1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Assange do të dalë së shpejti nga ambasada

Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange, njoftoi se do të dalë nga ambasada ekuadoriane në Londër, ku qëndron prej me shumë se dy vjetësh.

Assange tha këtë të hënë në kryeqytetin britanik se "së shpejti" do të dalë nga godina e ambasadës së Ekuadorit. Më shumë detaje në lidhje me planet e tij, apo për datën e saktë të daljes australiani nuk dha.

Kanali televiziv Sky News, një pjesë e të cilit është në pronësi të koncernit mediatik të Rupert Murdoch, kishte njoftuar më parë se Assange dëshiron të largohet nga ambasada për arsye shëndetësore. Me sa duket ai vuan nga probleme të zemrës.

Kundërshtim dhe konfirmim

"Unë do të dal së shpejti nga ambasada, por ndoshta jo për arsyet, që janë të dhënë nga shtypi i Murdoch dhe Sky News", u tha aktivisti 43-vjeçar gazetarëve në ambasadën ekuadoriane në qendër të Londrës.

Julian Assange para shtypit në Londër

Julian Assange para shtypit në Londër

I pyetur për gjendjen e tij shëndetësore, Assange u përgjigj se secili, që është i detyruar të kalojë dy vjet në një ndërtesë pa kopsht dhe pa rreze dielli, dëmtohet prej kësaj.

Prej dy vjetësh në ambasadë

Themeluesi i Wikileaks qëndron prej korrikut 2012 në ambasadën ekuadoriane në Londër. Ai kishte marrë strehim atje për t'i shpëtuar ekstradimit në Suedi. Atje autoritetet duan ta marrin në pyetje në lidhje me akuza për abuzime seksuale.

Assange ka frikë se kur të largohet nga ambasada, mund të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara. Mes të tjerash Wikileaks në vitin 2010 publikoi mijëra depeshe sekrete të SHBA.

Ministri i Jashtëm i Ekuadorit Ricardo Patiño bëri thirrje për të gjetur një zgjidhje politike. "Kjo situatë duhet të marrë fund", tha ai në konferencën e përbashkët për shtyp. Në të njëjtën kohë ai siguroi se Assange vazhdon të gëzojë mbrojtjen e këtij vendi të Amerikës Latine.