1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

ATA mban Asamblenë e Përgjithshme në Tiranë

16 Nëntor 2011

Përfaqësues nga 40 vendet anëtare të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut, janë mbledhur në Tiranë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme, ku diskutojnë për aktualitetin dhe perspektivën e sigurisë globale dhe rajonale.

https://p.dw.com/p/13BWN
Flamujt e NATO-s dhe Shqipërisë
Fotografi: DW / Pandeli Pani

Shoqata e Traktatit të Atlantikut, ATA, si një organizatë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e 40 vendeve që janë anëtare ose partnere të NATO-s, për herë të parë mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme po e zhvillon në Tiranë. Zyrtarë dhe ekspertë nga këto vende kanë në fokus çështje të politikës globale të sigurisë, si e ardhmja e koalicionit ndërkombëtar në Afganistan, dialogu strategjik midis NATO-s dhe BE-së, shoqëria moderne dhe kërcënimet kibernetike, perspektiva e Aleancës Atlantike etj.

Presidenti i Këshillit të Atlantikut të Shqipërisë, dr. Arian Starova, shikon si një pjesët interesante të axhendës së Asamblesë diskutimin për partnershipin në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme. Kjo është një temë e aktualitetit por dhe e përspektivës, thotë dr. Starova për DW.

Dr. Arian Starova, Presidenti i Këshillit të Atlantikut të Shqipërisë.
Dr. Arian Starova, Presidenti i Këshillit të Atlantikut të Shqipërisë.Fotografi: DW/Arben Muka

“Në fund të fundit ajo që bën NATO është vërtet për paqen e stabilitetit dhe këto i bën në emër të disa vlerave për të cilat njerëzimi ka punuar për shekuj, vlera që ne i quajmë atlantike, që në thelb kanë lirinë e demokracinë. Ajo që ka ndodhur në vendet arabe e që është në vijim në vendet e Lindjes së Mesme besoj që krijon terren në dy aspekte: së pari, krijon mundësinë që këto vlera të institucionalizohen, dhe së dyti, japin një tregues për mbarë botën se popujt janë njëlloj, të tërë e duan lirinë. Në diskutime të tilla lindin dhe ide që pasurojnë dialogun që NATO vazhdimisht bën brenda saj me ekspertët, vendimmarrësit etj.”

Presidenti i Shoqatës së Traktatit të Atlantikut, njëkohësisht nënkryetar i Komitetit të Mbrojtjes në Parlamentin Gjerman, Dr. Karl Lamers, vlerëson si mjaft pozitive kontributin e anëtarit më të ri të NATO-s, Shqipërisë në më shumë stabilitet në mbarë botën. Ai përmend për Deutsche Welle-n faktin se aktualisht më shumë se 300 ushtarakë shqiptarë janë të angazhuar në Afganistan.

Dr. Karl A. Lamers, Presidenti i Shoqatës së Traktatit të Atlantikut.
Dr. Karl A. Lamers, Presidenti i Shoqatës së Traktatit të Atlantikut.Fotografi: DW/Arben Muka

“Ka dhe një kontribut të madh për stabilitetin në Kosovë, gjithashtu në misionin në Bosnjë Hercegovinë, apo dhe angazhime të tjera në kuadër të strukturave të NATO-s. Është e domosdoshme që të përcjellim mesazhe të qarta tek shoqëria civile, në mbështetje të politikës dhe operacioneve të NATO-s, jo vetëm në një dimension ushtarak, por dhe si një qasje gjithëpërfshirëse zhvillimore”.

Dr. Karl Lamers u shpreh dhe për zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri, duke i lidhur ato me procesin e integrimit të vendit në BE.

“Tani mendoj se është koha për të bërë hapa për t'u afruar realisht në BE-në. Në mënyrë të veçantë tani pas hapjes së dialogut të ri në parlament. Me qëndrimet dhe lëvizjet e fundit ngërçi politik mund dhe duhet të kapërcehet dhe t'i hapet rruga vazhdimit të reformave thelbësore, që janë shumë të rëndësishme për prosperitetin e këtij vendi që është anëtar i NATO-s. Por e përsëris që tashmë duhet të veprohet në mënyrë konkrete për t'u afruar më afër BE-së.”

Presidenti i Shoqatës së Traktatit të Atlantikut, njëkohësisht nënkryetar i Komitetit të Mbrojtjes në Parlamentin Gjerman, Dr. Karl Lamers duke komentuar faktin që kryesinë e Kartës së Adriatikut e ka Shqipëria nga qershori deri në fund të dhjetorit të këtij viti, tha për Deutsche Wellen-n se “edhe periudha që ka mbetur do të jetë një bashkëpunim më intensiv e konkret me ATA-n, për sensibilizimin e shoqërisë civile në vendet e rajonit, në mbështetje të konsolidimit të vlerave të sigurisë së përbashkët”.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: E. Xhani