1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Atifete Jahjaga: Nuk do të amnistohet asnjë shkelje e procesit zgjedhor në Kosovë

Gjermania luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për Kosovën, thotë Presidentja Jahjaga në bisedë me DW. Ajo flet edhe për zgjedhjet, vizitat e autoriteteve serbe, raportet me Serbinë, Shqipërinë e Madhe, fenë...

Atifete Jahjaga dhe Joachim Gauck

Atifete Jahjaga dhe Joachim Gauck

Deutsche Welle: Zonja Presidente, cili ishte qëllimi i vizitës suaj në Berlin dhe si i vlerësoni raportet me Gjermaninë?

Atifete Jahjaga: Këtë vizitë e vlerësoj si jashtëzakonisht të rëndësishme. Gjermania është një vend mik, i cili e ka mbështetur Kosovën në të gjitha periudhat më të rëndësishme të historisë më të re të saj. Republika e Gjermanisë ka qëndruar përkrah Kosovës që prej prej kohës së luftës dhe pas çlirimit të saj, në procesin e rindërtimit dhe rimëkëmbjes si dhe në procesin e shtetndërtimit. Gjermania e ka mbështetur dhe do të mbështesë rrugën evropiane të Kosovës. Me Presidentin e Republikës së Gjermanisë, zotin Joachim Gauck kemi pasur një bisedë jashtëzakonisht të mirë dhe shumë miqësore. Kemi biseduar për avancimin e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Gjermanisë, për thellimin e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm, me theks të veçantë në ekonomi. Kemi biseduar edhe për procesin e integrimeve evropiane dhe për normalizimin e marrëdhënieve në rajonin e Evropës Juglindore. Vizita në Gjermani po bëhet në një fazë të rëndësishme të konsolidimit të Kosovës. Në këtë kohë na duhet një përkrahje në procesin e avancimit të proceseve të reformimit të brendshëm. Ftesa e presidentit të Gjermanisë është ftesë për bashkëpunim të ndërsjelltë dhe për avancimin e procesve të rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi ynë dhe i gjithë rajoni i Evropës Juglindore (EJL).

DW: Cilat ishin mesazhet e presidentit Gauck, pasi që dihet se Gjermania është një prej faktorëve më të rëndësishëm jo vetëm sa i përket çështjes së Kosovës por edhe për të gjitha zhvillimet e tjera në Evropë?

Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga: Mesazhet ishin jashtëzakonisht pozitive për shtetin e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj. Presidenti Gauck ka dërguar mesazhe të mbështetjes së fuqishme të Republikës së Kosovës. Janë këto mesazhe të mbështetjes për gjitha proceset nëpër të cilat po kalon shteti jonë, mesazhe të mbështetjes së agjendës evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit të EJL.

DW: Zonja Presidente, Gjermania i ka mbështetur të gjitha proceset demokratike dhe reformat në Kosovë, por Kosova tani gjendet para një provimi ku duhet të dëshmojë veteveten: A kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe a është Kosova e gatshme për zgjidhje të lira dhe demokratike?

Atifete Jahjaga: Roli i Gjermanisë ka qenë dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm në Ballkan, si një vend i fuqishëm i Bashkimit Evropian. Gjermania ka një politikë parimore karshi Evropës Juglindore. Qëndrimi i saj ndihmon në ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit dhe paqës, ndihmon vendet e këtij rajoni që të ecin në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre. Gjermania ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në periudhën para, gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Ajo tani po vendos parimin e ndërtimit të vlerave demokratike në gjithë këtë pjesë të Evropës. Sa i përket procesit të zgjedhjeve, fushata ka kaluar deri brenda normave demokratike dhe nuk kemi pasur ndonjë vërejtje serioze nga subjektet politike. Ne jemi duke krijuar një kulturë të mirë demokratike për procesin e zgjedhjeve. Është shumë me rëndësi që të kemi zgjedhje demokratike dhe të lira, zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe proces të ndershëm. Kosova i ka krijuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm për të siguruar paprekshmërinë e secilës votë. Unë kam thënë disa herë por dua të përsëris: ky proces i zgjedhjeve lokale është një test për demokracinë dhe rrugën evropiane të Kosovës. Kjo shpreh edhe shkallën e demokratizimit të shoqërisë sonë. Kredibiliteti i këtyre zgjedhjeve tregon përgjegjshmërinë se vota është e lirë, se garantohet dhe nuk mund të manipulohet. Dua ta ritheksoj se asnjë shkelje nuk është e amnistuar dhe nuk do të amnistohet gjatë këtij procesi.

