1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Asnjë problem me sanksionet - Siemens lidh marrëveshje me Sirinë

Koncerni industrial gjerman Siemens, sipas të dhënave të Sirisë ka lidhur me këtë vend një kontratë me vlerë 300 milionë euro për zgjerimin e një centrali elektrik. Në Siri që prej muajit mars zhvillohen protesta masive.

Logo Siemens

Sërish 20 të vdekur nga forcat shtetërore të sigurisë dhe gjatë luftimeve mes ushtrisë dhe dezertorëve, ashpërsim i sanksioneve të BE-së ndaj strukturave të afërta me qeverinë - të gjitha këto nuk i bëjnë përshtypje Siemensit. Koncerni ka lidhur një marrëveshje prej 300 milionësh eurosh me Sirinë për zgjerimin e centralit të Nasirijës, pranë Damaskut, njofton me krenari agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA.

Siemens planifikon zgjerimin, livron dhe instalon paisjet. Në të njëjtën kohë BE vë në zbatim sanksione kundër bankës shtetërore siriane tregtare. Ajo mban pjesën kryesore të rezervave siriane të valutave, sipas vlerësimeve rreth 17 miliardë dollarë. BE ka vendosur në shtatë hapa kufizime udhëtimi kundër udhëheqjes në vend dhe bosëve të ekonomisë të lidhur me qeverinë, ka ngrirë llogari bankare dhe ka shpallur një ndalim importesh për naftën siriane, masë që hyn në fuqi në muajin nëntor. Siemens mesa duket ka të njëjtin qendrim si ky sipërmarrës nga Bavaria, i cili gjithashtu vazhdon të jetë aktiv në Siri: "Ne orientohemi tek rekomandimet e qeverisë gjermane dhe BE-së. Sa kohë angazhimi ynë në Siri nuk pengohet nga kuadri ligjor, vazhdojmë të jemi atje të pranishëm."

Më shumë se 3.000 vetë janë vrarë në Siri që prej fillimit të kryengritjes së popullit sirian para shtatë muajsh, thuhet nga OKB. Regjimi përpiqet të tregojë se ka gjithçka nën kontroll. Për këtë qëllim u organizua një vizitë e kontrolluar rreptë për ata pak gazetarë të huaj, që kanë ende leje të qëndrojnë atje, kryesisht nga vende arabe mike. Një korrespondent tregonte për rrugë të braktisura, dyqane të mbyllura dhe pak banorë të mbetur në Rastan, një nga qendrat e qendresës popullore. Ishin treguar edhe armë, me gjasë të kryengritësve.

Presidenti Asad thotë se Siria në sajë të ndërgjegjësimit të lartë të popullit të saj, e ka kapërcyer më të keqen. Në të vërtetë regjimi ka një numër të madh mbështetësish. Dhjetëra mijëra përkrahës, regjimi madje foli për një milion, marshuan këtë javë në mbështetje të Asadit dhe në shenjë falenderimi për Rusinë dhe Kinën, të cilat vunë veton kundër një rezolute për Sirinë në OKB. Autori Nir Rosen, pas një qendrimi shtatë javësh në Siri, thotë se e kupton mbështetjen për Asadin.

Protesta të mbështetësve të regjimit të Asadit para ndërtesës së BE-së në Damask.

Protesta të mbështetësve të regjimit të Asadit para ndërtesës së BE-së në Damask.

"Janë të shumta ata që e mbështesin Asadin, dhe jo vetëm pakica e tij alevite apo të krishterët. Ai ka mbështetës edhe në pjesën qytetare sunite në qytetet e mëdha Damask dhe Alepo. Ata i druhen një lufte civile ose i besojnë Asadit. Shërbimi i tij i fshehtë dhe elita ekonomike sunite e mbështesin regjimin e tij."

Mediet shtetërore bëjnë një propagandë të suksesshme kundër protestave, të cilat i cilësojnë si terroriste dhe frikësojnë me mundësinë e masakrave fetare si në Irak. Në të vërtetë dhuna është në rritje, dezertorë dhe kryengritës sulmojnë shtetin, i cili mesa duket e pret këtë me dëshirë. Pakicat e frikësuara, sipërmarrësit e suksesshëm dhe përkrahësit politikë pranojnë mesa duket korrupsionin dhe brutalitetin, pasi i druhen më shumë pasojave të paparashikueshme të rrëzimit të Asadit, sesa atij vetë.

Autor: Ulrich Leitholdt / E. Xhani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi