1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atentati në Paris dhe gjendja e sigurisë në Gjermani

Mathias von Hein10 Janar 2015

Sulmi në Paris shtron edhe pyetjen mbi gjendjen e sigurisë në Gjermani. Autoritetet bëjnë fjalë për një "rrezik të lartë abstrakt". Si veçanërisht të rrezikshëm konsiderohen të kthyerit nga Siria.

https://p.dw.com/p/1EI67
Mutmaßlicher Terrorhelfer wird dem Haftrichter vorgeführt Archiv 2008
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Wittek

Eshtë mëse njerëzore, që pas tronditjes, indinjatës, hidhërimit për të vdekurit prej sulmit terrorist ndaj revistës satirike franceze "Charlie Hebdo" edhe në Gjermani është përhapur ndjenja e pasigurisë. Disa gazeta i kanë përforcuar masat e sigurisë. Veçanërisht pranë redaksive, të cilat në të kaluarën kanë publikuar karikaturat e "Charlie Hebdo", policia ka treguar një prani më të madhe.

Polizeiwagen vorm Axel-Springer-Verlagsgebäude in Berlin
Godina e Botuesit Axel-Springer, BerlinFotografi: Reuters/H. Hanschke

Ndërkohë që sipas vlerësimit të autoriteteve të sigurisë pas sulmit në Francë gjendja e sigurisë në Gjermani nuk ka ndryshuar. Rreziku nga terrori do të vazhdojë të përshkruhet si "abstrakt i lartë", por të dhëna konkrete për plane për sulme nuk ka.

Siguria absolute e pamundur

Kundër sulmeve të tilla si ai në Paris nuk mund të mbrohesh, analizon kriminologu Andreas Armborst nga Universiteti Leeds. "Për aq kohë sa ka terroristë, të cilët janë të gatshëm për akte të tilla, ata gjithmonë do të gjejnë një mundësi në shoqëritë e lirisë, për të kryer një atentat të tillë papritur", në këtë konkluzion arrin Armborst në intervistë për DW.

Deri tani në Gjermani ka pasur një sulm islamist me viktima: Në mars 2011 një shqiptar nga Kosova qëlloi dy ushtarë të SHBA-së në aeroportin e Frankfurtit mbi Main. Por njëkohësisht ka pasur edhe disa tentativa për atentate, të cilat ose kanë dështuar ose janë parandaluar. Rreziku rritet në të njëjtin ritëm me zgjerimin e skenës islamiste. Veçanërisht në rritje janë grupet e salafistëve me orientim të fortë konservator. Numri i tyre gjatë tre viteve të fundit deri më sot është dyfishuar dhe llogaritet të jetë rreth 7000. Si veçanërisht të rrezikshëm ekspertët e sigurisë konsiderojnë të kthyerit nga rajonet e luftës si Siria dhe Iraku. Sipas të dhënave zyrtare ka rreth 600 islamistë radikalë që kanë udhëtuar në territoret e të ashtuquajturit "Shteti Islamik". Disa vëzhgues si politologu nga Berlini dhe eksperti për islamizmin Ahmad Mansour mendojnë, se mund të ketë madje 1500 deri në 2000 xhihadistë gjermanë në luftën civile të Sirisë. Rreth 180 e atyre që kanë qenë në Siri ndërkohë janë kthyer në Gjermani.

Tre grupe të kthyerish nga Siria

Studiuesi i dukurisë së radikalizimit Peter Neumann nga Kings College në Londër dallon tre grupe të kthyerish - ndaj të cilëve duhet mbajtur qëndrimi përkatës. Rreth 10 përqind e vlerëson Neumann kuotën e atyre, "që vërtetë janë të rrezikshëm, që duan të jenë aktiv si terroristë pas kthimit të tyre. Këta janë njerëz, prej të cilëve duhet të mbrohet shoqëria. E këta janë njerëz, që vërtetë duhet të ndiqen penalisht dhe duhet të dënohen në burg". Një grup i dytë janë të tramatizuarit dhe pjesërisht të dëmtuarit psiqikisht. Këta, thotë Neumann për DW, kanë nevojë për përkujdesje psikologjike dhe psiqiatrike. Grupin e tretë e përbëjnë ata që janë kthyer të deziluzionuar prej Sirisë, kosntaton eksperti nga Londra.

Dr. Peter Neumann
Eksperti Dr. Peter NeumannFotografi: Peter Neumann

Njëri nga dy vëllezërit me origjinë algjeriane, që dyshohen për masakrën në redaksinë e "Charlie Hebdo", duhet të ketë rekrutuar xhihadistë për luftën në Irak. Për këtë arsye ai ka qenë i dënuar me tre vjet burg në vitin 2008, prej nga ka vuajtur dënimin vetëm 18 muaj. Por në bindjet e tij nuk ka ndryshuar asgjë. Shpesh burgjet janë vende për një radikalizim të mëtejshëm, shpjegon eksperti londinez i sigurisë Raffaelo Pantucci. "Problemi i radikalizimit në burg është mjaft i madh. Ne kemi parë shpesh, që njerëzit, që shkojnë për një kohë të shkurtër në burg, radikalizohen atje prej të tjerëve. Ose që njerëz, të cilët ndodhen për krime të tjera në burg, takojnë atje radikalë, të cilët i tërheqin ata për ideologjinë e tyre."

Rrezik nga pasues

Pantucci, drejtor i sektorit për Studime të Sigurisë Ndërkombëtare pranë institutit Royal United Services Institut (RUSI), mendon se një ndër rreziqet e mëdha prej sulmit në Paris është forca tërheqëse. "Njerëzit do të përpiqen ta kopjojnë këtë", thotë Pantucci. Në rrjetet sociale sulmi ndaj "Charlie Hebdo" ndër myslimanët radikalë gjen jehonë miratimi. Edhe i ashtuquajturi "Shteti Islamik" e shfrytëzon këtë masakër për propagandën e vet.

Raffaleo Pantucci mendon se kjo ngjarje i vendos para një sfide të madhe autoritetet e sigurisë. Sepse ato tani do të detyrohen, që të kujdesen për të gjithë ata, që janë të radikalizuar, që ndoshta janë të stërvitur dhe kanë qenë shqetësim, por që megjithatë ende nuk e kanë kaluar kufirin, për të dhënë shkas që t'i arrestojnë. "Tani problemi do të jetë, që këta njerëz duhet të mbikqyren sërish dhe të sigurohet, se ata nuk janë armatosur."

Paris Anschlag auf Charlie Hebdo - Attentäter Cherif Kouachi & Said Kouachi
Cherif Kouachi & Said Kouachi - Atentatorët që kryen sulmin ndaj redaksisë së revistës "Charlie Hebdo"Fotografi: picture-alliance/dpa/French Police/Handout

Në Gjermani autoritetet e sigurisë klasifikojnë rreth 260 vetë si të ashtuquajtur "të rrezikshëm". Prej tyre mund të priten sulme terroriste. Por për një mbikqyrje të plotë kërkohet shumë personel. Ndaj këta "të rrezikshëm" klasifikohen në nënkategori të ndryshme, që duhen mbikqyrur në mënyra të ndryshme.

E që gjatë mbikyrjes e vlerësimeve mund edhe të gabohesh, këtë e dëshmon rasti i Parisit: Ministri i Brendshëm i Francës Bernard Cazeneuve vuri në dukje, se dy të dyshuarit janë mbikqyrur - por autoritetet nuk kishin arritur të sigurojnë të dhëna për dyshimin për terror.