1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Assadi shpall referendum- por dhuna vazhdon

Dhuna në Siri vazhdon pa ndërprerje, veçanërisht në qytetin me miliona banorë të Holmsit. Por presidenti Assad hiqet si reformator dhe ka shpallur një referendum për kushtetutën.

Sulm në Babr Amr

Sulm në Babr Amr

Që të enjten në mëngjes, mbi Holms, kryeqytetin e protestave kundër Assadit shihej në qiell një re e zezë tymi. Opozita e shpjegon atë me sulme nga ajri ndaj lagjes së rezistencës Bab Amr, shteti flet për sabotim nga terroristët. Sulmet e artilerisë dhe të tankeve ndaj qytetit prej miliona banorësh vazhdojnë. Ato kanë si objekt kështjellat e rezistencës, ku struken dezertorët, të cilët janë bashkuar me të ashtuquajturën Ushtria e Lirë Siriane. Atë që nuk e arriti për 12 ditë me radhë sulmi i përgjithshëm i njësive të Assadit, mund ta arrijë tymi helmues dhe i padepërtueshëm- ai u zë frymën atyre që janë mbyllur në qytet dhe mund t'i dëbojë ata nga lagjet e tyre.

Eksperti i naftës Richard Miller paralajmëron:

"Rreziku i shpërthimeve të reja është i lartë për shkak të cisternave fqinje. Tymi përmban kimikate helmuese. Kjo mund të shkaktojë dëme afatgjata. Kundër zjarrit nuk mund të bësh asgjë. Kjo është zonë lufte. Askush nuk rrezikon jetën dhe të hyjë e të shuajë zjarret."

Zjarri mund të vazhdojë për javë të tëra. Njëra nga dy rafineritë e Sirisë u bllokua.

Në Homs duhet të mbizotërojë një situatë e tmerrshme. Mungon ushqimi, telefonat, rryma elektrike dhe uji. Mungojnë medikamentet. Të plagosurit tërhiqen vetëm në kushtet e një rreziku të madh për ndihmësit. Mjekimi i tyre është i keq. Të vdekurit i varrosin në oborre. 400 viktima mendohet se janë shkaktuar që prej fillimit të ofensivës. Organizatat ndërkombëtare e konsiderojnë këtë shifër realiste.

Edhe në Damask ushtria po vepron kundër vendeve ku janë fshehur dezertorët. Njësi speciale kanë ngritur barrikada në rrugë, ndërmarrin kontrolle nëpër shtëpi dhe bëjnë arrestime.

Tanke në Homs

Tanke në Homs

Njëkohësisht, presidenti ka shpallur për të dielën e ardhshme një referendum për një kushtetutë të re dhe për zgjedhje deri në fund të majit. Se si mund të kryhet kjo në mes të një lufte civile të përhapur kudo, mbetet për t'u parë. Assadi pati shpallur se do ta ndryshojë kushtetutën pak para fillimit të protestave 11 muaj më parë, ndërsa në janar e deklaroi ndryshimin e saj si projektin më të rëndësishëm reformator.

"Pas përfundimit të projektit për kushtetutën pati mundësi të ndryshme: që kushtetuta të shpallet nga presidenti ose të shpallet një ligj nga parlamenti. Unë i refuzova të dyja këto mundësi dhe ngula këmbë që të jetë populli që të vendosë. Sepse kushtetuta i takon çdo qytetari dhe jo shtetit."

Pika më e rëndësishme e ndryshimit të kushtetutës është heqja dorë pas më shumë se katër dekadash e rolit udhëheqës të partisë shtetërore Baath në dobi të një sistemi pluralist. Assadi vazhdon të shohë veten pa u lëkundur si reformator- megjithë kryengritjen popullore që po zgjat prej disa muajsh, në të cilën vlerësohet se janë vrarë të paktën 6000 vetë, megjithë dhjetëra-mijëra të arrestuar, të torturuar dhe luftës civile. Ai flet për dialog dhe për pajtim kombëtar, të gjithë duhet të falin njëri-tjetrin. Në të njëjtën kohë ai kërcënon me tolerancë zero për terroristët- kështu e quan regjimi opozitën. Megjithë mosmarrëveshjet që ka brenda saj, opozita tregohet në një gjë unike: negociata me këtë regjim ajo i refuzon në mënyrë kategorike- me vrasës, thonë opozitarët, nuk mund të ulesh në të njëjtën tryezë.

Autor: Ulrich Leidtholdt/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica