1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Autoritetet amerikane kopjojnë të dhëna personale të atyre që hyjnë në SHBA

Kush udhëton në SHBA duhet të pranojë të kontrollohet imtësisht, të japë shumë të dhëna mbi veten, të lejojë t'i marrin shenjat e gishtërinjve dhe shumë të tjera.

default

Që prej atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001 Ministria për Mbrojtjen e Atdheut në SHBA ka futur vazhdimisht masa të tilla. Aktualisht udhëtarët që hyjnë në SHBA duhet t'u tregojnë autoriteve kufitare edhe të dhëna personale nga aparatet e tyre elektronike: biznesmenët tregojnë se gjatë kontrolleve në doganë iu është dashur të presin më shumë se një orë për të rimarrë laptop-ët e tyre dhe nuk e dinin se çfarë ndodhte gjatë asaj kohe me informacionet e tyre.


Amir Khan i cili fluturon shpesh për arsye pune e njeh këtë dramë. Gjithnjë kur amerikani me origjinë pakistaneze kthehen pas një udhëtimi pune nga Europa në SHBA, ai duhet t'u dorëzojë punonjësve të kufirit laptop-in dhe t'u japë fjalëkalimin. Çdo kundërshtim është i kotë: "Nëse kundërshton të më japësh fjalëkalimin do të të detyroj, më tha punonjësi i doganës. Pyetjen se çfarë ndodh me informacionet e marra nga laptop-i ai thjesht e injoroi. Ai nuk më dëgjonte fare dhe e vendosi laptop-in në një vend ku unë nuk e shihja dot."


Kështu tregoi i indinjuar Amir Khan për kanalin televiziv amerikan CNN. Laptop-ë apo telefonë celularë, MP3-Player, ruajtës të dhënash USB apo kompjutera dore: gjithnjë e më shumë udhëtarë që shkojnë në SHBA tregojnë se kur hyjnë në territorin amerikan iu duhet fillimisht t'u dorëzojnë punonjësve të doganës të gjitha pajisjet elektronike: "Qeveria konfiskon laptop-ët tanë kur vijmë nga përtej detit."

Këtë e konstaton edhe Tim Gardner nga Uashingtoni. Kontrolli i të dhënave në kompjuter mund të zgjasë orë të tëra. Informacione bankare apo sekrete biznesi, postë private apo fotografi të pushimeve - gjithçka mund të kopjohet dhe arkivohet në arkivat elektronikë nga autoritetet kufitare të SHBA. Kush fsheh fjalëkalimin ose i kodon të dhënat rrezikon të mos e shohë më laptop-in e tij. Një praktikë që nuk mund të vazhdojë mendon David Cole, profesor i drejtësisë në universitetin Georgetown të Uashingtonit. "Ky lloj kontrolli i imët nuk mund të krahasohet me atë pa zarar të bagazheve. Përmes kontrollit të laptop-ëve udhëtarët zhvishen plotësisht."

Por autoritetet kufitare të SHBA qëndrojnë të patundura. Pas atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001 Amerika pret që të gjithë udhëtarët të kontrollohen imtësisht. Kush dëshëron të hyjë në SHBA heq dorë nga e drejta për mbrojtjen e të dhënave dhe sferës private gjatë kontrollit në kufi. Kështu thuhet në një deklaratë zyrtare të autoritetit për mbrojtjen e atdheut në SHBA. Shumë amerikanë janë të indinjuar për këtë. Në fund të fundit policia nuk ka të drejtë të kontrollojë as një shtëpi pa dyshime konkrete, thotë Maria Hoffmann, avokate e shoqatës kundër keqpërdorimit të të dhënave. "Kujt ia përcjellin ata informacionet? Askush nuk e di nëse të dhënat e kopjuara shuhen ndonjëherë. Ne nuk kemi asgjë në dorë."

Një grup biznesmenësh amerikanë që udhëtojnë shpesh kanë ngritur tani një padi kolektive. Derisa të marrë vendim gjykata, kontrollet do të vazhdojnë. "Çfarë të bëj?" - pyet Amir Khan i cili fluturon shumë për arsye pune. "Nuk mund të bëj pa laptop-in e as pa portofolin. Për të dy kam nevojë kudo që shkoj."

  • Data 26.08.2008
  • Autor Ralph Sina
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F4rO
  • Data 26.08.2008
  • Autor Ralph Sina
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F4rO