1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Asnjë mëshirë më për sistemin e vjetër politik të Greqisë

Pavarësisht lehtësimit që u krijua shpejt qeveria e re në Greqi: Tani Evropa duhet të pozicionohet qartë, mendon Spiros Moskovou, drejtues i redaksisë greke të Deutsche Welle-s.

Në çdo krizë fshihen edhe shanse, madje edhe për Greqinë e trishtuar. Atje, kanosja e falimentimit, trysnia e botës së jashtme si dhe pakënaqësia sociale bënë më në fund të mundur njëfarë arsyeje të sistemit politik. Vetëm tri ditë pas daljes së fundit në votime Greqia ka një qeveri tripartiake, e cila ka në parlament 172 prej gjithsej 300 vendeve. Konsevatorja Nea Dimokratia e Antonis Samarasit, socialdemokratja PASOK e Evangelos Venizelosit dhe E Majta e matur e Fotis Kouvelis-it ishin në gjendje të qeverisnin qysh pas zgjedhjeve të 6 majit, mirëpo vetëm tani vendosën ta bëjnë këtë duke kapërcyer rezervat në gjirin e tyre. Ndërkohë pakënaqësia e zgjedhësve është bërë mjaft shpërthyese, mjaft kërcënues është rreziku i paaftësisë së shtetit për të paguar, tepër i pandalshëm është forcimi i së Majtës radikale të Alexis Tsipras-it.

Deutsche Welle Spiros Moskovou

Spiros Moskovou, drejtues i redaksisë greke të Deutsche Welle-s

Pyetja tani është nëse dhe si do të jetë kjo aleancë në gjendje që t'i përballojë problemet financiare e ndërkohë edhe ato sociale të vendit. Qeveria e re greke në fakt do ta vazhdojë politikën e kursimit dhe t'i kryejë reformat e domosdoshme strukturore, mirëpo duhet kujtuar, se dy prej partive qeveritare të tanishme i patën refuzuar në parlament paketat e mëdha të kursimit pas shpërthimit të krizës në vitin 2010 (Nea Dimokratia një herë, dhe E Majta e matur madje dy herë). Vetë Samaras dukej deri para një viti i bindur top se politika e kursimit është rruga e gabuar. Kryetari i qeverisë Samaras si dhe Venizelosi dhe Kouvelisi do të udhëtojnë për në samitin e BE-së, për të arritur më të mirën e mundshme "për popullin grek".

Fillimisht duhet dëshmuar forca vepruese, pastaj duhen kërkuar kompromise

E që tani dihet afërsisht se ç'mund të jetë e realizueshme dhe çfarë jo. Përballë vonesave në realizimin e reformave si dhe përballë recesionit të ekonomisë greke në të njëjtën kohë partnerët në BE sinjalizojnë tashmë me kujdes se mund të lëshojnë pe kundrejt Greqisë në orarin e reformave. Mirëpo, nga bisedimet për koalicionin janë mësuar edhe shqetësime të tjera. Shumë gjëra flasin për atë se qeveria greke kërkon të arrijë lëshime të tjera prej huadhënësve ndërkombëtarë nëpërmjet premtimeve të reja për luftimin e korrupsionit dhe të evazionit fiskal. Këto lëshime ajo do t'ua paraqesë grekëve si fryte të qëndrimit të saj të paepur në "negociatat e reja". Dhe në rast se ajo nuk arrin gjë nga këto, fajin do ta kenë përsëri "të tjerët".

Mirëpo, kush e pengon qeverinë greke që të luftojë në mënyrë bindëse korrupsionin dhe evazionin fiskal dhe që vetëm pas kësaj të kërkojë kompromise prej huadhënësve të saj? Dhe përse nuk ka se ç'të tregojë në çështjen e luftimit të korrupsionit dhe të evazionit fiskal qeveria e PASOK-ut pas 2009-ës apo qeveria Papademos, e cila u mbështet pas nëntorit 2011 prej PASOK-ut dhe Nea Dimokratia-s?

Pavarësisht lehtësimit për ngritjen e shpejtë të qeverisë në vendin e zanafillës së demokracisë: tani Evropa duhet të bëjë ta qartë me forcë mendimin e saj. 'Po' ndaj njëfarë zbutjeje të orarit për reformat në Athinë, 'po' ndaj impulseve për rritje ekonomike përmes stimulimit, 'po' ndaj masave konkrete të cilat janë në të mirë të shtresave të varfra: mirëpo asnjë mëshirë më për sistemin e vjetër politik të Greqisë.