DW: Këto premtime me siguri që i mirëpresin të gjithë qytetarët e Kosovës. Por një sfidë shumë e madhe e këtyre zgjedhjeve është edhe pjesëmarrja për herë të parë në votime e serbëve të veriut. Cili është mesazhi juaj për serbët dhe cili është mesazhi i pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje?

Atifete Jahjaga: Ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse për herë të parë zgjedhjet mbahen në të gjithë territorin e Kosovës, pra edhe në katër komunat e veriut. Është shumë e domosdoshme që të kemi një pjesëmarrje masive në zgjedhje dhe unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre themelore - të marrin pjesë në zgjedhje. Kështu ata mund t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitim dhe legal, të cilët do t'i përfaqësojnë interesat e tyre dhe do t'i udhëheqin komunat, duke respektuar kushtetuën dhe ligjet e Kosovës. Këto janë zgjedhje për Kosovën, për qytetarët e Kosovës dhe për të ardhmen e përbashkët. Pra, këto janë zgjedhje të cilat do ta përcaktojnë të ardhmen e Kosovë dhe do të kontribuojnë në integrimin e mëtejshëm të komuniteteve, në veçanti të komunitetit serb, i cili deri tani nuk ka mundur t'i marrë benefitet duke qenë viktimë e strukturave të caktuara në atë pjesë.

DW: Zonja Presidente, Ju mendoni se ky është një shans shumë i mirë për integrimin e serbëve në institucionet dhe strukturat e Kosovës. Por ka analistë të cilët thonë se këto zgjedhje janë vetëm fillimi i procesit të ndarjes së Kosovës, sepse në veri do të krijohen disa struktura të cilat nuk kanë ekzistuar më parë. Cili është mesazhi juaj për ata që kanë frikë nga ndarja e Kosovës?

Atifete Jahjaga: Kosova është një dhe e pandashme. Është një shtet demokratik që synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kosova është një shtet që krijon të gjitha mundësitë dhe parakushtet që secili komunitet t'i realizojë të drejtat e veta individuale dhe kolektive, të gjitha të drejtat që garantohen me ligje dhe me kushtetutë si dhe me konventat ndërkombëtare. Nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka shkëmbim territoresh apo shkëmbim të popullsisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, me territor të garantuar territorial, shtet i njohur nga më shumë se 100 vende anëtare të OKB. Ndërkohë ajo ka vendosur me një numër të konsiderueshëm të vendeve marrëdhënie bilaterale. Ndaj asnjë proces nuk do të kthehet mbrapa por do të lëvizin përpara. Në Kosovë nuk ka bashkëqeverisje apo bashkëorganizimin me askend tjetër.

DW: Pse mendoni se vizita e kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq nuk ka pasur ndonëj vlerë të madhe, siç e keni thënë këto ditë?

Atifete Jahjaga: Sa i përket vizitave të zyrtarëve të Serbisë, respektivisht të kryeministrit të shtetit fqinj, Ivica Daçiq, ajo është realizuar mbi bazat e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Këto vizita duhet t'i përmbushin edhe kushtet e caktura, të parashikuara për këto vizita. Leja jepet nga organet e Kosovës, në bashkëpunim me përfaqësuesit e BE. Deklaratat që po jepen nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë dhe janë deklarata nacionaliste. Ato nuk i ndihmojnë askujt dhe as vetë serbëve të Kosovës. Ne si popull si liderë të Kosovës jemi të angazhuar deri në maksimum që të bëjmë integrimin e serbëve në institucione. Por nuk duhet harruar se në bazë të disa statistikave në Kosovë kemi rreth 150.000 serbë. Mbi 100.000 prej tyre janë plotësisht të integruar në jetën institucionale dhe kanë qenë pjesë e të gjitha procesve të shtet-ndërtimit të Kosovës pas luftës. Në veri kemi rreth 50.000 serbë të cilët deri më tani kanë refuzuar autoritetin e institucioneve të vendit. Ne angazhohemi fuqishëm në drejtim të integrimit të tyre në jetën institucionale. Vizitat e përfaqësuesve të Serbisë në kohën e zgjedhjeve nuk i kontribuojnë proceseve demokratike në Kosovë dhe në rajon.

DW: A e keni menduar mundësinë që ju të vizitoni Beogradin, në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin?

