1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Autoritetet e Bavarisë: po arrihen kufijtë e kapacitetit

Bavaria e llogariti me 10.000 vetë numrin e refugjatëve dhe migrantëve që mbërritën të hënën. Numri i refugjatëve në Greqi gjithashtu është shtuar, ndërsa Britania do të pranojë 20.000 sirianë nga kampet e refugjatëve.

Njerëz që kanë marrë arratinë nga lufta dhe varfëria në Siri dhe nga kombe të tjera mbërritën me trenat të mbushur plot të hënën në Mynih. Udhëtimi i tyre kishte kaluar nga Ballkani Perëndimor, në Hungari dhe pastaj në Austri.

Presidenti i rajonit të Bavarisë së Epërme, e cila përfshin Mynihun, Christoph Hillenbrand vlerësoi se numri i atyre që mbërritën të hënën në Bavari do të jetë "më i madh se 10.000 vetë"

Nga Mynihu, refugjatët dhe migrantët u transportuan me autobuzë dhe trena në qytete të tjera nëpër të gjithë vendin, ku do të strehohen në strehime të posaçme për refugjatë. Atje ata do të nisin edhe procesin e aplikimit për të marrë azil.

Hillebrand shtoi se për shkak të numrit të madh të personave që kanë mbërritur - i vlerësuar në më shumë se 22.000 vetë në fundjavë - po zhvillohen bisedime për të ngritur pika të tjera shpërndarjeje të refugjatëve në qendra të tjera, si në qytetin lindor të Lajpcigut. Këto do të shërbejnë si pika të para të reja të mbërritjes në Gjermani, për refugjatët që vijnë me tren nga Hungaria përmes Austrisë dhe do të lehtësojë presionin për Mynihun.

Banorët e Mynihut janë mobilizuar ditët e fundit për të mikpritur refugjatët që mbërrijnë në stacionin e trenit. Ata u kanë ofruar të ardhurve ushqime, pije dhe lodra për fëmijët, por autoritetet kanë paralajmëruar se po arrijnë në limitin e kapacitetit të tyre.

"Ende ne bëjmë më të mirën për të krijuar vende të reja strehimi, por megjithatë tani po ecim drejt kufijve të kapacitetit tonë", tha Hillenbrand.

Migrantët e vazhdojnë udhëtimin pa u regjistruar

Megjithëse kanë arritur në Gjermani, shumë nga personat e sapombërritur informohet se janë larguar me vendim të tyre nga qendrat e pranimit për në pjesë të tjera të vendit. Të mbingarkuara nga numri i madh i njerëzve që kanë mbërritur, autoritetet kanë qenë të fokusura në plotësimin e nevojave humanitare të të ardhurve dhe jo në nisjen e procesit të regjistrimit.

"Nuk kemi pasur fare mundësi të mendojmë për t'i regjistruar njerëzit", thotë Hillenbrand. Ai shtoi se ata që largohen nga qendrat e pranimit nuk janë penguar për këtë.

Ishujt në Greqi me ngarkesë maksimale

Ndërkohë mijëra migrantë dhe refugjatë ekonomikë kanë vazhduar të mbërrijnë në ishujt e Greqisë. Në ishullin Lesbos po bëhen përgatitje për të dërguar në pjesën tjetër të vendit 15.000 deri 18.000 refugjatë prej atyre që ndodhen në ishull.

Më shumë se 230.000 migrantë kanë mbërritur deri tani këtë vit në brigjet greke. Shumë prej tyre kanë vazhduar udhëtimin drejt Veriut, në shtete të tjera të BE si në Gjermani.

Britania e Madhe do të pranojë 20.000 vetë

Kryeministri britanik, David Cameron e konkretizoi premtimin e tij të bërë pak kohë më parë, se do të bëjë më tepër për t'i ndihmuar refugjatët. Ai i tha Parlamentit se vendi do të pranojë 20.000 vetë që qendronin në kampe në shtetet fqinjë me Sirinë e përfshirë nga lufta.

"Ne i propozojmë parlamentit që Britania të shpërngulë këtu deri 20.000 refugjatë sirianë. Duke vepruar në këtë mënyrë, ne vazhdojmë t'i tregojmë botës se ky është një vend i dhembsurisë së jashtëzakonshme", tha Cameroni duke iu drejtuar Parlamentit.