1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Avion evropian pa pilot për Evropën

Tri koncerne evropiane armatimesh po lobojnë këto ditë për një projekt të përbashkët evropian për prodhimin e avionëve evropianë pa pilot.

MALE2020 quhet oferta e koncerneve evropiane për avionin evropian pa pilot. Por ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen e frenoi industrinë evropiane të armatimeve. "Për momentin nuk jemi në presion për të vendosur," - tha ajo në Berlin në lidhje me projektin për avionin evropian pa pilot. Ministrja po pret diskutimin e Komisionit të Mbrojtjes të Bundestagut dhe si datë për vijimin e bisedimeve me koncernet caktoi datën 30 qershor.

Koncerni evropian Airbus Defence and Space, sipërmarrja franceze Dassault Avignon dhe ajo italiane Alenia Aermacchi synojnë që të prodhojnë avionë pa pilotë të aftë për të fluturuar në lartësi të mesme dhe për një kohë të gjatë. Emri i projektit MALE 2000 është shkurtimi i Medium Altitude, Long Endurance. Avionët pritet të fluturojnë deri në 15.000 metra lart dhe të qëndrojnë në ajër deri në 24 orë.

Forcat e armatosura kanë vërtet nevojë për këto avionë, tha drejtori i bordit të seksionit të armatimeve të koncernit Airbus, Bernhard Gerwert, në lidhje me projektin. Gjatë një faze përgatitore dyvjeçare, kompanitë duan të sqarojnë me qeveritë financimin dhe pyetjen nëse avioni pa pilot do të pajiset apo jo me armatime. Pas vendimit përfundimtar mund të vazhdojë zhvillimi i mëtejshëm i sistemit. Gerwert tha se avioni parashikohet të jetë gati në vitin 2020 dhe nuk do të jetë shumë i shtrenjtë.

Nevoja për avionë evropianë pa pilot

Aktualisht ushtria gjermane, Bundeswehr, përdor për qëllime zbulimi avionë të ndryshëm pa pilot. Por në perpektivë afatmesme Gjermania ka nevojë për sisteme të reja, thotë eksperti i mbrojtjes Christian Mölling nga Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) në Berlin. Për momentin ushtria është vërtetë e pajisur mirë edhe në fushën e zbulimit, por zhvillimi i një brezi të ri avionësh zbulues pa pilot duhet kohë. "Prandaj ka ardhur vërtet koha për të marrë një vendim, nëse ne duam që të kemi në të ardhmen avionë të tillë dhe se si duam që të jenë ata." Sot në përdorim janë modelet "Heron TP" nga Izraeli dhe "Predator" nga SHBA.

Në marrëveshjen e koalicionit që bënë pas zgjedhjeve të vitit 2013 CDU dhe SPD vunë në dukje se Bundeswehri ka në të ardhmen nevojë për avionë ushtarakë zbulimi pa pilot dhe ranë dakord qër të "nxisin zhvillimin evropian të një avioni pa pilot." Asokohe u tha edhe se vendimi për këtë projekt nuk lidhet me marrjen e një vendimi brenda kësaj legjislature.

Debatet për avionët evropianë pa pilot

Në Gjermani ka mendime të ndryshme në lidhje me zhvillimin e një avioni evropian pa pilot. Fakti që ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen i shmaget kësaj teme nuk është rastësi. Paraardhësit të saj Thomas de Maizière një projekt i ngjashëm për zhvillimin e avionit pa pilot Euro Hawk i koncernit evropian Airbus dhe atij amerikan Northrop-Grummand, desh i kushtoi postin, sepse avioni nuk qe në gjendje të merrte licensën për të fluturuar në hapësirën ajrore gjermane dhe se po shpenzimet pritej të shtoheshin.

Partia E Majta është kundër avionëve zbulues të pajisur me armë. Kurse kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtjen Hans-Peter Bartels (SPD) është në parim pro zhvillimit të një avioni evropian pa pilot dhe pavarësimit nga importi i këtyre avionëve. Por në lidhje me pyetjen nëse avionë të tillë duhet të pajisen apo jo edhe me armatime, ai tha për DW-në se "duhet sqaruar nëse përdorimi i avionëve zbulues pa pilot të pajisur me armë, mund të sjellë implikime politike".