollande, në samit vjen edhe presidenti Putin e kreu i qeverisë kineze, Li Keqiang.

Herman Van Rompuy

Herman Van Rompuy

Vetëm një klub debatimi?

Takimi aziatiko-europian ku bëhet fjalë për një partneritet të përgjegjshëm për rritjen ekoniomike dhe zhvillimin shpesh nuk zë titujt kryesorë. Eksperti i ASEM, David Fouquet nga "Instituti Europian për Studime Aziatike" e shikon me skepticizëm takimin: "Në përgjithësi mund të thuash se aziatikët duan përparime konkrete në drejtim të çështjeve sociale dhe ekonomike si edhe të bashkëpunimit. Europianët preferojnë më shumë ta trajtojnë këtë si një forum diskutimi" analizon Fouquet takimin e pritshëm. Shumë vende e shohin këtë forum si mundësi për të forcuar lidhjet bilaterale. Kina për shembull ka shumë interes të thellojë marrëdhëniet me BE, është shprehur ambasadorja e Kinës në Bruksel, Yang Yangi. Kryeministri kinez, Li Keqiang, sipas analizës së "Institutit Europian për Studime Aziatike", ka shpresa tek kreu i ri Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i cili shihet si më shumë pro Kinës në Pekin.

Ndërsa presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy pret impulse pozitive në Milano në drejtim të mbrojtjes së klimës. "Ne do të përpiqemi që të formësojmë një konsensus ndërkombëtar, i cili mund të çojë në një plan ambicioz për reduktimin e emetimit të gazrave ndotës në të gjithë botën" shprehet Van Rompuy, para takimit. Kina ka penguar deri më tani projekte ambicioze për ruajtjen e klimës.