1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Atentati në Bagdad - A është Iraku në gjendje të stabilizohet pa amerikanët?

Tërheqja e njësive luftarake amerikane nga Iraku në fund të muajit sipas opinioneve të analistëve do ta destabilizojë vendin. Iraku prej kohësh nuk ka qenë në një krizë të tillë si kjo para largimit të trupave amerikane

Një irakian në një spital pas plagosjes në atentat vetëvrasës në Bagdad (17. gusht 2010)

Një irakian në një spital pas plagosjes në atentat vetëvrasës në Bagdad (17. gusht 2010)

Aktualisht po rritet numri i atentateve ndaj ushtrisë irakiane dhe institucioneve të saj. Një atentator vetëvrasës hodhi të martën (17.08) në erë 60 rekrutë dhe ushtarë, mbi qindra vetë u plagosën.

Atentatori ishte radhitur me sa duket me të tjerë para zyrës së rekrutimit në lagjen Baab el Muatam në qendër të kryeqytetit irakian, Bagdad. Pastaj ndezi lëndën shpërthyese. Se si ia doli atentatori të kalonte kontrollet e sigurisë, kjo mbetet të sqarohet.

Një nënë pranë një të plagosuri

Një nënë pranë një të plagosuri

Kjo ngjarje do të ndezë debatin se cila është gjendja reale e forcave irakiane të sigurisë. Po të shtojmë këtu që dëshmitarët okularë raportuan për një sjellje të çoroditur të ushtarëve, që qëllonin kuturu në ajër pas atentatit duke rritur edhe më shumë panikun në radhët e njerëzve.

Iraku në kaos pas largimit të amerikanëve?

Ekspertët në Irak dhe në vende të tjera prej muajsh paralajmërojnë për gjendjen e forcave të sigurisë në Irak. Ato nuk kanë nivelin e duhur të përgatitjes, thonë ata, në kundërshtim me pohimet e herëpashershme që vijnë nga qeveria amerikane apo politikanët irakianë.

Së fundmi një gjeneral i Shtabit të Përgjithshëm në Irak deklaroi se trupat amerikane duhet të rrinë edhe 10 vjet në këtë vend, ndryshe Irakun e kërcënon zhytja në kaos. Qeveria e mandatuar në Irak u përpoq t'i relativizojë thëniet e gjeneralit. Këshilltari i qeverisë Saad Mutalabi: "Deklaratat e gjeneralit kanë qenë opinione personale. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin e institucioneve ushtarake në Irak."

Ushtarët pozojnë para largimit nga Iraku. Trupat luftarake do të largohen nga fundi i muajit.

Ushtarë amerikanë pozojnë para largimit nga Iraku. Trupat luftarake do të largohen nga fundi i muajit.

Sigurisht që qeveria amerikane bazohet pikërisht tek një përkrahje e tillë në Irak, kur përpilon planet e tërheqjes. Në fund të muajit tërhiqen edhe njësitë e fundit luftarake. Ata 50.000 ushtarë që mbeten do të kujdesen për trajnimin e irakianëve deri në dhjetor 2011.

Iraku aktualisht në krizë - çfarë i nxit atentatorët

Mos po i nxit tërheqja e trupave grupet e panumërta ilegale për sa më shumë atentate, me qëllim që më vonë ata të rrahin gjoksin si fitimtarë mbi okupatorët? Një fakt domethënës është që numri i viktimave nga atentatet në korrik ishte i lartë, si në pranverën e vitit 2008. Ndoshta ndikon në këtë gjendje edhe vakuumi politik që sundon aktualisht në Irak: Që nga zgjedhjet parlamentare në mars, irakianët ende presin krijimin e një qeverie.

Por të hënën e kësaj jave sërish dështuan bisedimet e koalicionit mes dy partive, që dolën nga zgjedhjet me një rezultat shumë të ngushtë. Kriza politike me sa duket po ndikon që grupet terroriste të tipit Al-Kaida të ngrenë sërish krye. Ndërkohë që qeveria është e vonuar në dhënien e rrogave trupës së policisë qytetare prej 100.000 irakianësh, al Sahvës. Kjo trupë prej kohësh është shpresa e forcave irakiane të sigurisë dhe trupave amerikane në luftë kundër al-Kaidës. Që nga marshimi i trupave amerikane në vitin 2003, Iraku prej kohësh nuk ka qenë në një krizë të tillë si e këtyre ditëve.

Autor: Björn Blashke/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM

  • Data 18.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OphY
  • Data 18.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OphY