1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Autoritetet ruse kanë shtuar trysninë ndaj opozitarëve

Vazhdimisht arrestohen kritikë të qeverisë. Jashtë vendit ky qëndrim has në kritikë të ashpër. Por politikanë besnikë të Kremlinit i kthejnë mbrapsht kritikat.

default

Ilja Jashin nga lëvizja opozitare „Solidarnost“ u la i lirë të enjten në mbrëmje pas pesë ditësh burg. Dënimi u vendos, pasi natën e vitit të ri (31.12.) ai kishte shkelur udhëzimet e policisë, gjatë një aktiviteti të lejuar, në mbështetje të lirisë së tubimit dhe demonstrimit. Tre politikanë të tjerë opozitarë, ndër ta edhe ish-zëvendëskryeministri Boris Nemzov dhe shkrimtari Eduard Limonov, do të lirohen vetëm pas nëntë ditësh. Ata u dënuan me 15 ditë heqje lirie ndër të tjera për qendresë ndaj pushtetit shtetëror. Jashin tregon për kushte të rënda në burg. Për shembull Nemzov ka fjetur në dyshemenë prej betoni të një qelie pa dritare. Kur ndodhej në gjyq, nuk i ishte dhënë karrige dhe ishte detyruar të qendronte katër orë në këmbë.

Russland Land und Leute Porträt Eduard Weniaminowitsch Limonow Anderes Russland

Eduard Limonov (Savenko), shkrimtar dhe politikan

Opozitarë të tjerë demonstrojnë prej ditësh para burgut hetimor, para zyrës së bashkisë së Moskës dhe administratës presidenciale. Ata kërkojnë lirimin e të burgosurve. Sergej Udalzov, shefi i frontit të Majtë, thotë:

„Përndjekja e opozitarëve dhe procedurat penale të inskenuara kundër tyre janë kriminale. Për këtë arsye e konsiderojmë të nevojshme t'i bëjmë thirrje presidentit. Një shkresë përkatëse i është dërguar atij me postë. Nëse presidenti hesht, kjo do të thotë se ai mbron keqbërësit, të cilët fusin në burg njerëz të pafajshëm.“

Deri tani presidenti rus Dmitri Medvedev ka heshtur.

Taktika e aktivistëve është të angazhohen një nga një për të mos u përballur me akuzën se marrin pjesë në një demonstrim të pamiratuar. Por provokatorë të afërt me Kremlinin i prishin planet e tyre. Udalzov thotë:

„Unë mbaja një pllakatë me parrullën 'Liri për ata, që burgosen për shkak të bindjeve të tyre', kur erdhën si me porosi përfaqësues të organizatës rinore "Nashi". Tani policia kishte arsye të ndërhynte. U përpoqa më kot të shpjegoja se ata të rinj ishin provokatorë dhe nuk kishin të bënin aspak me kauzën tonë."

Rußland Oppositionsdemonstration Demo

Policet marrin me vete një pjesëmarrëse në demonstratë

Çdo ditë arrestohen opozitarë. Para zgjedhjeve parlamentare këtë vit dhe atyre presidenciale vitin e ardhshëm, Kremlini përpiqet të trembë kritikët e tij.

Qendrimet e fundit ndaj opozitës kanë ndeshur në kritikë të ashpër ndërkombëtare. Amnesty International i quan të dënuarit të burgosur politikë, të cilët janë ndaluar vetëm për shkak të ushtrimit në mënyrë paqësore të së drejtës së tubimit dhe mendimit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme amerikane, Philip Crowley, theksoi të drejtën e lirisë së tubimit dhe tërhoqi vëmendjen se kështu Rusia dëmton interesat e saj afatgjata. Edhe senatorët amerikanë Joseph Lieberman dhe John McCain e kanë kritikuar burgosjen e demonstruesve.

Politikanë rusë e kanë mbrojtur sjelljen e policisë dhe deklaruan se nuk lejojnë ndërhyrje në punët e brendshme të vendit. Kryetari i komisionit për politikën e jashtme të këshillit federativ, Mihail Margelov, e quajti deklaratën e senatorëve pa vend dhe të papeshuar. Bota e jashtme me kritikat e saj nuk i shërben aspak opozitës.

Autor: Esther Hartbrich/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 07.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zuj5
  • Data 07.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zuj5