1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Atentatorët duan të shkatërrojnë rrugën e partneritetit" - Reagime pas atentatit në veri të Afganistanit

Si pasojë e sulmit të atentatorëve vetëvrasës në Afganistan humbën jetën shtatë vetë, ndër ta dy ushtarë gjermanë. Viktimat ishin pjesëmarrës në një takim të nivelit të lartë për sigurinë të komandantëve afganë dhe ISAF.

Atentati në Talokan u mori jetën dy ushtarëve të Bundesverit dhe disa afganëve.

Atentati në Talokan u mori jetën dy ushtarëve të Bundesverit dhe disa afganëve.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière foli për "një lajm shumë të hidhur", në konferencën për shtyp në Berlin pas atentatit. Jo më larg se të mërkurën e kaluar (24.5.) ministrit iu desh të njoftonte humbjen e një ushtari tjetër gjerman. Deri tani në Afganistan kanë humbur jetën gjithsej 50 ushtarë të Bundesverit, 32 prej tyre në luftime dhe atentate.

Sipas të dhënave të para të komandës drejtuese të misionit të Bundesverit në Afganistan, atentati në Talokan është kryer nga disa atentatorë vetëvrasës. Objektivi ishte ndërtesa e guvernatorit të provincës Takhar, në të cilën përfaqësues të lartë të autoriteteve afgane të sigurisë dhe të trupës ndërkombëtare mbrojtëse për Afganistanin do të diskutonin për situatën e sigurisë në rajon, tha ministri gjerman i Mbrojtjes.

Masat e sigurisë nuk e penguan atentatin

Trazirat në Talokan në mes të muajit maj shkaktuan 11 viktimave në radhët e afganëve.

Trazirat në Talokan në mes të muajit maj shkaktuan 11 viktimave në radhët e afganëve.

Pak kohë më parë në Talokan ishin shënuar trazira të rënda, gjatë të cilave patën humbur jetën 11 afganë. Sipas të dhënave të Bundesverit viktimat nuk ishin vrarë nga ushtarë gjermanë, por nga pjesëtarë të forcave afgane të sigurisë. Pas demonstrimeve të ditëve të fundit, po bëheshin përpjekje për të krijuar "një besim të ri", tha de Maizière:

"Këtë rrugë partneriteti duan të shkatërrojnë atentatorë të tillë. Por kjo nuk duhet lejuar. Këta atentatorë dhe ata prej të cilëve marrin urdhëra janë vrasës dhe kriminelë politikë për procesin e paqes dhe zhvillimit në Afganistan. Ne nuk duhet të lejojmë që ata të thonë fjalën e fundit."

Ministri gjerman i Mbrojtjes de Maizière, dënoi ashpër atentatin në Afganistan.

Ministri gjerman i Mbrojtjes de Maizière, dënoi ashpër atentatin në Afganistan.

Ministri gjerman i Mbrojtjes theksoi se misioni i Bundesverit në Afganistan do të vazhdojë dhe se rruga është e duhura. Kush ndërmerr një mision të tillë ka edhe dyshime. Këto dyshime tërheqin vëmendjen për kujdes dhe qendrim të përgjegjshëm. Në të njëjtën kohë është me vend të bëhen pyetje kritike dhe të mbahet zi, theksoi de Maizière: "Unë i lutem opinionit në Gjermani që pikërisht tani të mbështesë misionin tonë në Afganistan. Në radhë të parë ushtarët gjermanë. Ata janë pjesë e jona."

Merkel dënon sulmin terrorist

Kancelarja Angela Merkel e dënoi sulmin në një deklaratë me shkrim si atentat terrorist, i cili dëshmon një "mungesë vrastare respekti për njeriun". Ajo kërkoi hetim të hollësishëm nga autoritetet afgane, në mënyrë që fajtorët të vihen sa më shpejt para përgjegjësisë.

Deutschland Wahlen in Bremen CDU Bundeskanzlerin Angela Merkel

Angela Merkel

Autoritetet afgane kanë filluar ndërkaq hetimet. Abdul Taqwa, guvernatori i Takharit, ishte një nga të plagosurit në atentat. Ai thotë se para takimit në selinë e tij ka pasur sinjale konkrete për një atentat. Por sipas tij masat e sigurisë ka qenë të duhurat dhe atentati nuk ka qenë e mundur të shmangej: "I dyshuari ishte thjesht më i shpejtë se ne. Kurrë nuk kam menduar se do të kryhej një akt i tillë, masat e sigurisë ishin shumë të forta."

Psikologia e trupave të Bundesverit në kampin në Kundus thotë, se ushtarët janë të vetëdijshëm për rreziqet e misionit: "Ne e dimë se gjithnjë dhe kudo mund të ndodhë diçka. Kjo nuk është pengesë për të përmbushur edhe më tej detyrën tonë këtu dhe nuk e rrezikon projektin e partneritetit."

Ky projekt parashikon bashkëpunimin e ngushtë të gjermanëve me forcat afgane të sigurisë, për t'i aftësuar ata të marrin sipas planit përgjegjësinë e plotë për sigurinë në vend deri në vitin 2014. Ky konsiderohet si kusht për tërheqjen e trupave ndërkombëtare nga Afganistani.

Autor: Marcel Fürstenau / Sabine Matthay /E.Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi