1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Atentati në Xherba: Përgjigjet një gjerman para gjyqit në Paris

Të hënën fillon në Paris procesi gjyqësor kundër Kristian Gançarskit. Ai akuzohet në lidhje me atentatet e Xherbas, se ka dhënë ndihmë për të vrarë si edhe për anëtarësi në një organizatë terroriste.

default

Pamje nga shpërthimi në Xherba, prill 2002

Gançarski i kundërshton akuzat, por hetuesit francezë janë të bindur: gjermani Kristian Gançarski (Ganczarski) është një anëtar i rëndësishëm i rrjetit terrorist të El Kaidas. Ai ka dhënë edhe dritë të gjelbër për atentatin në ishullin tunizian të pushimeve Xherba. Në mëngjesin e datës 11 prill 2002, Gançarskin e marrin në telefon. Në anën tjetër të linjës - atentatori vetëvrasës. Ai i lutet gjermanit që ta përfshijë në lutjet e tij, ose - sipas interpretimit - që t'i japë bekimin. Në fund të bisedës së shkurtër Gançarski thotë: shko në paqe, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin me ty. Pak pas kësaj, atentatori e hedh veten në erë në një kamion para sinagogës në Xherba. Kjo bisedë u përgjua. Sepse autoritetet gjermane kanë kohë që e survejojnë burrin nga zona e Rurit, i cili është konvertuar më 1986 në fenë islame. Gançarski arrestohet përkohësisht në Gjermani.

Vështirësia e vërtetimit të fajit të Gançarskit

Avokati i tij në Paris, Sebastien Bono është shprehur: "Prej 15 prillit deri në shtator 2002 atë e përgjon në shumë mënyra Zyra Gjermane e Policisë Kriminale. Ai është shprehur për këtë telefonatë dhe ka thënë si e ka njohur atentatorin e mëvonshëm vetëvrasës dhe se i kishte dhënë atij numrin e tij të telefonit. Por meqenëse Kristian Gançarskin e morën në telefon, kjo nuk do të thotë se ai është fajtor."

Synagoge Djerba Explosion Innenansicht

Anëtarë të komunitetit hebre në Xherba shohin sinagogën e shkatërruar

Autoritetet gjermane nuk qenë në gjendje t'i vërtetonin atij kryerjen e një vepre penale dhe e lënë të lirë. Anëtarësia në një organizatë të huaj terroriste, në këtë kohë nuk është e ndëshkueshme penalisht në Gjermani. Një boshllëk ligjor, i cili plotësohet vetëm më vonë. Gançarski udhëton me gruan dhe fëmijët në Arabinë Saudite. Prej andej e dëbojnë në qershor 2003. Në aeroportin e Parisit, Sharl de Gol atë e arreston policia.

Avokati i Gançarskit supozon pas kësaj marrëveshje të shërbimeve të ndryshme të fshehta dhe të hetuesve të antiterrorit: "Sepse kjo është e pamundur që të ndodhë. Është krejtësisht e pakuptueshme, se si një nënshtetas gjerman të dëbohet në Francë dhe jo në atdheun e tij. Këtu kemi të bëjmë me një strategji. Për të hetuar kundër Kristian Gançarskit ndoshta nevojitej mënyra e veçantë e veprimit të policëve dhe gjykatësve francezë, për të cilët nuk ka rëndësi të madhe ekzistenca apo jo e dëshmive."

Gançarski dyshohet se ka lidhje të ngushtë me Osama Bin Ladenin

Hetuesit francezë bazohen ndër të tjera në filmime, në të cilat Gançarski shihet në mes të luftëtarëve të shenjtë dhe të njerëzve të besuar të Osama bin Ladenit. Gançarski besohet se ka lidhje të ngushtë me kryeterroristin. Ai ka qenë disa herë në Afganistan. Por Gançarski i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat në një letër drejtuar kancelares gjermane, Angela Merkel. Ai flet për dënim paraprak dhe kërkon një proces korrekt gjyqësor.


  • Data 05.01.2009
  • Autor Claudia Deeg
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GSJ8
  • Data 05.01.2009
  • Autor Claudia Deeg
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GSJ8