1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Austria nuk do të presë një zgjidhje europiane

Për sa kohë që BE nuk gjen një zgjidhje për krizën e refugjatëve, Austria do të ndjekë interesin kombëtar. Në konferencën e Ballkanit në Vjenë u debatua për kontrollimin e fluksit të refugjatëve.

Österreich Westbalkan Konferenz zur Flüchtlingskrise in Wien

Konferenca në Vjenë, 24.02.2016

Pa Gjermaninë! Pa Greqinë! Një konferencë e organizuar me shpejtësi! Ky ishte një mesazh i Austrisë ndaj Greqisë dhe BE-së. Po qe se Greqia nuk i mbron kufijtë e jashtëm të Shengenit, dhe do të vazhdojë të lejojë refugjatët drejt Europës, dhe nëse nuk ka asnjë zgjidhje europiane për krizën, atëherë Austria është e detyruar të ndjekë një zgjidhje kombëtare, tha ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz.

Në konferencën njëditore nën moton „Të menaxhojmë migracionin së bashku“ ishin të pranishëm ministrat e brendshëm dhe të jashtëm të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Bullgarisë, Kosovës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë. „Kemi ftuar të gjitha vendet e itinerarit ballkanik të prekura nga vendimi ynë.“

Gjermania duhet të vendosë

"Ne duam të përpiqemi të ulim fluksin. Deri më tani refugjatët janë dërguar drejt Europës Qendrore. Me këtë numër ne kemi probleme. Pranaj kemi vendosur edhe kufirin maksimal në 37.500 vetë, pra është një numër shumë i lartë, krahasuar me vende të tjera europiane. Ne nuk jemi josolidarë, por thjesht kemi arritur limitet e kapaciteteve tona“, thotë ministri i Jashtëm austriak Sebastian Kurz.

Mesazhe nga Vjena iu drejtuan edhe Gjermanisë. „Gjermania duhet të vendosë, se çfarë sinjalesh do të dërgojë. Në drejtim të Greqisë vazhdohet ende me politikën e dyerve të hapura, por nga Austria pritet që të ndalë fluksin. Këto janë thjesht dy mesazhe të ndryshme”, thekson ministrja e Brendshme, Johanna Mikl-Leitner.

Westbalkan Konferenz Sebastian Kurz Johanna Mikl-Leitner Wien Österreich

Ministri i Jashtëm austriak Sebastian Kurz dhe ajo e Brendshme Johanna Mikl-Leitner në konferencën e Vjenës

Konferenca në Vjenë pa Greqinë

Greqia nuk ishte ftuar në Vjenë, gjë që shkaktoi kritika në Athinë. Qeveria greke i trembet vendimeve që mund të keqësojnë gjendjen në kufirin greko-maqedonas. Ministria e Jashtme në Athinë u shpreh se Athina ka protestuar me notë diplomatike kundër konferencës së organizuar. Konferenca mbi këtë temë është „absolutisht e njëanshme dhe aspak një akt miqësor“, thekson Ministria e Jashtme në Athinë. Me këtë konferencë bëhen përpjekje të merren vendime, që prekin direkt Greqinë dhe kufijtë e saj.

Për këtë çështje u prononcua edhe ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz. „Nuk na mungojnë takimet, na mungon vullneti politik për të ndalur fluksin. Jemi takuar shpesh deri më tani dhe nuk ka pasur rezultate. Jemi takuar sot në një format ekzistues, dhe të gjithë të pranishmit punojnë për të njëjtin qëllim“, thotë Kurz.

Në Vjenë u debatua për një identifikim më të mirë të refugjatëve dhe regjistrimin e tyre, si edhe për faktin që drejt Europës duhen lejuar vetëm njerëz në nevojë. Austria i ka ofruar Maqedonisë ndërkohë ndihmën e policisë së saj. Numri i policëve austriakë në kufirin maqedonas aktualisht është rritur nga 6 në 20 vetë. Nga 1 prilli në Vjenë do të hapet një zyrë qendrore e Ministrisë së Brendshme, e cila do të koordinojë punën e policisë kundër kontrabandistëve në nivel europian.

Nikola Poposki West Balkan Konferenz Wien Österreich PK

Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Poposki

Mirëkuptim për Ballkanin

Parimisht të gjithë të ftuarit në Vjenë, ministrat e brendshëm dhe të jashtëm të vendeve të Ballkanit i mbështetën planet e Vjenës. Megjithatë „po qe se të gjitha vendet që kanë pranuar deri më tani refugjatë nuk kanë më kapacitete, atëherë kemi një problem serioz“, tha ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Poposki. „Në këtë moment kemi rreth 7.000 refugjatë që duan të shkojnë në Serbi, po ashtu kemi 5.000 refugjatë që presin në Greqi. Atje ata vërtet nuk janë në rrezik jete, por ky është një presion i madh për Maqedoninë dhe ne jemi mirënjohës për ndihmën e ofruar nga Austria“, thekson ministri i Jashtëm maqedonas, i cili vlerësoi në Vjenë përmirësimin e bashkëpunimit me Greqinë dhe Serbinë.

Kritika erdhën edhe nga ministrja e Brendshme sllovene, Vesna Gyökös Znidar. Ajo mbështeti qëndrimin e Vjenës dhe kritikoi BE-në dhe Greqinë. „Hapësira e Shengenit duhet të funksionojë edhe në të ardhmen. Sllovenia nuk mund të jetë viktimë e një politike të papërcaktuar në veri“, tha Znidar.

Edhe ministri i Brendshëm serb, Nebojsa Stefanovic u shpreh në të njëjtën linjë. „Po qe se Austria, Gjermania dhe Suedia nuk i mbyllin kufijtë, as ne nuk do ta bëjmë këtë. Nevojiten përmirësime në regjistrimin e refugjatëve. Ky është shumë kompleks dhe nga ana tjetër refugjatët, të cilët kanë vuajtur mjaft, nuk duhet ta përjetojnë një procedurë të tillë në çdo vend ku kalojnë“, u shpreh në Vjenë, ministri i Brendshëm serb.