1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

„Assadi nuk sheh më rrugëdalje“ – Vazhdon dhuna dhe vrasjet në Siri

Edhe dy ditë pas arrritjes së planit të paqes me Ligën Arabe, në Siri nuk ka shenja se dhuna do të përfundojë. Forcat e sigurisë qëlluan sërish të premten kundër demonstruesve. Si pasojë kanë humbur jetën disa vetë.

Forcat e sigurisë qëlluan sërish të premten kundër demonstruesve

Forcat e sigurisë qëlluan sërish të premten kundër demonstruesve

Premtimi i regjimit të Assad-it dhënë Ligës Arabe për tërheqjen e ushtrisë, lejimin e vëzhguesve të huaj dhe fillimin e bisedimeve me lëvizjen e protestës, mbeten vetëm fjalë. Kjo nuk është për t'u habitur, thotë Ghias al-Jundi, një veprimtar sirian i të drejtave të njeriut, dhe për këtë arsye në mërgim qe 13 vjet.

"Askush nuk i beson këtij regjimi. Kushdo që shkon në Siri arrestohet ose përballet me banditët e qeverisë. Ata marrin njerëzit me vete dhe më vonë thonë se ata janë marrë nga ndonjë bandë e armatosur. Si mund t`i besosh një regjimi që vrau 4000 vetë. Ne me Assadin mund të flasim për dorëheqjen e tij dhe fazën kalimtare. Por regjimi e ka shkatërruar fjalën dialog."

Forcat e sigurisë qëlluan sërish të premten kundër demonstruesve

Forcat e sigurisë qëlluan sërish të premten kundër demonstruesve

Bashar al-Assad përpiqet nga e premtja (4.11.) sërish me metodën e tij të zakonshme: karrotë në njërën dorë, kamxhik në tjetrën. Kush ka një armë dhe nuk ka kryer vrasje nuk do të ndëshkohet nga ligji, por me kusht nëse ai e dorëzon armën deri në fund të javës së ardhshme. Aktivisti Jundi mendon se përmes këtij propozimi: „Assadi dëshiron të fitojë kohë. Ai nuk sheh më rrugëdalje.“

Por refuzimi kategorik për bisedime nga krerët e opozitës, e cila jashtë vendit gëzon shumë respekt por pak mbështetje, mund t'i kushtojë shtrenjtë lëvizjes protestuese. Kjo nëse Assad-i fillon bashkëpunimin, pra tërheq ushtrinë, lejon demonstratat, liron të burgosurit, lejon futjen në vend të gazetarëve dhe vëzhguesve të huaj. Atëherë opozita me refuzimin e saj do t'i ketë punët pisk, mendon Jawad Anani, një ish ministër i Jashtëm i Jordanisë.

"Pastaj do të bëhet vështirë për opozitën. Ajo mund të fajësohet pastaj se ka humbur shancin, mund të humbasë prestigjin jashtë vendit."

Kjo mund të llogaritet nga Assadi si moment fitoreje dhe do të fitonte kështu përsëri kohë. Por sirianët me shumicë treguan edhe të premten, pas faljes së namazit të xhumasë se çfarë mendojnë për regjimin.

"Gaddafi shkoi - Assad tani ti e ke radhën", këndonin ata në rrugët e bastionit të protestave Homs. Assad qëlloi sërish - prapë pati të vdekur.

Liga Arabe këshillohet për Sirinë

Liga Arabe këshillohet për Sirinë

Në rrethana të tilla lëshimet e premtuara mbeten vetëm në një fletë me gabime. Për demonstruesit, është e qartë se Assad-i e ka humbur shansin dhe Ghias al-Jundi është i bindur se fitorja është në anën e opozitës.

"Regjimi është më i mbyllur se para disa muajsh. Ne kemi Këshillin Kombëtar kalimtar. Regjimi donte ta përçante atë. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se synimi i tij do të dështojë. Nuk ka asnjë shans. Regjimi sirian është politikisht i vdekur."

Autor: Ulrich Leitholdt / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama