1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Autoritetet daneze dhe suedeze pengojnë një atentat

Me arrestimet e bëra në Kopenhagë dhe në Stokholm, sipas autoriteteve të sigurisë të të dyja vendeve, u eleminua një celulë terroriste dhe u pengua një atentat ndaj gazetës së Kopenhagenit "Jyllands Posten".

Sheshi i bashkisë në Kopenhagen

Sheshi i bashkisë në Kopenhagen

Bëhet fjalë për përpjekjen më të rëndë për të ushtruar atentat deri tani në tokën daneze. Të arrestuarit kishin planifikuar të vrisnin sa më shumë njerëz që të ishte e mundur, u shpreh shefi i shërbimit të fshehtë të policisë daneze PET, Jakob Scharf. Të mërkurën në mëngjes (29.12.), forcat daneze të sigurisë arrestuan në një periferi të Kopenhagës 4 burra, tri prej tyre kishin ardhur një ditë më parë me makinë nga Suedia. Bëhet fjalë për qytetarë suedezë me prejardhje arabe. Në Danimarkë ata takuan një azilkërkues 26 vjeçar irakian. Veç kësaj, në Stokholm arrestuan edhe një suedez tjetër me origjinë tuniziane. Para kësaj, tha eksperti danez i terrorizmit, Magnus Norell ishte bërë një vëzhgim intensiv.

"Natyrisht që ishte e vështirë të gjeje çastin e duhur, sepse dëshironim të mblidhnim sa më shumë informacione që të ishte e mundur për këta aktivistë. Donim të ishim të sigurtë. Prandaj operacioni zgjati relativisht shumë", tha ai.

Atentati u ndalua pak para kryerjes

Të gjithë karakterizohen si islamistë radikalë me lidhje me rrjetet ndërkombëtare të terrorizmit. Policia thotë se këta të pestë u arrestuan pak para se të kryenin një atentat të armatosur ndaj ndërtesës së redaksisë në Kopenhagen të gazetës "Jyllands Posten". Kur i arrestoi, policia konfiskoi edhe armë. Gazeta "Jyllands Posten" pati botuar në vitin 2005 karikaturat e diskutueshme të Muhametit dhe që prej kësaj kohe pati marrë kërcënime të vazhdueshme. Karikaturisti Kurt Westergaard që atëherë jeton nën mbrojtjen e policisë, pasi disa herë mezi i shpëtoi një atentati. Lars Munch, kryeredaktor i "Jyllands Posten" u tregua i shokuar:

hyrja e gazetës Jyllands Posten

"Është shokuese po të mendosh se çfarë mund të kishte ndodhur. Sërish del në pah se me ç'rreziqe konfrontohen punonjësit tanë, ata dhe familjet e tyre marrin mbështetje psikologjike. Përsa i përket sigurisë fizike, ne do të bashkëpunojmë me policinë."

Arrestimet tregojnë se sa seriozisht duhen marrë kërcënimet kundër Danimarkës. Njësitë e policisë daneze dhe suedeze bashkëpunuan ngushtë në këtë rast. Në bastisjet e mëngjesit u konfiskuan një armë automatike dhe municion.

Midis atentatit të dështuar në Kopenhagë dhe atentatit vetëvrasës të 11 dhjetorit në Stokholm nuk ka lidhje, u tha në një konferencë shtypi, të cilën e mbajti shërbimi i fshehtë i policisë daneze, së bashku me policinë e sigurisë të Suedisë.

Autor: Albrecht Breitschuh/ Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 30.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zrHi
  • Data 30.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zrHi