1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Atmosferë elektrizuese pak para zgjedhjeve në Gjermani

Tri ditë para zgjedhjeve për Parlamentin federal në Gjermani, nervoziteti është në rritje: kush do të hyjë në parlamentin e ri? Sondazhet e fundit tregojnë se rezultati do të jenë shumë i ngushtë.

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës (22.09.) në Gjermani, pritet një garë kokë më kokë. Këtë e tregojnë dy sondazhe të reja. Njëri prej tyre, i realizuar nga kanali publik ZDF, flet për një shumicë shumë të lehtë të koalicionit deri tani në qeveri mes konservatorëve (CDU/CSU) dhe liberalëve (FDP). Sipas tij CDU/CSU dhe FDP pritet të marrin 45,5 për qind të votave. Socialdemokratët (SPD), ekologjistët dhe të majtët parashikohen në nivelin 44,5 për qind.

Ndërsa sipas një sondazhi të institutit Insa për gazetën "Bild", koalicioni konservatoro-liberal me 44 për qind të votave nuk do të arrijë të marrë shumicën. SPD, ekologjistët dhe të majtët mund të marrin së bashku 45 për qind. Ndryshe nga sondazhi i ZDF-së, sipas anketimit të Insa-s, partia populiste e djathtë "Alternativa për Gjermaninë", me orientim kritik ndaj Evropës do të kapërcejë kufirin prej 5 për qind për të hyrë në parlament.

Kritikë nga Lammert

Megjithëse sondazhet janë bërë gjithnjë e më të saktë vitet e kaluara, marzhi i gabimit është mes dy dhe tre për qind. Për shifrat aktuale të sondazheve kjo do të thotë se rezultati i garës është plotësisht i hapur. Presidenti i Bundestagut Norbert Lammert (CDU) paralajmëroi për këtë arsye ndaj publikimit të rezultateve të sondazheve pak para zgjedhjeve. Për gazetën "Rheinische Post" Lammert tha se nuk i konsideron arritje "njoftimet e përditshme për ndryshimin e përqindjeve deri në ditën e zgjedhjeve". Ndërsa publikimet e sondazheve në ditën e zgjedhjeve "duhet të jetë në mënyrë të vetëkuptueshme të palejueshme". Këtë vlerësim ai e argumentoi me rrezikun e "ngatërrimit të rezultateve të sondazheve me ato të zgjedhjeve".