1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Azem Vllasi: "Politika e Millosheviqi ishte e çmendur"

Intervistë me Azem Vllasin, lidhur me 20 vjetorin e fjalimit të Sllobodan Millosheviqit (28. qershor 1989) në Gazimestan.

default

Millosheviqi: Sa ka mbetur na politika e tij?

Zoti Vllasi, cilat janë pasojat e fjalimit të Sllobodan Millosheviqit në 600 vjetorin e Vidovdanit në Gazimestan, para 20 vitesh?

Vllasi: Pasojat e politikës së Millosheviqit dhe fjalimit të tij para 20 vitesh, që ishte një paralajmërim i tragjedive që ndodhën më vonë, hetohen edhe sot e kësaj dite. Në Serbi, në esencë , nuk ka ndryshuar gati asgjë nga politika e Millosheviqit ndaj popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë, e posaçërisht ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Kanë ndryshuar vetëm rrethanat sepse Serbia më nuk është në gjendje të luftojë kundër askujt. Ndërsa pasojat për shtetet që kanë dalë nga hapsirat e ish-Jugosllavisë shihen në faktin se ato të gjitha përjetuan një shkatërrim apo stagnim dhe akoma po presin në rend për integrim në BE, përveç Sllovenisë. Politika e atëhershme e Millosheviqit ishte një politikë e çmendur. Por ajo politikë nuk mund të identifikohet vetëm me emrin e Millosheviqit. Ai doli vetëm si menaxher i shkathë t i një politike të mbrapsht, e cila ishte politika ma shkatërruese dhe luftënxitëse pas Luftës së Dytë Botërore.

Po kush qëndron pas kësaj politike të "mbrapsht dhe luftënxitëse", si ç thoni ju?

Vllasi: Serbia në atë kohë kishte ambicie që Jug o sllavia, e cila me K ushtetutën e vitit 1974 , ishte më shumë konferederatë se sa federatë, të shkatërrohet dhe që rrota e historisë të kthehet mbrapa. Të shndërrohet në një "Serbi të Madhe" dhe të kthehet dominimi serb, si në kohën e Rankoviqit. Edhe pse nga Unioni Evropian atëherë vinin sinjale të forta se duhet të ruhet Jugosllavia dhe duhet të plotësohen disa standarde për t'u kyçur në integrimet evropiane, Millosheviqi dhe politika e cila atë e nxori në sipërfaqe si lider, dëshironte vetëm zgjërimin e Serbisë, grabitjen e territoreve apo shndërrimin e Jugosllavisë në "Serbosllavi". Shihej qartë se ajo politikë nuk ka përspektivë tjetër përveç të na futë të gjithëve në luftë, sikur që edhe ndodhi më vonë. Ai në Gazimestan e tuboi edhe kreun e atëhershëm jugosllav, për ta festuar para tyre atë që tre muaj më parë e bëri me dhunë në Kosovë dhe për t'i paralajmëruar se nëse nuk e i nënshtrohen diktatit të tij politik për rikthimin e dominimit serb - do të ketë luftë.

Domethënë fjalimi i Millosheviqit me rastin e 600 vjetorit të betejës së Fushë Kosovës, i mbajtur para 20 vitesh, mund të kuptohet edhe si një lloj paralajmërimi për fillimin e shpejtë të luftës së përgjakshme, në fillim të viteve 90-të...

Milosevic

Millosheviqi ishte ekzekutor i një politike të mbrapsht...

Vllasi: Praktikisht po, sepse të gjithë të tjerët, më përjashtim deri diku të sllovenëve, gati që në mënyrë të heshtur u pajtuan me okupimin e Kosovës nga ana e Serbisë dhe shkeljen e dhunshme të Kushtetutës së Kosovës. Kushtetuta e Jugosllavisë ishte e balancuar ashtu që, po ta heqësh një gur nga themelet e saj ajo shkatërrohej. Pozita kushtetuese e Kosovës dhe Vojvodinës ishte një gurthemel i rëndësishëm, ndonëse dikush mendonte i vogël. Të tjerët menduan se Millosheviqi do të knaqet me aq dhe nuk do të vazhdojë politikën e tij të çmendur ndaj të tjerëve. Gabimi i të tjerëve ishte që e nënçmuan këtë politikë dhe nuk e kuptuan me kohë, e ai mendoi se me të vërtetë mund t'i realizojë qëllimet e veta të cilat i nisi me pushtimin e Kosovës.

Ju e thatë se qëllimi bashkësisë ndërkombëtare ishte ruajtja e Jugosllavisë dhe në një farë mënyre transformimi i saj. A mendoni se Jugosllavia do ta mbijetonte pa Millosheviqin, apo forcat nacionaliste në republikat tjera ishin forcuar aq shumë, sa që Jugosllavia do të shkatërrohej edhe pa Millosheviqin?

Vllasi: Unë nuk besoj se do të ruhej Jugosllavia në atë formë që ishte. Transformimet demokratike gjithsesi do të vinin e ndoshta edhe shpërbërja e Jugosllavisë. Do të ndodhte një transformim goxha radikal i Jugosllavisë, por në kuadër të procesit të integrimeve në Evropë dhe jo ashtu në mënyrë të përgjakshme siç ndodhi. Politika e Millosheviqit dhe regjimit të tij nuk ishte vetëm shkaktare e shkatërrimit të Jugosllavisë, por ishte para së gjithash shkaktare e tragjedive që ndodhën dhe e shkatërrimit të saj të përgjakshëm. Pa Millosheviqin do të flitej për shpërbërjen e Jugosllavisë, e jo për shkatërrim të përgjakshëm.

Zoti Vllasi, edhe ju e thatë atë që dëgjohet shpesh në Prishtinë, se nuk ka ndryshuar shumë politika e Serbisë ndaj Kosovës. Ndërkohë që në Beograd thuhet se kjo politikë ka ndryshuar, sepse politika e Serbisë sot nuk e ka për bazë luftën, si në kohën e Millosheviqit. Mendoni se është i mundur normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sot 20 vjet pas ngjarjeve të Gazimestanit?

Vllasi: Normalizimi është i mundur dhe i duhur. Në Serbi krerët e tanishëm politik dhe shtetëror flasin se nuk janë për luftë dhe nuk do të luftojnë. Natyrisht që nuk do të luftojnë sepse kanë ndryshuar rrethanat dhe Serbia më nuk ka mundësi të luftojë. Por kokëfortësia e saj dhe angazhimi kaq i madh për ta penguar afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, flet për synimin e Serbisë që ta mbajë një gjendje të tendosur në lidhje me Kosovën, duke llogaritur se një ditë do të ndryshojnë rrethanat. Qëllimi i Serbisë është që të mos mbetet si fakt pranimi i shtetit kosovar dhe noramlizimi i raporteve me Kosovën.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 27.06.2009
  • Autor Bahri Cani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IcKu
  • Data 27.06.2009
  • Autor Bahri Cani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IcKu