1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Aushvici para Gjykatës

Në dhjetor 1963 nisi në Frankfurt "Procesi i Aushvicit". Të mbijetuarit takojnë ish-munduesin. Shtypi raporton. Për herë të parë në Gjermani diskutohet për krimet e Holokaustit.

Dhjetor 1963. Ekonomia lulëzon, njerëzit kanë para që të blejnë dhurata Krishtlindjeje për familjet e tyre. Vështrimi është drejtuar përpara, lufta ka kaluar që prej 18 vjetësh. Për ato që kanë ndodhur, për veprat që kanë kryer nën regjimin nacionalsocialist njerëzit me të cilët sot jeton derë më derë - për këtë nuk flet askush. Ndryshe është puna me Fritz Bauerin. Prokurori i Përgjithshëm i Hessenit dhe një ekip kryesisht juristësh të rinjsh kanë gjetur dëshmitarë nga e gjithë bota, të cilët i kanë bindur të vijnë në Frankfurt mbi Main, për të deponuar për atë që u kanë bërë gjermanët.

Më 20 dhjetor 1963 fillon i ashtuquajturi "Proces i Aushvicit në Frankfurt" dhe kjo para së gjithash i dedikohet Fritz Bauerit. Baueri ka ardhur më 1949 nga emigrimi në Suedi dhe shpejt bëri emër, pasi arriti që t'i rehabilitojë luftëtarët e rezistencës të 20 korrikut 1944. Ai kundërshton vendimet e gjyqeve naziste, me argumentin se regjimi nazist "nuk ka qenë shtet i së drejtës, por shtet i padrejtësive". Ai është njeriu që së fundi, prej vitit 1963 sjell para një gjykate gjermane procesin e parë dhe më të madh gjyqësor kundër krimeve të Holokaustit.

Frankfurter Auschwitzprozess 1963 Robert Mulka

Robert Mulka në procesin e Aushvicit në Frankfurt në vitin 1963

Gjykata si klasë mësimi

Më shumë se 360 dëshmitarë deponojnë para Gjykatës së Frankfurtit dhe përhapin në këtë mënyrë "para publikut tmerrin, që do të jetë i lidhur gjithmonë me emrin Aushvic", kështu shprehet kryegjykatësi Hans Hofmeyer. 211 nga dëshmitarët janë të mbijetuar të këtij kampi më të madh të përqendrimit dhe të asgjësimit.

Prokurori Fritz Bauer është i interesuar që t'u mësojë gjermanëve qëndrimin e përgjegjshëm për vetveten. Ron Steinke që ka shkruar një biografi për prokurorin tregon se njëherë e pyetën se cili është për të thelbi i procesit të Aushvicit, "Ti duhet të thuash jo", u përgjigj ai edhe përballë urdhërdhënësve, kur urdhëri është krim kundër njerëzimit. Baueri mori si model Gjyqet e Nyrnbergut, ku prej vjeshtës 1945 janë në bankën e të akuzuarve përfaqësues të regjimit nacionalsocialist. Edhe në procesin e Aushvicit, të akuzuarit i zgjedhin të tillë, që përfaqësojnë sistemin kriminel të kampit.

Të akuzuarit thonë se nuk dinin gjë

Në Frankfurt, në bankën e të akuzuarve janë 22 vetë. Robert Mulka, ish-adjutanti i komandantit të kampit, Rudolf Höß është i akuzuari kryesor. Krahas tij janë mjekë, farmacistë dhe mbikqyrës. Por Mulka vendos, si shumica e të akuzuarve që të heshtë dhe të mohojë gjithçka. Për masakrimin e miliona vetëve në dhomat e gazit në Aushvic-Birkenau, ai thotë se nuk ka ditur gjë. Në ditën e 79-të të gjykimit, dëshmitari dhe ish-i burgosuri Josef Glück e përmbledh kështu dëshpërimin e tij për qendrimin e të akuzuarve. "Më duhet t'ju them se unë mësova gjithçka që pas ditës së dytë të qendrimit atje. Por jo vetëm unë. Ky djalë i vogël, ju lutem, ishte 16 vjeç. Ai quhet Andreas Rapoport. "Me zë të dredhur atij i kujtohet ky i ri në Aushvic.'Ai më thirri: "Xhaxha, unë e di që do të më duhet të vdes. Thuaji nënës sime se kam menduar për të deri në momentin më të fundit.' Ju lutem, ky djalë i vogël, ai e ka ditur se çfarë ndodh atje. Kurse zotërinjtë jo." Edhe pas këtyre deklaratave tronditëse, tek të akuzuarit nuk vërehet ndryshim qendrimi.

Auschwitz Konzentrationslager Baracken 25

Kampi i Përqendrimi në Aushvic-Birkenau

Për herë të parë flitet për Holokaustin

Por ky proces shkakton diçka në shoqërinë gjermane. Sepse për herë të parë që prej fundit të luftës, me fillimin e procesit në Gjermani flitet hapur për krimet e nacionalsocializmit. 20.000 vetë vijnë për ta parë procesin. Para së gjithash nxënës dhe studentë duan të dijnë se çfarë ka bërë brezi i prindërve, që nuk flet me ta për të kaluarën.

Më 19.8.1965 - pas 20 muajsh negociatash - për "Çështjen Mulka dhe të tjerët" lexohen vendimet. Të akuzuarin kryesor e akuzojnë për "ndihmë në kolektiv për vrasje në kolektiv" vetëm me 14 muaj punë të detyruar. Vetëm gjashtë vetëve qe e mundur t'ju vërtetohej se kishin vrarë.

Edhe sot, gati 70 vjet pas Luftës së Dytë Botërore bëhen hetime kundër krimeve naziste. Sepse vrasja nuk zhvlerësohet asnjëherë si krim, megjithë kalimin e kohës.