1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Axhenda e ngjeshur e Obamës

Me fjalimin për situatën e kombit presidenti i SHBA-së bëri të qartë se vendi i tij gjendet para sfidash të shumta. Barack Obama nuk do të mundë t'i zgjidhë të gjitha brenda mandatit të tij, mendon Christina Bergmann.

Fjalimi i Obamas për gjendjen e kombit

Fjalimi i Obamas për gjendjen e kombit

Më pak do të kishte qenë më mirë. Në vend që të përqendrohej në disa pika, presidenti i SHBA-së Barack Obama në fjalimin e tij preku thuajse të gjitha fushat e politikës së brendshme, ku duhen bërë reforma apo përmirësime. Dhe këto janë të shumta, një shenjë se situata e kombit nuk është aq rozë sa deklaroi Obama në fillim të fjalimit. Duket qartë se ka nevojë për shumë përmirësime.

Shpenzimet buxhetore duhet të reduktohen në një masë të financueshme, sigurimi shëndetësor për të moshuarit (Medicare) duhet të reformohet dhe duhen mbyllur hapësirat për shmangien e detyrimeve fiskale - ishin këto disa nga detyrat për t'u bërë, që presidenti renditi në fjalimin e tij për situatën e kombit. Duhen krijuar vende pune, para së gjithash në industri, duhet përmirësuar kualifikimi profesional, duhet penguar ndryshimi i klimës. Infrastruktura e vjetëruar duhet përmirësuar, duhet reformuar politika e imigracionit, duhet thjeshtuar procesi elektoral. Dhe duhet ashpërsuar ligji për armët.

Kërkesa të njohura, qendresë e pritshme

Por në një farë mënyrë të gjitha këto nuk janë të reja. Presidenti bëri pak propozime konkrete si për shembull ngritjen e pagës minimale në nëntë dollarë. Dhe ai u shpreh i gatshëm të krijojë fakte me urdhëresa presidenciale nëse për shembull Kongresi nuk do të negociojë për reduktimin e ndotjes së ambjentit.

Por pikërisht këtu qendron problemi: në Kongres, Dhoma e Përfaqësuesve ashtu si më parë vazhdon të dominohet nga republikanët dhe ata nuk janë të gatshëm për kompromise, me përjashtim ndoshta të reformës së imigracionit. Në përgjigjen e tij ndaj fjalimit të presidentit, senatori republikan nga Florida Marco Rubin, përsëriti moton e republikanëve: më pak shtet është mjeti universal për zgjidhjen e problemeve dhe presidenti është problemi. Kjo tingëllon ngjashëm me amullinë legjislative të viteve të fundit.

SHBA ndodhen para sfidave të shumta

SHBA ndodhen para sfidave të shumta

Politika e jashtme luan rol të dorës së dytë

Politikën e jashtme mbajtësi i çmimit Nobel për Paqen në 2009 e preku fare shkurt. Në Afganistan do të vazhdojë tërheqja e trupave amerikane, brenda vitit të ardhshëm do të tërhiqen 34.000 ushtarë dhe deri në fund të 2014-s tërheqja duhet të ketë përfunduar. Presidenti bëri të qartë se në të ardhmen dërgimi i trupave do të jetë alternativa e fundit e ndërhyrjeve të mundshme amerikane dhe kjo vlen edhe për luftën kundër Al Kaidës. Bota nuk duhet të presë më që SHBA të nxjerrë patatet e nxehta nga zjarri.

Obama, i cili muajin e ardhshëm do të shkojë në Izrael, ritheksoi mbështetjen e tij për sigurinë e vendit, por kjo fjali tashmë është e detyrueshme për një president të SHBA-së, nëse nuk do të përballet me kritikë të menjëhershme. Paralajmërime pati për Korenë e Veriut dhe Iranin. Obama nuk harroi të përmendte se programin e tij të kontestuar me avionë pa pilotë do ta vendosë në baza të sigurta juridike dhe se me Rusinë do të reduktojë arsenalet bërthamore të të dyja vendeve. Por paragrafi për masat e urdhëruara prej tij për luftimin e sulmeve në internet zuri po aq vend në fjalim. Vetëm europianët mund të gëzohen për njoftimin se bisedimet për një marrëveshje tregtare transatlantike do të intensifikohen zyrtarisht. Megjithatë edhe këtu forca shtytëse është politika e brendshme, e më saktë vendet e punës në Amerikë.

Presidenti u paraqit më i çlirët dhe i vendosur në fjalim në krahasim me të kaluarën, por kjo nuk është për t'u habitur. Në fund të fundit tani nuk i duhet të luftojë më për t'u rizgjedhur. Por dritarja kohore në të cilën ka ende ndikim është e vogël. Brenda dy vjetësh mbahen sërish zgjedhjet për Kongresin. Nëse administrata e Obamës arrin të kalojë deri atëherë reformën e imigracionit, kjo së bashku me reformën në shëndetësi në mandaitin e tij të parë, do të ishte një arritje e konsiderueshme.

Për më shumë koha nuk do të mjaftojë. Kështu lista e detyrave të presidentit duhet kuptuar më shumë si një amanet për pasuesin - ose pasuesen - e tij. Dhe si një bilanc realist për situatën e vërtetë të vendit.

Autor: Christina Bergmann/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi