1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Atentat vdekjeprurës kundër ushtarëve gjermanë në Afganistan

Qeveria gjermane është e indinjuar për "aktin e pabesë terrorist" i cili u mori jetën tre ushtarëve gjermanë. Ata u vranë nga një ushtar afgan, i cili ishte ngarkuar t'i mbronte.

Ushtarët e Bundesverit në Afganistan mbajnë zi për shokët e vrarë.

Ushtarët e Bundesverit në Afganistan mbajnë zi për shokët e vrarë.

Atentatet kundër ushtrisë gjermane në Afganistan kanë fituar një cilësi të re të rrezikshme: për herë të parë të premten(18.2.) ushtarët gjermanë u sulmuan në kampin e tyre. Si pasojë u vranë tre ushtarë gjermanë, dy të tjerë janë në rrezik për jetën.

Partneritet që mbart rreziqe

I njëjti kamp i Bundesverit në Afganistan, ku të enjten (17.2.) pati qendruar vetë ministri i Mbrojtjes Guttenberg, një ditë më vonë u bë skenë e një atentati të përgjakshëm. Duket se ka qenë një afgan, që ka hapur zjarr kundër ushtarëve, në bazën e ushtrisë gjermane në Baghlan. Guvernatori i provincës konfirmoi se shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur në bazë.

Sipas të dhënave të trupës ndërkombëtare mbrojtëse ISAF, atentatori mbante uniformë të ushtrisë afgane. Ende nuk është sqaruar përfundimisht nëse atentatori ka qenë vërtet ushtar apo kishte veshur uniformën për të mbërritur pa rënë në sy dhe i armatosur brenda kampit. Një zëdhënës i talibanëve tha se autori i atentatit ishte një luftëtar i tyre. Sipas të dhënave të komandantit të misionit, gjeneralit Rainer Glatz, atentatori bënte pjesë në korpusin e 209-të të ushtrisë afgane ANA. Ushtarët gjermanë në kuadër të marrëveshjes së partneritetit qëndrojnë bashkë me ushtarët afganë dhe i stërvisin ata. Muajt e fundit në mënyrë të përsëritur ushtarët e ISAF-it kanë rënë viktima të plumbave nga afganë gjoja miq.

Guttenberg Überraschungsbesuch Besuch in Afghanistan Masar il Scharif Mazar-e-Sharif

Ministri gjerman i Mbrojtjes gjatë vizitës në kampin "OP North" në Afganistan, 17.02.'11.

Ministri Guttenberg paralajmëroi ndaj vënies në pikëpyetje të bashkëpunimit me ushtrinë afgane. Kush bën këtë luan kartën e kundërshtarit. "Por partneriteti sjell edhe rreziqe", pranoi Guttenberg.

Ushtarët gjermanë në shënjestër

Provinca Baghlan, dikur mjaft e qetë, konsiderohet krahas Kundusit si një nga zonat më të rrezikshme të misionit të Bundesverit dhe bazë e talibanëve. Vitin e fundit atje janë vrarë gjithsej pesë ushtarë gjermanë në beteja dhe atentate.

Në prill të 2010-s, në Baghlan u vranë brenda një ore katër ushtarë gjermanë. Tre prej tyre humbën jetën kur mjeti i tyre i blinduar shpërtheu nga një bombë e vendosur në urën ku po kalonin. Përmes provincës kalon një nga damarët më të rëndësishëm të furnizimit të trupave të NATO-s, i cili lidh veriun e Afganistanit me kryeqytetin Kabul. Kjo është një tjetër arsye pse kryengritësit kanë interes të shtojnë influencën e tyre atje.

Në rajon janë aktivë disa grupe ekstremistësh njëherësh: luftëtarët talibanë rreth një vit më parë zhvilluan përleshje të ashpra me milicët e një tjetër baroni lufte, liderit islamist Gulbuddin Hekmatyar, për të siguruar hegjemoninë në Baghlan.

Afghanistan / Anschlag / Bundeswehr

Pamje nga vendi i atentatit kundër ushtarëve gjermanë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Guttenberg, kaloi natën e së mërkurës (16.2.) në atë bazë. Kampi i cili ndodhet në një kodër, është ngritur edhe me synimin për të nisur prej tij operacione ushtarake kundër talibanëve në rajon. Ishte hera e parë që ministri i Mbrojtjes kalonte një natë të tërë në një rajon lufte.

Kampi i njohur me emrin „OP North“ ishte bërë i njohur kohët e fundit, pasi në dhjetor të vitit të kaluar një ushtar gjerman humbi atje jetën nga një plumb i shkrepur pa dashje nga një shok i tij. Rrethanat e sakta të incidentit po hetohen tani nga prokuroria. Ministri i Mbrojtjes u kritikua në lidhje me këtë rast për politikën e tij të informacionit.

Në përgjithësi situata e sigurisë në veri të Afganistanit, pra në gjithë zonën ku janë të stacionuar ushtarët gjermanë, është përmirësuar ndjeshëm kohët e fundit. Vëzhguesit vlerësojnë se për këtë luan një rol edhe prania më e madhe e trupave amerikane atje. Kështu talibanët nuk kanë më asnjë zonë nën kontroll në provincën Kundus. Nëse ky përmirësim është i qëndrueshëm, mund të thuhet vetëm pas përfundimit të dimrit, theksojnë ushtarakët. Tradicionalisht moti ua bën të vështirë ekstremistëve të veprojnë me efektivitet gjatë muajve të dimrit.

Autor: Kai Küstner / Eliana Xhani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

DW.COM

  • Data 19.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10KO2
  • Data 19.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10KO2