1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Athinë-Moskë: bashkëpunim, por jo kredi

Rusia dhe Greqia duan t'i zgjerojnë marrëdhëniet e tyre ekonomike, si në sektorin energjetik. Edhe sanksionet ruse ndaj importeve të ushqimeve greke mund të zbuten. Ciprasi megjithatë nuk kërkoi kredi për vendin e tij.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe kryeministri grek, Alexis Cipras nënshkruan në negociatat e tyre në Moskë disa marrëveshje. Ndër të tjera ata ranë dakord që viti 2016 të jetë vit i miqësisë së përbashkët. Ata ranë dakord edhe për një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik. Synohet edhe një bashkëpunim më i ngushtë në fushën energjetike. Kështu Greqia mund të marrë pjesë për shembull në projektin e gazsjellësit Turkish Stream, i cili do të sjellë gaz përmes Turqisë deri në Greqi dhe në shtete të tjera evropiane.

Jo kredi nga Moska

Megjithatë, Athina nuk do të marrë nga Moska kredi për të pakësuar borxhet e saj shtetërore. Putini deklaroi se qeveria greke nuk bëri kërkesë për këtë. Droja për një kërkesë të tillë greke u shqiptua në prag të vizitës nga disa shtete evropiane. Por të mundura janë kredi për projekte konkrete të infrastrukturës, tha Putini. Rusia do të konkurojë si ofruese njësoj si shtete dhe institucione të tjera.

Qeveria gjermane pati shprehur në prag të vizitës shpresën, që Ciprasi të mos i vinte pikëpyetje unitetit të BE në konfliktin e Ukrainës. "Gjithçka që është vendosur deri tani në lidhje me çështjen e sanksioneve, është mbështetur edhe nga grekët dhe ne shpresojmë se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen", tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme në Berlin.

Edhe Komisioni Evropian pati kërkuar që të gjitha shtetet të flasin "me të njëjtën gjuhë" me Rusinë.

Para takimit, politikanë rusë sinjalizuan se me sa duket Rusia është e gatshme që ta zbusë embargon për produkte agrare greke. Këtë e deklaroi ministri i Ekonomisë, Aleksej Uljukajev.

Por kjo çështje do të diskutohet të enjten, në takimin midis Ciprasit dhe homologut të tij rus, Dmitri Medvedjev, ku do të marrë pjesë edhe ai, tha Uljukajevi, sipas agjencive ruse të lajmeve.

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov u tregua i revoltuar për kritikën e politikanëve të BE ndaj udhëtimit në Moskë të kryeministrit grek. Kur një anëtar i BE vepron në përputhje me interesat e tij kombëtare, kjo fshikullohet menjëherë si josolidare, tha ai.

Edhe Ciprasi nuk e pranoi kritikën e politikanëve të BE. "Disa duhet të pushojnë së komentuari çdo lëvizje tonën, sikur Greqia të ishte një koloni borxhesh", tha ai. Greqia do të përpiqet edhe më tej t'i zgjidhë problemet brenda Evropës. "Por si shtet sovran ajo ka të drejtë të lidhë marrëveshje edhe me shtete jashtë Evropës", tha Cipras.