1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Autoritetet në Shqipëri po hetojnë kërkesat për azil në vendet e Schengen-it

Belgjika dhe Suedia janë dy vendet e BE-së që kanë shprehur shqetësim për rritjen e kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarë. Pjesa më e madhe e azilkërkuesve ka nxjerrë si shkak mbrojtjen nga fenomeni i gjakmarrjes.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani

Autoritetet zyrtare në Shqipëri janë vënë në lëvizje nga zhvillimet më të fundit me procesin e udhëtimit pa viza të qytetarëve për në zonën Schengen të BE-së. Në dy nga shtetet pritëse, në Belgjikë dhe në Suedi është rritur numri i qytetarëve shqiptarë të cilët kanë paraqitur kërkesë azili. Duke iu referuar shifrave zyrtare që posedon Ministria e Brendshme në Tiranë, në Belgjikë në periudhën korrik-shtator ka patur 50 raste të tilla, ndërkohë që në dy javët e para të tetorit ka dhe 20 kërkesa të reja për azil nga qytetarët shqiptarë. Ndërsanë Suedi deri më tani janë 85 kërkesa azili gjithsej.

Ministri Nishani në bisedë me Deutsche Welle-n

Ministri Nishani në bisedë me Deutsche Welle-n

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani thotë për DW se këto shifra krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku janë evidentuar dhe rreth 1.000 kërkesa për azil sigurisht që janë tepër të ulta.

“Por ne duam që të jemi maksimalisht korrekt dhe që as dhe një qytetar i vetëm të mos jetë të themi një eksportues i shqetësimit për autoritetet e vendeve anëtare të BE-së. Të mos ketë as dhe një qytetar që të krijojë perceptime jo të mira ndaj shoqërisë shqiptare dhe mazhorancës së qytetarëve shqiptarë. Ka qenë mjaft i qartë qëndrimi i Komisionit Evropian se nuk bëhet fjalë këtu për ndonjë situatë dramatike, por natyrisht të gjitha masat duhen marrë”, shprehet ministri Nishani.

Azilkërkuesit kërkojnë mbrojtje nga fenomeni i gjakmarrjes

Ministri Bujar Nishani thotë se po bashkëpunohet ngushtë me autoritetet e belge dhe suedeze për të analizuar me kujdes situatën e krijuar së fundi në këto dy shtete. Në pjesën më të madhe azilkërkuesit, sipas tij, kanë përdorur si argument mbrojtjen nga fenomeni i gjakmarrjes. Bujar Nishani pranon se ky fenomen ka ekzistuar dhe ekziston në realitetin shqiptar, por jo në atë nivel sa është pretenduar nga azilkërkuesit, që sipas tij, kanë abuzuar me dokumentacion jo të rregullt dhe të fallsifkuar në arritjen e qëllimit të tyre.

“Informacionet tona paraprake flasin për dhënie të dokumenteve ose vërtetimeve nga ana e shoqatave të ashtuquajtura se janë angazhuar në faljen e gjakut. Por dhe për shkak të familjaritetit dhe të akteve korruptive të disa kryetarëve të komunave, të cilët lëshojnë vërtetime të tilla për qytetarë që nuk kanë patur lidhje me problemin e gjakmarrjes, që e bëjnë këtë mbi bazën e rrushfetit. Ky varion nga 50 deri në 100 euro për vërtetime të tilla. Autoritetet ligjzbatuese po hetojnë me shumë kujdes sa i takon lëshimit të dokumentave të fallsifikuara. Nga ana tjetër ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me përfaqësuesit e institucioneve të këtyre vendeve, ku Ministria e Brendshme në Tiranë ka bërë të qartë se të gjithë qytetarëve shqiptarë që janë paraqitur për të kërkuar azil në mënyrë të paargumentuar dhe me dokumente të fallsifikuara do të kthehen menjëherë në Shqipëri. Gjithashtu po shikojmë nëse këtu kemi të bëjmë dhe me elementë të veprimtarisë kriminale.”

Pala shqiptare do të përballojë shpenzimet e transportit për qytetarët e kthyer si dhe trajtimin psikosocial të tyre me kthimin në familjet e tyre. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë përsërit për DW se rastet e fundit “nuk do të mund prishin imazhin e qytetarëve shqiptarë, të cilët treguan me procesin e regjimit të vizave për zonën Schengen se janë bashkëpunues dhe të gatshëm për të respektuar sistemin e rregullave për udhëtimin pa viza.”

Rigjallërim i fushatës ndërgjegjësuese

Lëvizja Europiane në Shqipëri është një organizatë joqeveritare që e monitoron prej fundit të dhjetorit të vitit 2010 procesin e udhëtimit pa viza. Drejtori i organizatës Gledis Gjipali e përshkruan si një histori suksesi fazën e muajve të parë të zbatimit të ktij regjimi lehtësues nga ana e qytetarëve shqiptarë. Ata kanë treguar përgjegjshmëri, thotë ai për DW, duke e shfrytëzuar brenda kritereve të drejtën për të dalë jashtë vendit për qëllime turistike, të vizitës tek të afërmit, për qëllime mjekësore etj. Gjipali përmend dhe shqetësimin që është ngritur në muajt e fundit për evidentimin e rasteve të kërkesave për azil.

Gledis Gjipali, Drejtori i organizatës Lëvizja Europiane në Shqipëri

Gledis Gjipali, Drejtori i organizatës "Lëvizja Europiane në Shqipëri"

“Këtu ka ndikuar mendoj dhe një ulje e intesitetit të fushatës informuese për qytetarët, e cila duhet të jetë aktive të paktën gjatë vitit të parë dhe të dytë të aplikimit të lëvizjes pa viza. Gjithashtu duhet të kemi parasysh dhe faktorë të tjerë si kriza ekonomike apo që për një pjesë të qytetarëve është shfrytëzuar për ‘qëllime turistike' fakti i procedurave të gjata që disa vende të zonës Schengen kanë për miratimin e kërkesave për azil. Që do të thotë se ata mund të kenë gjykuar që derisa të marrin përgjigje të qëndrojnë dhe të përfitojnë mbështetje. Por faktet tregojnë se përgjigjet pozitive për azil janë tejet minimale vetëm atëherë kur ka kërkesa shumë të argumentuara me fakte dhe dokumente të besueshme. P.sh. Belgjika e ka vetëm 1 përqind nivelin e pranimit të kërkesave për azil. Edhe vende të tjera e kanë bërë të qartë se udhëtimi pa viza nuk duhet të shfrytëzohet për kërkesë azili dhe ata që do ta ndërrmarrin do të kthehen në vendin e origjinës”.

Për aktivistët e EMA-s rigjallërimi i fushatës ndërgjegjësuese do të ketë ndikim që ky proces të vijojë me normalitet, si një ndihmë shumëplanëshe për qytetarët shqiptarë.

Autor: Arben Muka / Tiranë

Redaktoi: E. Xhani