1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Autoritetet lokale në Maqedoni kërkojnë ndihma konkrete financiare nga pushteti qendror

Në Maqedoni ka filluar faza e dytë e decentralizimit fiskal që u mundëson komunave burime më të sigurta financiare. Mirpo, kryetarët e komunave thonë se decentralizimi po realizohet vetëm në letër.

Pamje nga qendra e Shkupit

Pamje nga qendra e Shkupit

Procesi i decentralizimit në Maqedoni në 84 komuna po zhvillohet sipas planifikimit. Nga 1 janari të gjitha komunat, me përjashtim të disave rurale, kanë hyrë në fazën e dytë të decentralizimit fiskal. Komunat tani do të mund të shfrytëzojnë më lehtë mjete, të angazhohen me kredi, të vendosin se si do zhvillohen dhe si do t'i shpenzojnë ato mjete. Bashkësia e njësive të vetqeverisjes lokale kërkon më shumë fonde nga pushteti qendror. Sigurimi i një buxheti stabil komunal sipas përfaqësuesve të komunave mund të arrihet përmes rritjes së përqindjes së TVSH-së dhe të tatimit personal. “Për këtë vit planifikojmë rritjen e TVSH-së nga 4 në 6 për qind si dhe rritjen e tatimit personal nga 3 në 30 përqind”, shprehet Koce Trajanovski kryetar i komunës së Shkupit.

Komunat rurale kryesisht varen nga të ardhurat e TVSH-së

Në foto, Basri Bajrami

Në foto, Basri Bajrami

Për kryetarët e komunave rurale, faza e dytë e decentralizimit fiskal ekziston vetëm në letër, në praktikë asgjë nuk ka ndryshuar, thotë Basri Bajrami, kryetar i komunës së Haraçinës. Komunat rurale kryesisht varen nga të ardhurat e TVSH-së, nëse së shpejti nuk rritet përqindja e TVSH-së, buxheti komunal do të mbetet i zbrazur. Gjithnjë sipas Bajramit edhe fondet e jashtme që dedikohen për komunat ndahen në mënyrë jo të barabartë, çdo herë të privilegjuara janë komunat urbane. “Tani kishte edhe një kredi prej Bankës Botërore në vlerë prej 50 milion euro. Komuna e Kumanovës morri miliona euro ndërsa ne si komunë rurale 100 mijë euro për kanalizim ose ujësjellës. Çfarë mund të bëjë me këto mjete, nuk mund të bëhet as projekti ideor”, shprehet Bajrami.

Ministri i pushtetit lokal Nevzat Bejta, vlerëson se kërkesat e autoriteteve komunale për rritjen e TVSH-së dhe tatimit personal janë të arsyeshme. Këto mjete do t'i ndihmonin komunat që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme financiare dhe do të mundësonte zhvillim të barabartë të komunave. Mirëpo, ministri Bejta thotë se kryetarët e komunave nuk duhet të mbështeten vetëm në të ardhurat nga TVSH por duhet të angazhohen që të gjejnë edhe burime tjera të financimit. “Ata tani i kanë kushtet dhe mund të tërheqin mjete të ndryshme nga investitorët si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Gjithçka varet nga kryetari i komunës se sa ai dëshiron ta zhvillojë komunën”, shprehet ministri Bejta.

Komunat rurale kërkojnë përkrahje nga pushteti qendror

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Për të siguruar investime të huaja duhet patur përkrahje nga pushteti qendror, thotë kryetari i komunës së Haraçinës Basri Bajrami. “Ne nuk kemi tokë ndërtimi, ne kemi tokë bujqësore dhe ajo është e dhënë për 30 vite në koncesion, ne nuk kemi mekanizëm se si mund ta kthejmë atë. Mirëpo ne duhet tu ofrojmë kushte të infrastrukturës, rrymë, rrugë, ujë. Për këtë duhet të na ndihmon pushteti qendror”, thotë Bajrami.

Autoritetet e pushtetit lokal thonë se edhe krahas mundësisë që ofron faza e dytë e decentralizimit fiskal për tërheqjen e kredive, ata këtë nuk mund ta shfrytëzojnë për shkak të bonitetit të dobët që kanë.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Esat Ahmeti