1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ati i Shenjtë përfundon vizitën e tij në Tiranë

Vlerësim i lartë i bashkëjetesës fetare në Shqipëri, qortim i ashpër ndaj ekstremistëve, që kryejnë akte dhune në emër të fesë.

Rreth 300 mijë vetë pritën të dielën ( 21 shtator 2014) në Bulevardin e Dëshmorëve në Tiranë, Papa Franceskun dhe ndoqën Meshën e Shenjtë, në sheshin “Nënë Tereza. Për disa orë ky shesh u bë i krahasueshëm me sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për nga numri i njerëzve, entuziazmi dhe duartrokitjet e zjarrta. Katolikë dhe ortodoksë, myslimanë dhe bektashi nga Tirana dhe gjithë Shqipëria, vendet fqinjë, por edhe nga Austria dhe Zvicra e shndërruan këtë shesh në një dëshmi elokuente të bashkejesës paqësore mes feve në Shqipëri, e çmuar lart dhe e promovuar nga Ati i Shenjtë Papa, gjatë vizitës së tij apostolike në Tiranë si “ shembull frymëzimi” per shumë vende të botës.

Jemi myslimanë, duam bekimin e Papës

Mes flamujve të Vatikanit, me të cilët pjesëmarrësit përshëndetën Papa Franceskun, syri të zinte edhe pllakatin, ku shkruhej “Respektoj Biblën dhe Kuranin se jam shqiptar”, thënie që përmbledh thelbin e tolerances dhe bashkejetesës paqësore mes besimeve fetare në Shqipëri. Në fjalën e mbajtur ne takimin me autoritetet e larta të Tiranës Ati i Shenjtë e lavdëroi bashkëjetesën paqësore fetare në Shqipëri si një ”karakteristikë fatlume” dhe “pasuri të çmueshme për vendin dhe kohën tonë”. Ati i Shenjtë e vlerësoi realitetin e marrëdhënieve mes besimeve fetare në Shqipëri si një provë, që “bashkejetesa paqësore dhe e frytshme mes komuniteteve dhe besimtarëve të feve të ndryshme nuk është vetëm e dëshirueshme, por edhe e mundshme dhe realiste.”

Një grup djemsh dhe vajzash të reja, me flamujt e Vatikanit në dorë thanë për DW se janë anëtarë të organizatës së Rinisë në Komunitetin Mysliman të Tiranës. "Jemi këtu, se duam ta shohim, ta prekim dhe të marrim bekimin e Papës. Duam të lutemi edhe ne për punë të mbara”, thanë ata për DW.

Në konferencën e shtypit të zëdhënësit te Vatikanit At Frederico Lombardi, ai bëri me dije se për Papa Franceskun vizita në Tiranë është "një bekim për të gjithë shqiptarët”.

Të vrasësh në emër të Zotit - sakrilegj i rëndë

Papa Francesku nuk përmendi me emër militantët e Shtetit Islamik, që në territoret e mëdha të Sirisë dhe Irakut, të pushtuara prej tyre, persekutojnë grupe të ndryshme fetare. Por ai la të kuptohet qartë se e kishte fjalën për ata, kur kritikoi rëndë dhe denoncoi ashpër nga Tirana “grupet ekstremiste, që kanë shtrembëruar shpirtin fetar autentik dhe dallimet fetare” dhe që në emër të fesë “ushtrojnë akte dhune, që pengojnë harmoninë mes njerëzve me besime të ndryshme fetare”.

"Askush të mos mendojë se mund të përdorë Zotin si mburojë, kur kryen akte dhune dhe shtypjeje. Askush të mos e përdorë fenë si pretekst, kur kryen veprime në kundërshtim me te drejtat themelore të njeriut, në rradhë të parë me të drejtën e jetës dhe lirisë fetare të të gjithëve”, tha Ati i Shenjtë në fjalën para autotiteteve të larta të Tiranës dhe trupit diplomatik..

Duke vijuar denoncimin pa ekuivok ndaj kësaj dukurie të rrezikshme të kohës sonë Papa Francesku tha në takimin me krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri se “të vrasësh në emër të Zotit është një sakrilegj i rëndë. Të diskriminosh në emër të Zotit është çnjerëzore”. Ai la të kuptohet rrezikshmërinë e shfaqjeve diskriminuese në emër të fesë kur u tha krerëve të komuniteteve fetare në Shqipëri se “të gjitha format, që paraqesin një përdorim të shtrembëruar të fesë duhen refuzuar me forcë si false”

Kujtesë e gjallë për martirët e besimit fetar.

Në meshën me besimtarët katolikë në Katedralen e Shën Palit, Ati i Shenjtë u mallëngjue shumë dhe nuk e mbajti dot lotin, kur dëgjoi dëshminë e priftit të moshuar Ernest Simoni (Troshani). Në moshën 84 vjeçare ai përshkroi para Papa Franceskut martirizimin e tij 30 vjeçar nga regjimi komunist: arrestimin në vitin 1963, burgimin, dënimin me vdekje, mbijetesën, punën e detyruar në miniera, vetëm sepse ishte prift dhe si i tillë armik i shtetit. “Pas shembjes së regjimit komunist dhe lejimit të fesë shërbej si prift në 110 duke larguar urrejtjen dhe djallin nga zemrat e njerëzve” tha at Ernest Simoni Troshani. Kjo dëshmi e rrallë nga një prift, që përjetoi persekutimin në Shqipërinë komuniste, të shpallur ne ate kohë“vendi i vetëm ateist në botë”e emocionoi shumë Atin e Shenjtë. Ai i rezervoi priftit te mbijetuat katolik nje përqafim të ngrohtë, të gjatë, mbështeti ballin e vet mbi ballin e tij dhe nuk i mbajti dot lotët. “Preka sot, këtu, martirët”, tha Papa Francesku.

Sinjal që shkon përtej Shqipërisë

Burime nga Kisha Katolike në Tiranë thanë sot për DW se me t' u kthyer mbrëmë në Rome Ati i Shenjtë ka deklaruar se filloi me Shqipërinë udhëtimet e tij në Europë për të dhënë një mesazh”.

“Mesazhi shkon përtej Shqipërisë, që ka filluar një rrugë bashkëpunimi mes besimeve fetare dhe kulturave të ndryshme, që shkon përtej kufinjve të saj pikërisht në vendet e tjera, që kanë të njëjtat rrënjë. Edhe pse në Shqipëri shumica janë myslimanë, Shqipëria nuk është një vend mysliman, por një vend europian për nga kultura e tij,”