1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Asosacioni i komunave serbe ndez debatin politik në Kosovë

Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshjet e arritura, sidomos ajo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe janë përshëndetur nga mekanizmat ndërkombëtarë, por kanë tensionuar debatin politik pozitë-opozitë në Kosovë.

Shpërbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë po shkon drejt finalizimit. E gjithë kjo pas arritjes së një sërë marrëveshjesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të nisur katër vjet më parë. Njëra ndër strukturat paralele serbe më problematike që ka funksionuar në veri të Kosovës ishte mbrojtja civile, apo siç njihet në gjuhën serbe "Civilna Zashtita". Kjo organizatë, që për Prishtinën zyrtare ishte një organizatë 'kriminale', grumbullonte rreth vetes afro 500 pjesëtarë. Në bazë të marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 për përmirësimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, parashikohet që pjesëtarët e kësaj organizate të integrohet tërësisht në institucionet e Kosovës, që tashmë është në procedim. 105 ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile ndërkohë kanë filluar punën në ministri të ndryshme dhe agjenci të pavarura, ndërsa, pjesa tjetër e mbetur që do të përfshihen në institucione të tjera të Kosovës, janë në procesin e intervistimit, thonë zyrtarë nga qeveria e Kosovës.

Ministrja e Dialogut në qeverinë e Kosovës Edita Tahiri, thotë se procesi për shpërbërjen e strukturës ilegale 'Mbrojtja Civile' po kalon nëpër disa faza, e kjo ka nisur me marrjen e objekteve të tyre, ndërsa faza e dytë është rekrutimi i këtyre pjesëtarëve në institucionet e Kosovës. "Një prej punëve që do të bëhet është dorëzimi i objekteve, ku ata kanë vepruar më përpara. Ajo që është kryesorja në këtë proces është se rekrutimi i personelit dhe deri tani janë realizuar 80 për qind e intervistave. Ka mbetur edhe një pjesë, proces ky që do të vazhdojë", thotë Edita Tahiri. Sipas saj, deri më tani 105 pjesëtarë të 'Mbrojtjes Civile' kanë filluar punën në institucionet e Kosovës, ndërsa në fund të këtij muaji pjesa tjetër do të nisë punën në institucione të ndryshme. Janë gjithsej 483 pjesëtar të Mbrojtjes Civile, që do të integrohen në institucionet e Kosovës.

Njohësit e çështjeve të sigurisë disa herë kanë shprehur drojën e tyre se integrimi i pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile në institucionet e Kosovës me automatizëm mund të shkaktojë telashe në të ardhmen, për shkak të nivelit të luajalitetit që ata mund ta kenë ndaj institucioneve të Kosovës.

Florian Qehaja, nga instituti Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), i tha Deutsche ëelle-s, se procesi i shpërbërjes së të ashtuquajturës 'Mbrojtja Civile' është i domosdoshëm. "Mendoj që marrëveshja si e tillë është e pranueshme sepse e defunksionalizon një formacion të tillë ilegal dhe të njëjtin e integron brenda kornizës shtetërore e institucionale të Kosovës. Sigurisht që është e dhimbshme që, duke pasur parasysh numrin e lartë të të papunëve në Kosovë, duhen bërë lëshime për punësim të këtyre pjesëtarëve si pjesë e marrëveshjeve politike", thotë Florian Qehaja.

"Sa i përket aspektit të sigurisë, nuk shoh rrezik klasik të përfshirjes së këtyre pjesëtarëve në institucionet shtetërore. Këtu mendoj në çështjet që kanë të bëjnë me qasje në informacionet e klasifikuara. Pjesëtarët e këtij formacioni pritet të integrohen në institucione civile (siç janë agjencia e pyjeve) por edhe ato të gatishmërisë emergjente (siç janë zjarrfikësit).

Këtu normalisht nuk ka klasifikim të informacioneve të sigurisë dhe rrjedhimisht as qasje. Ajo për çka mund të druajmë është niveli i luajalitetit të këtyre pjesëtarëve ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës. Mendoj që në këtë drejtim do të ketë probleme serioze sepse, në mentalitetin e këtyre pjesëtareve, vështirë se do të pranohet zinxhiri menaxhues i Kosovës dhe përshtatja e tyre me praktikën ligjore e institucionale", thotë Florian Qehaja.

Shumica e pjesëtarëve të 'Mbrojtjes Civile' kanë kërkuar që të punësohen në policinë e Kosovës. Kjo kërkesë nuk është pranuar nga qeveria e Kosovës, e cila tashmë ka bërë të ditur se në cilat institucione mund të punësohen pjesëtarët serb të Mbrojtjes Civile. Ndër ministritë e qeverisë së Kosovës, të cilat do të kenë zyra lokale dhe inspektoriate të ndryshme nëpër komunat e Kosovës, është Agjencioni i Statistikave të Kosovës, Agjencioni Kadastral, agjencia e Ushqimit dhe disa agjenci të tjera ku do të punësohen 483 pjesëtarët e Mbrojtjes Civile.

Sidoqoftë, dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshjet e arritura deri tani, sidomos marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe janë përshëndetur nga mekanizmat ndërkombëtarë, por kanë tensionuar gjuhën dhe situatën politike pozitë-opozitë në Kosovë. Opozita kosovare është duke bërë përgatitjet, siç thonë, për protesta për të penguar formimin e asociacionit. Lëvizja Vetëvendosje, e cila njihet për aksionet e saj, të mërkurën më (09.09) sulmoi me vezë dhe bojë eskortën e kryeministrit Isa Mustafa. Në një postim të Vetëvendosjes në Facebook thuhet se "Ne duam t'ia kujtojmë Mustafës se nuk mund ta defunksionalizojë shtetin e Kosovës përmes krijimit të Zajednicës. Nëse ai insiston në këtë, ne do ta defunksionalizojmë qeverinë e tij".

I menjëhershëm ishte reagimi i qeverisë së Kosovës, e cila aksionin kundër eskortës së kryeministrit e ka cilësuar të papranueshëm duke gjykuar çdo formë të dhunës të ushtruar mbi institucionet dhe përfaqësuesit legjitim të Republikës së Kosovës. "Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për debat konstruktiv politik, brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, me të gjithë përfaqësuesit politikë dhe të shoqërisë civile dhe siguron qytetarët e Kosovës, se ngjarje të tilla nuk do të mund të na ndalin në misionin tonë për zhvillim ekonomik, shtetin ligjor dhe integrime euroatlantike", thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.