1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Atmosferë e akullt mes SHBA dhe Rusisë

Ndoshta një bisedë do të sillte sqarime. Por Obama dhe Putin nuk duan të bisedojnë. Vizita në Moskë u anulua, atmosfera mes dy vendeve përtokë. Vëzhguesve u kujtohet epoka e marrëdhënieve të akullta.

Pezmatimi është i thellë në Shtëpinë e Bardhë. Aq i thellë sa Presidenti Obama rrezikon një shkallëzim të mëtejshëm me anulimin e pashembullt të samitit të planifikuar në fillim të shtatorit në Moskë me Presidentin rus Vladimir Putin. Ndërkohë raporti mes dy vendeve është i tensionuar. A është vendimi i Obamës një lëvizje e zgjuar politike? Apo ndoshta Presidenti, i cili të jep përshtypjen e dikujt që nuk di më çfarë të bëjë, ka lënë të lirë zemërimin e tij dhe është dorëzuar para presionit nga politika e brendshme?

Argumentimi i Obamës ka një qartësi të rrallë. Kush mund ta kundërshtojë, kur tani ankohet për mungesë përparimesh në thuajse të gjitha fushat e rëndësishme politike: nga armatimet tek marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike e deri tek çështjet e sigurisë globale dhe të drejtat e njeriut. Vendimin e autoriteteve ruse për t'i dhënë azil ish-punonjësit të shërbimit sekret amerikan dhe informatorit të Wikileaks Edward Snowden, Obama e përmendi në fund. Ai duket se ka qenë shkaku i fundit për anulimin e takimit.

Eksperti: anulimi i vizitës është një gabim

Matthew Rojanski nga instituti Kennan në Washington e konsideron të gabuar vendimin e Obamës: "Është para së gjithash gabim të deklarosh anulimin e vizitës përpara së të mbahet këtë të premte i ashtuquajturi takim "Dy plus dy" i ministrave të mbrojtjes dhe të jashtëm të të dy vendeve." Kështu nga bisedimet që zhvillohen në Washington nuk priten impulse pozitive. I vetmi lajm "i mirë" në këtë kontekst është që Obama të paktën do të marrë pjesë në samitin e G-20 në Shën Petërburg.

Edward Snowden Visum für Russland 01.08.2013

Rasti Edward Snowden e bën uashingtonin më të rezervuar ndaj Moskës

Sipas Rojanskit, anulimi i bisedimeve nga Obama bazohet në një vlerësim krejt të gabuar të mentalitetit rus: "Strategjia e dënimit dhe pritjes që rusët të kuptojnë gabimin, nuk funksionon. Nuk është kjo dinamika e këtyre marrëdhënieve. Një neglizhim i rusëve nga zemërimi dhe zhgënjimi ka pasoja shkatërrimtare."

Rusia nuk e ndjen veten anëtar me të drejta të barabarta

Reagimi i Rusisë duket se i jep të drejtë Rojanskit. Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme Yuri Ushakov shprehu menjëherë keqardhje dhe u shpreh sipas agjencisë Reuters, se rusët nuk ndjehen të trajtuar si "partnerë të barabartë" nga SHBA.

Nga ana tjetër është ashpërsuar edhe toni i amerikanëve. Senatori demokrat Chuck Schumer, tha të mërkurën (07.08.2013) në kanalin CNN se Putini po përpiqet ta bëjë Rusinë përsëri një "fuqi të madhe". Nuk ka kuptim "t'i tregohet respekt" atij në bisedime bilaterale. Një ditë para bërjes publike të anulimit të bisedimeve Obama ishte shprehur se rusët "ishin rikthyer në mënyrën e mendimit dhe mentalitetin e Luftës së Ftohtë".

Çfarë roli ka luajtur trysnia në politikën e brendshme?

Sigurisht Obama nuk ishte krejtësisht i lirë në vendimin e tij: pasi informatori Edward Snowden mori lejen e kufizuar të qëndrimit nga autoritetet ruse, disa senatorë kërkuan bojkotimin e Lojërave Olimpike në Soçi në 2014 dhe zhvendosjen e samitit të ardhshëm të G-20 nga Shën Petërburgu në një tjetër vend. Dhe në gazeta nga New York Times te Wall Street Journal, kritikohej vazhdimisht qendrimi i butë i Obamës ndaj rusëve.

NATO Außenminister Treffen 23.04.2013

Bashkëpunimi mes dy qeverive do të vazhdojë: John Kerry dhe Sergei Lawrow

Indinjata dhe zhgënjimi luajnë një rol të rëndësishëm në Washington kur flitet për Rusinë. Rasti Snowden e ka çuar në një kufi të ri frustrimin tek Presidenti dhe Kongresi. Amerikanët janë të zhgënjyer edhe me qendrimin rus ndaj luftës civile në Siri dhe konfliktit me Iranin. Rasti Snowden pra është simptomatik për një marrëdhënie të vështirë, së cilës Presidenti i sapozgjedhur Obama në 2009 donte t'i jepte "një fillim të ri".

Varësi reciproke

Matthew Rojanski megjithatë është kundër reagimeve radikale: "Fakti që Rusia nuk bashkëpunon sipas pritjeve të Shtëpisë së Bardhë, nuk do të thotë se nuk ka shpresa për bashkëpunim apo se Rusia është armiku ynë. Këto janë konkluzione ekstreme nga një kohë kur marrëdhënia ishte shumë e vështirë."

Sigurisht Washingtoni përgatitet ndërkaq për kohën pas Putinit. Por deri atëherë duhet të gjejnë një rrugë për të pranuar raportet edhe me pasojën që Rusia të humbasë rëndësinë si partner për SHBA-në. "Kjo është një marrëdhënie që do të jetë e dorës së dytë", thotë Rojanski në bisedë me Deutsche Welle. Por "e dorës së dytë për të gjitha interesat e rëndësishme kombëtare të amerikanëve" për të do të thotë megjithatë: SHBA nuk mund t'ia lejojnë vetes të neglizhojnë rusët. "Rusia ulet në të gjitha tryezat vendimmarrëse dhe problemi ynë është që rusët tani do të profilizohen gjithnjë e më shumë si kundërshtarë. Nuk sjell asgjë ta luftosh zjarrin me zjarr."