1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Avionët luftarakë vetëm pjesërisht në gatishmëri

Prej vitesh Bundeswehri vuan nga mangësi në pajisje. Një raport aktual të bën pak optimist. Pritet që vitin e ardhshëm, buxheti i mbrojtjes të rritet në 37 miliardë euro.

Mängel am Eurofighter (AFP/Getty Images)

Eurofighter i Bundeswehrit

Në ç'shkallë janë të gatshme për misione tanket, avionët dhe fregatat e ushtrisë gjermane, Bundeswehrit? Për këtë jep përgjigje një raport i detajuar, të cilin Inspektori i Përgjithshëm i ushtrisë gjermane, Volker Wiekel ia paraqiti Bundestagut. Me hollësi u analizuan 56 sisteme të armatimit të Bundeswehrit - me rezultate pjesërisht deziluzionuese.

Problemet më të mëdha Bundeswehrit vazhdojnë t'ia shkaktojnë edhe më tej avionët luftarakë dhe helikopterët. Një shembull është Eurofighter: në periudhën që analizon raporti nga janari në tetor 2016, të gatshëm për misione ishin vetëm gjysma e avionëve luftarakë Eurofighter të aviacionit ushtarak. Shkaku: mungesë pjesësh këmbimi dhe riparime që kërkojnë kohë.

Në misione në formë, në shtëpi jo

Edhe më e ulët ishte kjo kuotë te avionët Tornado, të cilët Bundeswehri i përdor edhe për fluturime zbulimi në luftë kundër milicisë terroriste të Shtetit Islamik. Tek Tornadot, gatishmëria për misione ishte mesatarisht 44 përqind. Një shkak janë edhe këtu mangësitë në pjesët e këmbimit. Më e ulët kjo kuotë është vetëm te helikopteri i transportit NH90: më pak se një e katërta e rezervës në dispozicion qenë të gatshme për misione.

Një pamje e ngjashme u paraqit edhe në raportet e viteve 2014 dhe 2015. Ushtria e një vendi të fortë ekonomikisht dhe të kërkuar në botë, në gjendje difektoze? Inspektori i Përgjithshëm qetëson: Bundeswehri ka materiale të mjaftueshme për misione jashtë vendit dhe mund t'i plotësojë të gjitha detyrimet në NATO. Por edhe në Gjermani ushtarët duhet të stërviten me sistemet e armëve dhe të ushtrohen me to, gjë që për shkak të mangësive nuk është gjithmonë e mundur. Gjithsesi: në rastin e automjeteve të blinduara, të tankeve dhe të anijeve luftarake fregata, gjendje është shumë më e mirë.

Më shumë para për ushtrinë gjermane

Çfarë bën ministrja e Mbrojtjes kundër kësaj gjendjeje të mjerueshme? Ka kohë që Ursula von der Leyen flet për një "bllokim gjigand modernizimi në Bundeswehr", të cilin ajo kërkon ta eleminojë. "Materialet e vjetra" duhet të zëvendësohen gradualisht me të reja. Për këtë synim, ministrja von der Leyen i ka marrë me mundim më shumë para ministrit të Financave: vitin e ardhshëm, buxheti i mbrojtjes do të rritet në 37 miliardë euro - këto janë 2,7 miliardë më shumë se këtë vit.

Në këtë mënyrë do të jenë në dispozicion jo vetëm më shumë para për personelin, për shembull për specialistët e teknikës informative, të nevojitur urgjentisht. Por edhe për blerjen dhe mirëmbajtjen e sistemeve të armëve do të ketë më shumë para. Dhe në vitet e ardhshme, buxheti i mbrojtjes i Gjermanisë do të rritet në mënyrë të vazhdueshme.