1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Autokolona ruse hyn pa leje në Ukrainë

Qeveria ruse e ka urdhëruar autokolonën, që pret prej disa ditësh në kufirin me Ukrainën, të futet pa lejen e Kievit në Ukrainë. Maunet hynë në kufirin ukrainas. Kievi e quan këtë veprim "pushtim të drejtpërdrejtë".

Agjencitë ruse të lajmeve dhe korrespondentë të ndryshëm kanë raportuar në përputhje me njëri-tjetrin nga pika e kalimit kufitar, Donetsk-Isvarino, se maunet e bardha kanë kaluar kufirin për në Ukrainë. "Ne nuk i durojmë dot më gënjeshtrat dhe refuzimin për të gjetur një zgjidhje, "Rusia ka vendosur të veprojë", deklaroi Ministria e Jashtme në Moskë. Autokolona humanitare është nisur në drejtim të Luhansk. Edhe qeveria e Kievit ka konfirmuar se maunet kanë hyrë në territorin ukrainas pa lejen e saj dhe pa shoqërimin e Kryqit të Kuq. Qeveria ukrainase e akuzoi Rusinë menjëherë pas kësaj "për invazion të drejtpërdrejtë". "Bëhet fjalë për automjete ushtarake nën mbulojën cinike të Kryqit të Kuq", tha kreu i Shërbimit Informativ të Ukrainës, SBU, Valentin Nalvajtsheko, sipas agjencisë Interfax.

Autokolona me ndihma futet pa lejen e Kievit në Ukrainë

Autokolona me ndihma futet pa lejen e Kievit në Ukrainë

Ukraina do të mënjanojë provokimet, prandaj nuk do të qëllojë ndaj autokolonës, bëhet e ditur. Qeveria në Kiev fundjavën e shkuar, pas një grindjeje të gjatë, e kishte njohur autokolonën ruse si ndihmë humanitare për popullsinë në nevojë. Të enjten autoritetet e kufirit kishin filluar me livrimin e më shumë se 300 mauneve, që presin në kufi. Rusia kishte rënë dakord që drejtimin e autokolonës t'ia dorëzonte Kryqit të Kuq. Këtë propozim e kishte refuzuar qeveria në Kiev me argumentin se rajoni në kufirin e Luhansk kontrollohet nga separatistët. Kolona me rreth 2000 tonë arikuj ushqimorë u nis më 12 gusht nga Moska dhe pret prej ditësh në kufi.

Luftimet vazhdojnë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavel Klimkin, pret që edhe gjatë vizitës së kancelares Angela Merkel në Kiev të vazhdojnë luftimet në Lindje. Për të arritur një armëpushim me separatistët prorusë duhet që të sigurohet njëherë, që nuk ka më furnizime të tjera nga Rusia, tha Klimkin për televizionin e dytë gjerman, ZDF. "Për këtë kemi nevojë për një kontroll të vërtetë të kufirit." Ende hyjnë tanke, armë dhe para nga kufiri, ka thënë Klimkin.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e viziton Ukrainën për herë të parë që nga fillimi i krizës në fund të vitit të shkuar, duke iu përgjigjur një ftese të presidentit ukrainas, Petro Poroshenko.

Plani Merkel?

Zona kufitare në mes Rusisë dhe Ukrainës, ku kalon konvoi

Zona kufitare në mes Rusisë dhe Ukrainës, ku kalon konvoi

Duke përmendur planin Marshall, ndihmën ekonomike të SHBA-së për rindërtimin e Gjermanisë pas Luftës së II Botërore, ministri i Jashtëm ukrainas Klimkin ka folur për median gjermane edhe për një plan të mundshëm "Merkel" për Ukrainën. Vizitën e Merkelit një ditë para Ditës së Pavarësisë së Ukrainës Klimkin e quajti "simbolike". Vizita e saj është shenjë e mbështetjes politike për Ukrainën. Gjermania udhëheq angazhimin për stabilizimin e vendit, ka thënë ai.

Pakënaqësia ruse

Takimi i presidentit ukrainas Poroshenko me kreun e Kremlinit të martën në Minsk është sipas mendimit të ministrit të jashtëm ukrainas i një rëndësie të jashtëzakonshme. Duhet të arrihet çtensionimi i gjendjes në Ukrainën lindore. Në këtë takim do të bëhet fjalë edhe për zbatimin e marrëveshjes së asociimit të Ukrainës me BE. Në Minsk do të udhëtojnë edhe disa eurokomisionerë. Me qëllim të favorizimit me BE, Ukraina kishte refuzuar futjen në unionin doganor me Rusinë. Rusia i trembet pasojave ekonomike në rast të një furnizimi me artikuj me çmime të lira nga vendet e BE. Kremlini është i mendimit se Kievi nuk mund të mbajë njëkohësisht marrëdhënie të privilegjuara si me Moskën, ashtu edhe me Brukselin.