1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Avdi Bytyqi, defektologu shqiptar në Gjermani

4 Tetor 2011

Defektologu plot ëndërra profesionale nga Prizreni rrugën e lënë përgjysmë në Kosovë e ka vazhduar në Haus Marienfeld në landin e NRW-së.

https://p.dw.com/p/12jtj
Avdi Bytyqi para klinikës "Haus-marienfeld" në Much
Avdi Bytyqi para klinikës "Haus-Marienfeld" në MuchFotografi: DW

“Si të them është sikur të nisesh në një drejtim të caktuar dhe pastaj ke një devijim nga rruga kryesore… prej së njohurës kaluam në të panjohurën. Erdhëm në një vend, ku duhej që për vete dhe për familjen të bëja një rinisje…”


Avdi Bytyqi është një nga qindra mijëra shqiptarë, të cilët pas viteve të 90-të pësuan një “devijim nga rruga kryesore”. Edhe tek familja Bytyqi acarimi i gjendjes politike, largimi i Avdiut dhe bashkëshortes Ganimetes nga puna dhe me këtë përkeqësimi i gjendjes ekonomike ndikuan që ata së bashku me tre fëmijët Arbenin, Artën dhe Flamurin të kërkojnë rrugë të re, një alternativë tjetër të jetesës. Në vitin 1991 Avdi Bytyqi largohet nga vendlindja për t'u vendosur në Much, një bashki në jug të Renanisë Veriore-Vestfalisë. Vitet e para me statusin e "të duruarit" që në Gjermani njihet ndryshe si "Duldung" ishin të vështira për familjen Bytyqi. Vet Avdiu fillon punën si mirëmbajtës në një hotel dhe nuk e ndal asnjëherë luftën që  të panjohurën ta kthej në të njohur.

Në foto, Avdi Bytyqi
Në foto, Avdi BytyqiFotografi: DW

“Ka qenë së pari iniciativa e gruas dhe e djalit të madh Benit që unë ta dërgoj diplomën time në ministrinë e Arsimit të landit të Renanisë Veriroe- Vestfalisë ( NRW). Deri atëherë mendoja se diploma ime nuk vlen asgjë në Gjermani dhe nuk do të arrij kurrësesi të dal, të them ashtu prej punëve të thjeshta që i kryeja atëherë, mirpo për çudi këta insistuan në çdo mënyrë, e dërgova personalisht diplomën atje dhe në një afat shumë të shkurtër mu kthye përgjigjeja pozitive, se mund të punoj jo si defetolog siç njihet profesioni im në Kosovë por me një titull tjetër më gjithëpërfshirës si Diplom-Heilpädagoge.”

Vend i ri  me sfida të reja por jo të papërballueshme

Kështu Avdiu fillon të merret me zanatin, që është i lidhur jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht. Defektologu plot ëndërra profesionale nga Prizreni rrugën e lënë përgjysmë në Kosovë do ta vazhdojë vite më vonë, në vitin 2002 në Haus Marienfeld - Shtëpinë Marienfeld. Kjo shtëpi në Much e ka lidhur Avdiun edhe më fort me profesionin. Kjo shtëpi është për të një eksperiencë më vete, plot sfida por jo të papërballueshme:

„Para së gjithash gjermanët primare e kanë punën, dhe nëse e vërejnë  se ke aspirata, don të tregohesh, e don punën, e don profesionin atëherë je i pranuar në mesin e tyre. Unë për vete jam i kënaqur me rrethin që e kam krijuar për këto vite që punoj. Është një profesion që përveç aftësimit profesional duhet të kesh edhe zemër, duhet ta duash atë sepse puna me njerëz është gjithmonë më e vështirë. Njeriu mund të lëndohet, makina riparohet por tek njeriu është shumë e vështirë.“

Pasioni shfaqet natyrshëm kur ai flet për profesionin. Ai është i gatshëm që aftësinë dhe dijen profesionale ta përdorë për t'iu ardhur në ndihmë fëmijëve me të aftësi të kufizuara të familjeve shqiptare në Gjermani.

