1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Athina shpreh zyrtarisht refuzimin ndaj propozimit të fundit për emrin e Maqedonisë

Lehtësimi fillestar që shkaktoi propozimi i Nimetzit për emrin e FYROMIT si "Republika e Maqedonisë - Shkup” i lë vendin dekurajimit. Bakojani paralajmëron veton e Greqisë.

default

Maqedonia përpara provës së zjarrit

Pas mbledhjes së qeverisë greke MPJ Bakojani tha se propozimi i fundit i Nimetz "është larg objektivave të synuara të Greqisë" duke u shprehur njëkohësisht për vazhdimin e përpjekjeve diplomatike. Paralelisht ajo paralajmëroi edhe me veton greke duke thënë se "pa zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët Athina nuk mund të japë konsensusin e saj për marrëdhënie aleatesh me Shkupin."

Pas dy orë bisedimesh me dy negociatorët e Athinës dhe të Shkupit Vasillaqis dhe Dimitrov, ndërmjetësi ndërkombëtar M. Nimetz kishte bërë në Nju-Jork propozimin e tij përfundimtar për emrin e Maqedonisë që sikurse tha në deklaratat e tij përmban “dimension gjeografik”.

“Është një propozim i ri por ka edhe elementë të propozimeve të mëparshme.” - tha Nimetz, i cili bëri fjalë për një “kompromis të drejtë” dhe theksoi se ai nga ana e tij nuk “vendos afate të përcaktuara” por “koha ka rëndësinë e saj”. Propozimi përmban edhe kushtet e garantimit të zbatimit të tij që sipas burimeve të sigurta është një vendim i Këshillit të Sigurimit.

Lehtësimi fillestar i lë vendin dekurajimit

Lehtësimi fillestar që shkaktoi pohimi i Nimetz për “dimensionin gjeografik” të emrit në palën greke, i la vendin dekurajimit kur u dekonspirua se emri i propozuar është “Republika e Maqedonisë -Shkup”. “Emërtim i ri me kushte qorrsokaku” dhe “Një propozim-sfidë” ishin titujt me të cilat dalin sot dy të përditshme të mëdha greke “Elefterotipia” dhe “Ethnos” dhe duke iu referuar burimeve të sigurta të qarqeve diplomatike flasin për mospranim të tij nga Athina duke shënuar njëkohësisht se i njëjti opcion i paraqitur në vitin 2005 ishte pranuar.

Karamanlisit nuk i mbetet veçse rruga e refuzimit

Përballë aspiratave të mëdha të kultivuara në opinion për kompromis të favorshëm por dhe klimes se acaruar të brendshme politike për shkak të reformes së sigurimeve sociale, Karamanlisit nuk i mbetet veçse rruga e refuzimit dhe për rrjedhim ushtrimi i vetos ndaj ftesës së Shkupit për Bukuresht.

Dora Bakojani

Dora Bakojani

“Është e qartë se marrëdhënie aleatesh dhe solidariteti si edhe stabiliteti nuk mund të ndërtohen mbi bazën e çështjeve serioze pezull.” - deklaroi Ministria e Jashtme Bakojani në përgjigje të deklaratave të kryeministrit Gruevski. “Gjendja është e tillë që Greqia ka për qëllim të vendosë veto në qoftë se nuk pranojmë shantazhin e saj.” - tha Gruevski duke paralajmëruar me ndërprerje të procesit të bisedimeve në një rast të tillë.

Në këto kushte pikëpyetjet bëhen dhe më të mëdha se si mund të arrihet një kompromis deri në Bukuresht, siç kërkoi dhe një herë të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino.

  • Data 26.03.2008
  • Autor Niko Anagnosti/Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DUjl
  • Data 26.03.2008
  • Autor Niko Anagnosti/Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DUjl