Atifete Jahjaga: Kosova është shumë e përkushtuar për ndërtimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit duke përfshirë edhe shtetin fqinj të Serbisë. Kosova po ndërton ura të raporteve të mira me të gjitha shtetet në rajon. Interesi ynë dhe i të gjitha vendeve në rajon është integrimi në BE. EJL është pjesë e pandashme e BE dhe rruga e integrimeve është e pamohueshme dhe e drejtë. Procesi i integrimeve është një proces i gjatë dhe i rëndë, por i domosdoshëm dhe i rëndësishëm. Të gjitha vendet që duan të antarësohen në BE duhet të përfundojnë reformat për të arritur standardet dhe kriteret e përcaktuara nga BE. EJL ka ecuar përpara dhe stabiliteti nuk mund të mbetet peng e asnjë raporti të ngrirë mes shteteve të kësaj pjese të Evropës. Neve na duhet më shumë vullnet dhe guxim për të tejkaluar vështirësitë e së kaluarës dhe për të ecur drejt një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Ka ardhur koha që të tregojmë se jemi të gatshëm që të bëhemi pjesë e BE, duke njohur realitetet e krijuara dhe duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e njëri-tjetrit. Bashkëpunimi është i dosmodoshëm në rrugën e integrimit evropian. Gjithë ky proces do të përfundojë me njohjen shtetit të Kosovës prej Serbisë, dhe vendosjen e raporteve diplomatike.

DW: Dhe në këtë kuadër, ju me siguri që jeni të gatshëm t'i vazhdoni kontaktet me të gjitha autroitetet e Serbisë, apo jo?

Atifete Jahjaga: Çështja e takimeve në nivelet e larta mes autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë më nuk është ndonjë lajm. Kemi pasur disa takime të presidentëve, kryeministrave dhe në të gjitha nivelet e tjera. Kosova po faktorizohet gjithnjë e më shumë në takimet rajonale, si faktor i barabartë.

DW: Zonja Presidente, Kosova dhe Shqipëria kanë zhvilluar vitet e fundit raporte shumë të mira mes tyre. Por në disa shtete të rajonit dhe në disa qarqe në Perëndim shpesh flitet për mundësinë e bashkimit të tyre dhe krijimit të një Shqipërie të Madhe. Sa janë reale kërkesat për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në këtë moment?

Atifete Jahjaga: Ne si popuj dhe si shtete nuk duhet të jemi peng të ideve të cilat kanë ekzistuar në një periudhë të caktuar. E ardhmja e Kosovës dhe Shqipërisë dhe e të gjitha vendeve të rajonit është anëtarësimi në BE. Të gjitha shtetet janë të ndërtuara sot në konceptin e shtetit qytetar, ku të gjithë qytetarët i gëzojnë liritë dhe të drejtat e barabarta, duke realizuar edhe detyrat e tyre, siç e parashikojnë të gjitha konventat ndërkombëtare. Ne po synojnë anëtarësimin në BE, në familjen e popujve dhe vendeve të lira. Brukseli do të jetë vendi që do t'i bashkojë të gjitha vendet dhe kombet jo vetëm të EJL por edhe më gjërë.

DW: Kohët e fundit keni pasur raporte bukur të tendosura edhe me Maqedoninë. A janë tejkaluar këto probleme?

Atifete Jahjaga: Kosova ka një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me të gjitha vendet e rajonit. Ne jemi një shembull i bashkëpunimit të mirë me të gjitha vendet e rajonit duke përfshirë këtu edhe marrëdhëniet me Republikën e Maqedonisë. Ne kemi një numër të madh të memorandumeve të bashkëpunimit, të cilat po zbatohen shumë mirë. Çështja të cilës i referoheni në këtë pyetje, nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë në marrëdhëniet shumë të mira mes Maqedonisë dhe Kosovës.

DW: Zonja Presidente, edhe një pyetje të fundit: brenda 24 orëve të fundit në rrjetet sociale, gati 20.000 persona janë shprehur kundër deklaratës suaj që në shkolla të mos mbahen shami? Cili është raporti mes fesë dhe shtetit në Kosovë, pasi ka analistë që thonë se një pjesë e shoqërisë kosovare po shkon drejt radikalizimit fetar?

Atifete Jahjaga: Presidentja e Republikës se Kosovës është garantues i kushtetushmërisë dhe funksionimit të shtetit demokratike të Kosovës. Me kushtetutë Kosova është e definuar si shtet laik, ku secili qytetar gëzon të drejtën që të ushtrojë të drejtat e veta fetare, pavarësisht se çfarë feje i përket. Sipas Kushtetës së Kosovës, shteti është i ndarë prej fesë.