„Isha në një qytet këtu afër dhe një familje po kalonte me një fëmijë në një karrocë dhe po flisnin shqip. Ështe e metë profesionale d.m.th. të bren. Egoja më thoshte shko pyete, fol me ta mirëpo nga ana tjetër nuk e dija se si do të reagoj prindi. Në fund morra guximin dhe shkova. Më pritën shumë mirë. Që atëherë jemi shokë shumë të mirë… unë nuk mund të ofroj shkopin magjik mirpo është një mbështetje morale edhe informim më i gjerë për mundësitë e atyre fëmijeve.“

NO FLASH Avdi Bytyqi
Fotografi: DW

Me kalimin e viteve ndihet mungesa e brezit të bashkëmoshatarëve

Tani me kalimin e viteve kur fëmijët janë rritur, Arbeni është në prag të përfundimit të studimeve Master, vajza Arta punon si infermiere në një spital të Bonit, ndërsa Flamuri vazhdon aftësimin profesional në një sipërmarrje mediatike në Këln,  ai gjithnjë e më shumë e ndien mungesën e brezit të bashëmoshatarëve.

„Do të ishte shumë mirë sikur të kishte ndonjë organizim më të mirë të njerëzve tanë këtu… Kam bindjen se kemi pak klube intelektualësh, kishte me qenë shumë mirë që të kemi një vendtakim dhe të ketë takime tradicionale. Kisha pas shumë dëshirë të di se a ka në këtë shtet defektolog të tjerë nga Kosova apo nga Shqipëria, të kem kontakte me ata.“

Pushimet e verës Avdiu me ëndje i kalon në vendlindje. Me shoqërinë e vjetër i ka ruajtur kontaktet dhe i takon miqët e vjetër, ish-kolegët e punës. Pa komplekse Avdiu i thotë të vërtetat ashtu siç i mendon.

„Vet kontributi im këtu, mënyra e punës, mënyra e jetesës, mënyra e të menduarit dallon pak a shumë prej atyre. Unë shpesh herë kur jam me kolegët atje, në kufijtë e normales, në kufijtë e asaj që është e lejueshme  bëjmë shaka dhe kritikohemi mes vete. Unë ju them se duhet  me qenë atraktiv në vend të punës p.sh. për shoqërinë gjermane nëse nuk je atraktiv nuk të mban siç e thotë populli „për sytë e bukur“ në vend të punës. Mendoj se ka dallime mirpo ato e begatojnë jetën dhe takimet tona. Ata janë shumë të interesuar të dëgjojnë nga unë për metodat e punës, mjetet që përdorim, stilin etj…“

Ëndërrat plotësohen - jetës i shtohet kuptimi

Avdi Bytyqi
Fotografi: DW

Pas largimit nga atdheu për një kohë të gjatë Avdiu kishte një ëndërr, të cilën nuk e realizonte dot. Në vitin 1991 emri i tij dhe gjashtë kolegëve të tij të punës qëndronte i varur në hyrje të shkollës që atëherë mbante emrin "Spiro Mojsiq" si persona që nuk guxojnë të shkelin më në atë shkollë. Avdiu iu desh që të priste plot 11 vjet që ëndrrën ta ka kthejë në realitet:

"Ka qenë moment shumë prekës hera e parë kur kam shkel pas luftës në atë shkollë. Ka qenë ëndërr për mua që pas luftës të shkoj njëherë në atë shkollë, për të cilën kemi pas menduar se nuk do të kthehemi kurrë më …”.

Tash kanë kaluar ca ditë që koha ecën me ritëm ndryshe për Avdiun. Ai së bashku me bashkëshorten Ganimeten  ka ditë që çdo mbrëmje presin e përcjellin mysafirë. Arta, vajza e tyre e vetme ka lindur djalin Rionin, jeta për ta tani ka edhe një kuptim më shumë.

“Vallja e fatit sillet dhe përsillet. Dhe mua më solli këtu ku e prita edhe lindjen e nipit. Për dikend ndoshta është e mirë për mua kishte me qenë shumë më mirë dhe më i lumtur do të isha sikur kjo lindje e nipit të ndodhte në vendlindjen time, që të kremtojnë atje mirpo edhe këtu mirë është…“


Autor: Esat Ahmeti
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora