1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Autokraci e suksesshme? Sfida e Kinës 20 vjet pas masakrës së Tienanmenit

Kanë kaluar 20 vjet prej shuarjes së përgjakshme të lëvizjes demokratike në Pekin. Vite gjatë të cilave në botë ndryshuan raportet politike, në të mirë të Kinës. Por megjithatë PKK duhet të ballafaqohet me të kaluarën.

Përballë tankeve - nje i ri u bllokon rrugen tankeve ne Sheshin Tienanmen, 1989

Përballë tankeve, Tienanmen 1989

Kina e qeverisur në mënyrë autokrate është më e fortë se kurrë më parë

A mund të jetë me të vërtetë kaq e padrejtë historia? Në këtë përfundim mund të arrihet nëse merret parasysh Kina. Pekini zhyti në gjak kthesën politike, e cila para 20 vitesh përfshiu botën dhe çliroi Evropën Lindore. Por megjithatë Kina e qeverisur në mënyrë autokrate është më e fortë se kurrë më parë.

Kina është ndërkohë partneri i dytë tregtar i Bashkimit Evropian

Nga vendi i dikurshëm në zhvillim Kina është kthyer në një vend me peshë të rëndë në ekonominë botërore. Kina është kreditori më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka vite që financon deficitet buxhetore të qeverisë në Uashington. Vetëm gjatë muajit mars Kina ka blerë obligacione shtetërore amerikane në vlerë prej rreth 24 miliardë dollarësh. Republika Popullore e Kinës është ndërkohë partneri i dytë tregtar i Bashkimit Evropian.

Një Kinë jodemokratike mund të bëhet model alternativ zhvillimi për autokratët

Ndikimi i Pekinit përmes tregtisë dhe investimeve po rritet dita-ditës edhe në Afrikë e Amerikën e Jugut. Një dokument i grupimit parlamentar të Unionit Kristian-Demokrat / Unionit Kristian-Social - CDU/CSU në parlamentin gjerman ka tërhequr vërejtjen që në vitin 2007: Një Kinë jodemokratike mund të gjejë vend si model alternativ zhvillimi dhe t'u shërbejë autokratëve në mbarë botën si shembull dhe justifikim për veprimet e tyre.

Perëndesha e demokracisë, në Sheshin Tiananmen në Pekin, 30 maj 1989

Perëndesha e demokracisë, në Sheshin Tiananmen në Pekin, 30 maj 1989

PK e Kinës refuzon të mbajë përgjegjësi për kapitullin më të errët në historinë e saj

Çfarë ka të bëjë e tërë kjo me veprimet e tmerrshme në sheshin Tienanmen para 20 vitesh? Ministria e Jashtme në Pekin pak kohë më parë e mbrojti përsëri masakrën ndaj studentëve të paarmatosur në qendër të Pekinit dhe si argumente ka përdorur përparimet ekonomike në dekadat e kaluara. Udhëheqja kineze mbrohet ende ndaj një rivlerësimi të lëvizjes demokratike - çdo diskutim rreth kësaj çështjeje shtypet menjëherë. Partia Komuniste e Kinës e shfrytëzon për vete suksesin ekonomik, por refuzon të marrë përsipër përgjegjësinë për kapitullin më të errët në historinë e saj. Jo vetëm për viktimat e verës së Pekinit 1989. Po ashtu për rreth 20 milionë të vdekurit e periudhës 'Hapi i madh përpara' në fillim të viteve 60-të për viktimat e Revolucionit Kulturor dhe fushatat e tjera masive.

Gjatë heshtjes së varrit pas masakrës, vlerat materiale u kthyen në gjënë më të rëndësishme

Si pasojë e veprimeve të saj Partia Komuniste e Kinës e ka humbur në masë të madhe besimin në popull. Gjatë heshtjes së varrit pas masakrës vlerat materiale u kthyen në gjënë më të rëndësishme. Edhe hyrja në parti i shërben sot në radhë të parë sigurimit të karrierës dhe nuk ka shumë lidhje me pikëpamjet ideologjike. Idealet kanë shterrur në Kinë. Dhe Republika Popullore e Kinës ka kohë që nuk është aq stabile sa duket në sipërfaqe - për çdo ditë numërohen rreth 200 të ashtuquajtura 'protesta ielgale' në vend.

Për stabilitetin e saj Kina ka nevojë për reforma politike

Ka ideologë në parti të cilët e dinë: pikërisht për stabilitetin e saj Kina ka nevojë për reforma politike, ka nevojë për më tepër demokraci. Vetëm kështu mund të zgjidhen problemet. Ky ka qenë edhe qëndrimi i Zhao Ziyang-ut, liderit reformist të Partisë Komuniste, i cili u largua nga posti në vitin 1989 për shkak se nuk i përshtatej kursit të Byrosë politike. Forcat demokratike në Kinë mund t'i mbështesë Evropa, po t'i mbrojë me besim në vete vlerat e saj dhe nëse është e bashkuar.


Autor: Mathias von Hein

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 04.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I3Hy
  • Data 04.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I3Hy