1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Axt: "Papandreu nuk mund të distancohet nga kursi i reformës"

Tri vjet pas dorëheqjes si kryeministër i Greqisë, Jorgos Papandreu rikthehet në skenën politike. Atje ai do ta ketë të vështirë, thotë eksperti i Evropës Juglindore, Heinz-Jürgen Axt në intervistë me DW.

Deutsche Welle: Zoti Axt, tri javë para zgjedhjeve parlamentare, ish-kryeministri Jorgos Papandreu themeloi me "Lëvizjen e Demokratëve (dhe) Socialistëve" një parti të re. A duhet të frikësohen konkurentët politikë?

Hans-Jürgen Axt: Po të shikosh gjendjen aktuale të partisë së deritashme të Papandreut, Lëvizjes Socialiste Panhelenike (Pasok), duhet të thuash: kjo parti në fakt nuk ka pse të ketë frikë, sepse Pasoku ka përjetuar tashmë një humbje të jashtëzakonshme besimi te zgjedhësit. Nga gati 50 përqind të votave në vitet 1980, kjo parti ka rënë në afërsisht shtatë përqind të votave zgjedhjet e fundit. Kjo rënie është kaq masive, sa Papandreu mund të trashëgojë diçka vetëm nga pjesë e vogël.

Pasokun e themeloi babai i Papandreut, Andreas. A ndodhen socialistët para një prove vendimtare?

Kjo provë tashmë ka ndodhur. Ka pasur herë pas here informacione se Jorgos Papandreu nuk është dakord me kursin e kryetarit aktual të Pasokut, Evangelos Venizellos. Venizellos e quajti "ngjarje të trishtuar" këtë hap.

Heinz-Jürgen Axt

Profesor Heinz-Jürgen Axt, zëvendëspresident i Shoqatës për Evropën Juglindore

Po Papandreu nuk do ta hedhë vështrimin vetëm te zgjedhësit e Pasokut, por edhe tek Lëvizja Syriza e Alexis Tsipras, e cila në bazë të anketave aktuale mund t'i fitojë zgjedhjet.

Në historinë më të re të Pasokut, veçanërisht Andreas Papandreu ka ditur shumë mirë që të japë sinjale majtas dhe që t'i bëjë për vete disa nga radikalët e majtë, për të mbetur pastaj sërish në një kurs të moderuar qendror.

Po Jorgo Papandreu do ta ketë këtë shumë më të vështirë se i ati. Sepse nga njëra anë Syriza është konsoliduar sipas sondazheve të fundit. Dhe nga ana tjetër, një person si Andreas Papandreu nuk është dikush që mund të dalë para zgjedhësve dhe t'u premtojë gjithçka atyre. Sepse ai ishte kryeministër kur u bë e njohur katastrofa e politikës greke të borxheve në vitin 2009. Dhe e mbështeti në atë kohë kursin, që ndjek edhe sot trojka.

Në të kaluarën tek Syriza kanë shkuar në një pjesë jo të vogël zgjedhës të Pasokut. Papandreu mund të tërheqë sërish më tepër mbështetës politikë dhe personalë të tij. Por shumë zgjedhës të Syrizës ndjekin një opozitë fondamentale përballë kursit aktual të reformave. Dhe nga ky kurs ai nuk mund të distancohet, sepse e ka pranuar edhe publikisht një pjesë të përgjegjësisë për gjendjen e mjeruar të Greqisë.

Profesor Heinz-Jürgen Axt është zëvendëspresident i Südosteuropa-Gesellschaft. Në pikërëndesat e punës së tij shkencore në Universitetin Duisburg/Essen bënin pjesë integrimi evropian dhe Greqia.