1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Asnjë shenjë çtensionimi në Rripin e Gazës

Kryeministri në detyrë i Izraelit, Olmert thekson, se vendi i tij nuk dëshiron luftë të gjatë. Udhëheqësi i Hamasit, Hanija shprehet për armëpushim, por duke vendosur kushte

Sulm i Izraelit në Gazë, Dhjetor 2008

Sulm i Izraelit në Gazë, Dhjetor 2008

Aviacioni izraelit vazhdoi sulmet ndaj Rripit të Gazës. Të enjten (01.01), sipas të dhënave izraelite, u sulmuan së paku 20 objektiva në Rripin e Gazës, kryesisht godina qeveritare të Hamasit dhe depo armësh. Sipas të dhënave të Hamasit është goditur godina e parlamentit në qytetin e Gazës. Mjekët palestinezë njoftojnë, se kanë gjetur vdekjen të paktën tre civilë dhe qindra të tjerë janë plagosur. Në kampin e refugjatëve Xhabalia u vra si pasojë e një sulmi me raketa udhëheqësi i nivelit të lartë të Hamasit, Nizar Rajan (Rayyan). Predha izraelite ra në shtëpinë e tij, ku si pasojë gjetën vdekjen edhe anëtarë të familjes.

Pa u stepur prej këtyre sulmeve Hamasi sërish ka lëshuar raketa në drejtim të Izraelit. Një raketë "Grad" goditi një ndërtesë tetë katëshe në Ashdod, 30 km në veri të Gazës. Pjesa e sipërme e ndërtesës është dëmtuar rëndë, disa persona pësuan shok. Pak pas kësaj ushtria izraelite deklaroi, se i bombardoi trupat palestineze, që kishin hedhur raketën.

Kryeministri Ehud Olmert vizitoi qytetin izraelit Bersheva, që po sulmohet qysh prej dy ditësh nga Hamasi. Përpara gazetarëve Olmerti tha:

"Unë shpresoj shumë, që t´ia dalim mbanë me rrugën më të shpejtë për t´i arritur qëllimet tona. Ne nuk kemi interes të zhvillojmë një luftë të gjatë. Ne nuk kemi ndërmend ta shtrijmë luftën. Ne duam, që njerëzit në jug të vendit të mos përballen me situata të tilla si aktualisht."

Në të kundërt ministrja e jashtme, Livni, u shpreh, se kemi të bëjmë me një luftë që mund të zgjasë. Livni u takua në Paris me presidentin e Francës, Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy), i cili gjatë ditëve të fundit u angazhua për armëpushimin.

Presidenti palestinez Abas (Abbas) synon që në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork të arrijë vendosjen e armëpushimit në dhe përreth Gazës. Zëdhënësi i Abasit, Jaser Abed Rabo (Rabbo) tha në Ramallah:

"Presidenti Abas do të shkojë në Nju Jork, për të kryesuar atje komitetin arab, që do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Ne do të përpiqemi me të gjitha mundësitë, në mënyrë që Këshilli i Sigurimit të vendosë jo vetëm që të ketë armëpushim, por edhe për kohën, kur duhet të hyjë në fuqi armëpushimi."

Në Rripin e Gazës udhëheqësi i Hamasit, Ismael Hanija, për herë të parë u shpreh hapur për armëpushim:

"Nëse Izraeli i jep fund pa kushte ofensivës dhe shfuqizon bllokadën e vendosur në Rripin e Gazës, ne mund të hymë në bisedime me njëri-tjetrin."

Në Izrael zërat për armëpushim vazhdojnë të jenë në pakicë. Kryetari i grupit parlamentar të partisë liberale të majtë Merec në Kneset (parlamenti izraelit) , Zehava Galon, lidhur me ofensivën e mundshme të këmbësorisë në Gazë deklaroi:

„Edhe nëse i dërgoni tani ushtarët - është e pamundur të arrihet një vendim absolut dhe i qartë ushtarak. Unë mendoj, se ata që propozojnë dërgimin e ushtarëve në Gazë, pra në moçalin e Gazës, e kanë harruar implikimin tonë në moçalin e Libanit. Ne e dimë, që në një rast të tillë do të ketë humbje si në radhët e ushtarëve, ashtu edhe në radhët e civilëve.“

Ushtria e Izraelit ndërkohë ka mobilizuar mbi 9000 rezervistë dhe, sipas të dhënave të ushtrisë, trupat e këmbësorisë janë të gatshme për marshim.

AUD

  • Data 02.01.2009
  • Autor Sebastian Engelbreht
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GQlI
  • Data 02.01.2009
  • Autor Sebastian Engelbreht
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GQlI