1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Austri: për një fije floku jo një populist si president

Austriakët shpëtuan për një fije floku pa u bërë shteti i parë i BE-së me një president populist të djathë. Por rezultati është pak ngushëllim për përkrahësit e BE-së, mendon Bernd Riegert.

Pas një zgjedhjeje emocionuese austriakët shpëtuan për një fije floku pa u bërë turp i botës. Presidenti i ri nuk do të jetë populisti i djathtë Norbert Hofer, por profesori i majtë liberal, Alexander Van der Bellen. Në pjesën tjetër të Evropës shumë njerëz të thjeshtë dhe politikanë të lartë si nga partitë konservatore edhe ato social-demokrate kishin frikë se në Austri mund të vinte në krye të shtetit, për herë të parë në BE, një populist i djathtë. Van der Bellen fitoi në një fushate zgjedhore polarizuese vetëm me një minimum të vogël votash.

Për Austrinë këto zgjedhje presidenciale ishte në një mënyrë ose në një tjetër një tërmet politik. Votuesit ndëshkuan partitë që mbajnë koalicionin qeverisës, social-demokratët dhe konservatorët. Qendra u shpërbë dhe mbetën kandidatët e skajeve të spektrit politik, zgjedhja ndërmjet të cilëve ishte më tepër një torturë. Shumë votues votuan për Van der Bellen, jo sepse ata e konsiderojnë politikanin e të Gjelbërive si politikan të mrekullueshëm, por për shkak se ata donin të parandalonin një populist të djathtë. Zgjedhjet treguan gjithashtu se sa të fortë janë tani në spektrin konservator kombëtar në Austri skeptikët ndaj BE-së, kritikuesit e fesë islame, kundërshtarët e migracionit.

Bernd Riegert

Bernd Riegert

Paralajmërim për Evropën

Konservatorët e djathtë dhe ekstremistë në Austri do ta përdorin mbështetjen që gjetën në këto zgjedhje për zgjedhjet parlamentare 2018. Norbert Hofer, i cili javët e fundit e prezantoi veten si njeri i butë, ndërkohë që më parë kishte kontakte aktive me qarqet ekstreme të krahut të djathtë, kishte premtuar se nëse do të fitonte në zgjedhje donte të ndryshonte sistemin. Si president ai do të zbatonte më tepër demokraci të drejtpërdrejtë dhe të përmbyste koalicionin e madh mes social-demokratëve dhe konservatorëve.

Prirja në BE duket se po shkon qartë drejt populizimit të djathtë dhe të majtë si dhe rikombëtarizimit. Në Finlandë populistët e djathtë janë në qeveri. Poloni dhe në Hungari kryeministrat janë nga parti të tilla. Në Sllovaki dhe Greqi janë pjesë e qeverisë populistë të majtë skeptikë ndaj Evropës. Në Itali lëvizja populiste e majtë "Pesë Yje" përbën forcën e tretë në parlament. Në Francë socialistët dhe konservatorët po ndjejnë gjithnjë e më fort presionin e populistëve të Frontit Kombëtar. Vitin e ardhshëm Marine Le Pen do të hyjë për Frontin Kombëtar në garën për president. Në Gjermani, partia nacionaliste "Alternativa për Gjermaninë" e cila është jashtëzakonisht kritike ndaj migrimit, BE-së dhe fesë islame, është në rritje. Lista mund të vazhdojë.

Kundër kësaj prirjeje partitë në pushtet, që janë për BE-në, nuk kanë gjetur ende ndonjë zgjidhje. Drama në Austri ishte një paralajmërim i fundit.

Në rast se në Austri do të kishin fituar populistët e djathtë, kjo do të çonte me siguri ujë edhe në mullinjtë e "Brexit" - referendumit të propozuar në lidhje me anëtarësinë e Britanisë së Madhe në Bashkimit Evropian. Referendumi në Mbretërinë e Bashkuar zhvillohet muajin e ardhshëm. Populistët britanikë kanë arritur atë për të cilën ekstremistët e majtë dhe të djathtë në kontinent janë ende duke ëndërruar: mundësinë reale për t'u tërhequr BE që është bërë si fantazmë. Edhe në Britani përfundimi mund të jetë po aq u ngushtë sa në Austri. Evropa po ndryshon, ajo po thërrmohet nga brenda. Kush mund ta ndalojë këtë zhvillim të rrezikshëm?