1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Ata që sulmojnë Gjermaninë nuk janë shqiptarë"

Politikanët dhe teologët në Kosovë të mllefosur pas arrestimit të dy vëllezërve në Gjermani. Shqitparët njihen si popull i ntegruar dje jo armiq të vlerave perëndimore.

"Janë bukëpërmbysës dhe të pa identitet. I pafe është secili shqiptar që në çfarëdo mënyre guxon të sulmojë Gjermaninë apo ndonjë vend tjetër”.

"Ne shqiptarët gjithmonë në Perëndim kemi qenë të njohur si populli i integruear me vlera evropiane, me përjashtime shumë shumë të rralla, e jo si armiq dhe kërcënues të rendeve dhe sigurisë së tyre”.

Janë këto vetëm disa nga reagimet plot mllef të politikanëve dhe teologëve në Kosovë, pas lajmit për arrestimin në Duisburg të Gjermanisë të dy shtetasve të Kosovës, të cilët dyshohet së planifikonin sulme terroriste në Oberhauzen. Arrestimi i dy vëllëzërve me origjinë nga Kosova bëri bujë në mediet lokale dhe ndërkombëtare. Arrestimi erdhi pak ditë pas sulmit në Berlin,l ku u vranë 12 dhe u plagosën rreth 50 persona.

Gjermania nuk guxon të sulmohet

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj,  tha se "Gjermania është një shtet mik që në momentet më të vështira ka qenë në krah Kosovës dhe popullit të saj”. 

Gjermania ka qenë pjesë e Perandorisë që mbrojti shqiptarët nga shpërbërja që në fillim të shekullit të kaluar; Gjermania është kthyer në shtepi të dytë të shqiptarëve edhe gjatë regjimit komunist në ish-Jugosllavi; Gjermania u kthy në strehë të shqiptarëve edhe në kohën e Millosheviqit; Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore është përfshirë në ndonjë ndërhyrje ushtarake, pikërisht në luftën e Kosovës; Gjermania ndër të parat e ka njohur shtetin e Kosovës dhe u bë përkrahëse e fuqishme e pavarësisë së saj. Janë bukëpërmbysës, të pa identitet e të pa fe të gjithë ata shqiptarë që në çfarëdo forme sulmojnë Gjermaninë apo ndonjë vend tjetë - shkruan me mllef Haradinaj, pas bërjes publike të lajmit për arrestimin në Duisburg.

Haradinaj mendon se ka ardhur koha e fundit që në Kosovë të kuptohet serozisht rreziku nga ideologjitë fundamentaliste që për bazë e kanë terrorizmin fetar.

Teologët e shokuar

Xhabir Hamiti, teolog dhe profesor universiteti thotë se lajmi shukues dëmton shumë imazhin e Kosovës dhe kombit. "Ne gjithmonë në Perëndim kemi qenë të njohur si populli i integruar, që respekton vlerat evropiane, me përjashtime shumë shumë të rralla. Uroj që ky arrestim të shihet si një rast i izoluar i individëve të indoktrinuar dhe të frymëzuar gabimisht, dhe jo si përfaqësues të shqiptarëve”, thotë Hamiti, i cili mendon se "instrumentalizimi i fesë për qëllime të errëta është histori e vjetër e shoqërisë njerëzore".

"Ndërsa sot, mund të thuhet se shkaktar kryesor për devijimin dhe pastrimin e trurit të individëve në pikëpamje fetare, është propaganda e madhe dhe qasja e lehtë, e cila në përmasa globale servohet përmes mjeteve elektronike, të cilat shpien në terrorizëm. Identifikimi i tyre përmes medieve prestigjioze në botë, si të dy të rinj vëllezër të lindur në Kosovë, pavarësisht rrethanave dhe epilogut përfundimtar, krijon përshtypje tepër negative për vendin dhe qytetarët tanë. Ne shqipatarët nuk e kemi përdorur fenë si instrument as ndaj armikut tonë të drejtpërdrejtë, e lëre më ndaj Gjermanisë, e cila u rreshtua përkrah nesh në ditët më të vështira”, shkruan Hamiti.

Fajin e kanë predikuesit

Edhe teologu Zuhdi Hajzeri shprehet i shokuar. Tentativën eventuale për vepër terorriste në Gjermani ai e quan edhe si "krim ndaj kombit shqiptarë”. "Kjo është fatkeqësi, është krim ndaj kombit shqiptar duke ia rrenu imazhin. Krim ndaj myslimanëve dhe ndaj islamit duke e paraqitur ate të tmerrshëm. Kjo argumenton se gjendja ekonomike dhe vizat nuk i kanë fajet. Fajin më të madh e kanë predikuesit Vehabistë që e kanë keqpërdorur dhe keqinterpretuar fenë”, shkruan teologu Zuhdi Hajzeri.

Por çfarë po ndodhë? Pse shumë të rinj kosovar ju bashkuan organizatave terroriste dhe po marrin pjesë në luftëra të Lindjen e Mesme? Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, që prej vitit 2012 kanë shkuar në luftë 316 vetë për t'u bashkuar me Shtetin Islamik. 58 prej tyre ndërkohë janë vrarë. Aktualisht për Shtetin Islamik, IS vazhdojnë të luftojnë ende 140 kosovarë. 117 vetë prej tyre janë kthyer në Kosovë. Hetime po bëhen edhe kundër 237 personave, me akuzën: organizim dhe pjesëmarrje në akte terroriste, pjesëmarrje në akte terroriste jashtë Kosovës, rekrutim, mbështetje dhe financim i terrorizmit. Prej vitit 2013 janë arrestuar 127 vetë prej të akuzuarve, midis tyre edhe të dyshuarit si drejtues.

Kosova viktimë

Eksperti për çështje të sigurisë Burim Ramadani, drejtor i "Organizatës për Politika dhe Çështje të Sigurisë”, (CPRC) i tha DW-së, se Kosova është viktimë e përhapjes së ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm.

"Kosova është viktimë e përhapjes së ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm, po aq sa është edhe Gjermania dhe vendet tjera në Evropë. Rasti i fundit i arrestimit të dy kosovarëve me dyshimin për planifikim e sulmeve terroriste në Gjermani, është indikacion i mjaftueshëm që kjo ideologji ka kaluar dallimet etnike apo dallimet tjera. Kjo paraqet sfidë të rëndë për shoqëritë dhe shtetet në Evropë kudo - duke përfshirë edhe Kosovën”, thotë Burim Ramadani.

Ai shpreson se "imazhi i Kosovës nuk do të karakterizohet me raste të izoluara, njëjtë sikurse as imazhi i Gjermanisë, Belgjikës, Francës apo vendeve tjera". Por institucionet e Kosovës duhet të rrisin përpjekjet për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral në përballje të përbashkët kundër kësaj ideologjie që shpie ne terrorizëm.

Masat që po ndërmerr Kosova

Kosova ka kohë që i është bashkuar aleancës globale kundër terrorizmit dhe radikalizmit të udhëhequr nga SHBA-së. Në këtë linjë ka ndërmarrë një sërë masash të sigurisë. Hapat konkret që janë ndërmarrë janë: Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, i cili parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës. Hartimi i strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, që udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, si dhe përkrahja e plotë e ofruar për mekanizmat e rendit dhe drejtësisë që të kryejnë detyrat e tyre në këtë drejtim.