1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Atdhe i ri për refugjatët? - Në Izrael refugjatët afrikanë përballen me të panjohurën

Tel Avivi, kryeqyteti i Izraelit feston 100 vjetorin si qytet. Për herë të parë në historinë e tij 50 vjeçare Izraeli është bërë destinacioni i refugjatëve jo hebrej: mijëra vetë vitet e fundit kanë mbërritur nga Sudani.

Në foto refugjati sudanez Simon Meir me dy djemtë e tij.

Simon Meir, refugjat sudanez në Tel Aviv

Qeveria izraelite ndodhet përpara një dileme: duke kujtuar Holokaustin ajo do t'u garantojë strehim refugjatëve, njëkohësisht duhet të parandalohet, që drejt vendit të shenjtë të vërshojnë gjithnjë e më shumë refugjatë të rinj.

Ndërsa politika është përfshirë prej pazotësisë, problemin e kanë marrë në dorë shumë lëvizje të krijuara nga radhët e popullsisë. Një prej këtyre është një grup studentësh të rinj, që çdo të premte shpallin „Fugee Friday“ në Tel Aviv.

Dyndja mbizotëron në tregun Karmel në zemër të Tel Avivit. Eshtë e premte pasdite dhe pak para Shabatit të gjithë nxitojnë për të kryer blerjet e fundit. Gratë çajnë turmën të ngarkuara me trasta plot e përplot, tregtarët thërrasin duke bërë reklamë për t'i shitur mundësisht të gjitha përpara ditëve të pushimeve.

Por shumë produkte mbeten dhe pas së premtes në mbrëmje, mollët e prishura e të gjitha zarzavatet bajate apo bukët, përfundojnë në koshin e plehërave. Pikërisht kjo është arsyeja përse Jesse Fox-it dhe shokëve të vet u lindi ideja për „Fugee Friday“ (e premtja e refugjatëve): „ Këtu në tregun në jug të qytetit, të premteve shkojnë kot sasi të mëdha ushqimesh dhe vetëm pesë minuta larg parkut, jetojnë qindra refugjatë, që nuk kanë as strehë dhe as ushqim. Ndaj ne filluam të mbledhim ushqimet që teprojnë dhe të tjera gjëra që hidhen kot.“

Çdo të premte studentët shkojnë në treg prej nga marrin arka të mëdha të mbushura me domate, banane dhe bukë, që ua çojnë refugjatëve.

"Herën e parë ne të gjitha i ngarkuam në makinë dhe ua dërguam refugjatëve. Por kjo u duk paksa e çuditshme, sepse shumica nuk i prekën me dorë ushqimet. Ata nuk e njihnin brokolin dhe asnjëherë nuk kishin parë me sy avokado", tregon Jesse Fox.

Ndërsa sot ata hanë avokado - e gjithnjë e më shumë vullnetarë ndihmojnë gjatë "Fugee Friday". Ky emërtim tashmë është bërë i zakonshëm dhe tingëllon më këndshëm se sa fjala 'refugjatë', mendon Jesse. 17.000 njerëz ndërkohë kërkojnë në Izrael mbrojtje nga përndjekja, luftërat dhe mjerimi ekonomik. Shumica vijnë nga Eritrea apo Sudani, po kështu edhe Simoni.

"Unë isha shtatë vjeç, kur sulmuan fshatin tonë. Qeveria dërgoi milicët e kalorësisë. Ata plaçkitën gjithçka, i vunë zjarrin fshatit dhe vranë shumë vetë. Kushdo që përpiqej të mbrohej e vrisnin", tregon Simoni.

Për këtë arsye Simoni me familjen e tij shkoi përmes Kartumit në Egjipt, por edhe atje pas disa vitesh ata u bënë të padëshirueshëm për shkak të besimit të krishterë. Odiseja e tyre vazhdoi dhe duke paguar shrenjtë bandat e kontrabandistëve të njerëzve ata kaluan kufirin izraelit dhe arritën në Tel Aviv. Si shumë refugjatë edhe Simoni e familja e tij shpresuan se do të gjejnë mirëkuptim, por pikërisht kjo e vendos Izraelin përballë dilemës, thotë drejtuesi i zyrës sociale të qytetit, Zeev Friedman : "Ne e dimë, se çfarë do të thotë të jesh refugjat, sepse kjo është pjesë e kujtesës kolektive të hebrejve. Pra ne kemi përgjegjësi. Nga ana tjetër ka 3 milionë refugjatë afrikanë në Egjipt. Nëse tani disa prej tyre marrin lejen e punës në Izrael, atëherë do të vijnë edhe më shumë."

Izraeli e ka të vështirë të ndjekë një politikë të qartë, aq më tepër që Sudani konsiderohet si një shtet armik. Kësisoj policia i arreston refugjatët afrikanë pa dokumenta dhe pas disa muajsh i liron ata, sepse burgjet janë të stërmbushura. Asnjë nuk lejohet të punojë, disa dëbohen, vetëm pak refugjatë pranohen. Ndërkohë që politika është pështjelluar në çështjen e kompetencave dhe në burokraci. Simoni ankohet: "Unë dua vetëm të ndihem njeri! Ne nuk duam luks. Por për aq kohë sa Izraeli nuk vendos, ne mbetemi pezull. Unë nuk e di, se çfarë do të ha nesër, sepse nuk lejohem të punoj dhe nuk e di, se ç'duhet të bëj. Ky është vërtet një problem i madh!"


Autor: Ina Rottscheidt / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani