1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Austria voton: Të mbetur peng në histori

Në zgjedhjet presidenciale në Austri zhvillohet një duel mes populistit të FPÖ-së, Norbert Hofer dhe kandidatit të pavarur, Alexander van der Bellen. Në fushatë janë dëgjuar edhe krahasime me nazistët.

Edhe njëherë e njëjta fushatë zgjedhore, edhe një herë duele televizive të dy kandidatëve të mbetur, edhe njëherë sulme të ulta. Austriakët votojnë të dielën pasi kanë lënë pas një fushatë 11 mujore torturuese. Në numërimin e votimeve me letër në balotazh u konfirmuan gabime, vendosi Gjykata Kushtetuese në korrik. Me këtë u mor parasysh pretendimi i partisë populiste, të Jörg Haiderit, FPÖ për përsëritjen e raundit të dytë zgjedhor.

Ndoshta lidhej me tejzgjatjen e luftës politike, fakti që u bënë krahasime me nazizmin që në raundin e parë të tre dueleve televizive. Një përkrahës i FPÖ-së postoi në facebook një foto të kandidatit Alexander van der Bellen, foto zgjedhore, ku van der Bellen edhe tregohet i lidhur me natyrën, në foto ai bashkë me qenin e tij. Poshtë fotos tregoheshin dy foto të Hitlerit me qentë e tij. Lidhur me këtë van der Bellen pyeti kundërshtarin politik në duel, nëse ai pranon këtë postim. Hofer u kundërpërgjigj, se ai vetë është viktimë e kësaj, edhe në posterat zgjedhorë të tij vendosen kryqe naziste.

I rrënjosur mes patriotëve djalosharë

Sipas kampit të majtë e të qendrës në Austri, tek partia populiste e Liberalëve, FPÖ gjithmonë ka tingëlluar toni ekstremist i djathtë. Hofer vetë nuk e mohon se ai bën pjesë tek organizata patriotike djaloshare, "Marko-Germania zu Pinkafeld".

Publicisti dhe autori Hans-Henning Scharsach ka botuar një ese për lidhjet e Hoferit me skenën e djalosharëve, me tendenca ekstremiste të djathta, ku njihet Gjermania "si atdhe gjerman, pavarësisht nga kufijtë ekzistues”, si thuhet në manifestin e themelimit të organizatës. Për Scharsach lidhja gjermano-nacionale nuk shkëputet nga deklarata e Haiderit për "lindjen e deformuar të kombit austriak". Nuk është sekret që funksionarët e FPÖ-së janë të rrënjosur me skenën e patriotëve me tendenca ekstremiste.

"Fitorja e Hoferit e përballueshme nga demokracia"

Sipas publicistes, Barbara Tóth nga revista vjeneze "Falter" nacionalizmi i patriotëve djalosharë që duan kombin gjerman, sot lidhet me Austrinë. FPÖ e ka lidhur nocionin e vendlindjes me sukses tek klientela e saj. „Ata i përkasin prej kohësh FPÖ-së, e ky ka kohë që nuk është më skandal në Austri", thotë Barbara Tóth. Ndërsa Martin Engelberg, kryetari i partisë hebraike, Chaj është i kujdesshëm me kritikat ndaj FPÖ-së, pas suksesit të Hoferit në raundin e parë. Sipas tij një fitore e Hoferit do ta ndryshojë Austrinë, por edhe këtë do ta përballojë demokracia.

Aktivistë të FPÖ-së nuk e duan krahasimin e Hoferit me qarqet ekstremiste të djathta. Një aktiviste zgjedhore në Vjenë thotë, se "kjo nuk është aspak e vërtetë”. Për FPÖ-në është e qartë se kur nuk ka më me çfarë të luftohet, nxirret shpata e nazizmit. Redaktori i gazetës austriake, ”Kurier”, thotë se përdorimi i krahasimeve me nazistët në fushatën elektorale ka arsyet e veta. "Ne thjesht kemi deficite në përballimin me të shkuarën nacionalsocialiste”, thotë ai.